Papa bisedon me Biden, Kisha amerikane e gëzuar: Pas presidentit Kenedi, i dyti që e deklaron fenë katolike!

Papa bisedon me Biden, Kisha amerikane e gëzuar: Pas presidentit Kenedi, i dyti që e deklaron fenë katolike!

13:27, 13/11/2020

Mbrëmë Papa Françesku bisedoi në telefon me Joe Biden. Lajmin e konfirmoi drejtori i Sallës Vatikanase të Shtypit, Matteo Bruni.

Biseda telefonike e Papës vjen menjëherë pas përshëndetjes së ipeshkvijve amerikanë të cilët, përmes një mesazhi të kryetarit të Konferencës ipeshkvnore, kryeipeshkvit të Los Angeles Gomez, e përgëzuan kandidatin demokratik, si fitues të zgjedhjeve, duke kujtuar se “pas presidentit të ndjerë John F. Kennedy, është kreu i dytë i SHBA-ve, që e deklaron haptazi fenë katolike”:

“Falënderojmë Zotin për bekimin e lirisë - pohoi imzot Gomez - Populli amerikan shprehu vullnetin e tij në këto zgjedhje. Tani është çasti që liderët tanë të bashkohen me frymën e unitetit kombëtar e të jenë gati për të dialoguar e për t’u angazhuar për të mirën e përbashkët.

Si katolikë amerikanë, përparësitë tona  dhe misioni ynë, janë të qarta. Jemi këtu për të ndjekur Jezu Krishtin, për të dëshmuar dashurinë e tij në jetët tona dhe për të ndërtuar mbretërinë e Tij mbi tokë. 

Besoj se në këtë çast të historisë së SHBA.-ve, katolikët kanë një detyrë të veçantë: të punojnë për paqen, të nxisin vëllazërimin dhe besimin reciprok e të luten për një frymë të re patriotizmi në vendin tonë”.

Mesazhi urues i kryetarit të ipeshkvijve amerikanë përfundon kështu: “I lutemi Zojës së Bekuar, Pajtore e këtij kombi të madh, të ndërmjetësojë për ne. Na ndihmoftë  të punojmë të bashkuar për të realizuar  vizionin  e bukur të misionarëve dhe themeluesve të SHBA-ve: një komb pranë Zotit, ku mbrohet shenjtëria e çdo jete njerëzore e garantohet liria e ndërgjegjes dhe e fesë”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco