‘Koronavirusi është më pak vdekjeprurës se gripi’/ Si u censurua Trump

‘Koronavirusi është më pak vdekjeprurës se gripi’/ Si u censurua Trump

20:13, 06/10/2020

Pasi doli nga spitali dhe hoqi maskën në mënyrë demonstrative, presidenti Donald Trump u kërkoi amerikanëve që të mos kenë frikë nga koronavirusi.

Pak më vonë, ai postoi edhe një mesazh në rrjetet sociale, ku deklaron se virusi nuk është aq vdekjeprurës.

“Sezoni i gripit po vjen. Shumë njerëz, çdo vit, ndonjëherë mbi 100 mijë, vdesin nga gripi, pavarësisht vaksinës. A do të mbyllim vendin tonë? Jo, ne duhet të mësojmë të jetojmë me të, siç po mësojmë të jetojmë me Covid, që për shumicën e popullsisë nuk është kaq vdekjeprurës,” shkruan Trump.

Mesazhi i tij u përhap me shpejtësi, por po kaq shpejt reaguan edhe rrjetet sociale.

Facebook e fshiu këtë postim. Kurse Twitter e fshehu pas një paralajmërimi se përhap informacion të pasaktë dhe që mund të sjellë dëme.

Akoma nuk dihet me saktësi se sa është shkalla e vdekshmërisë së koronavirusit në krahasim me gripin. Disa ekspertë sugjerojnë se mund të jetë disa herë më e lartë.

Pasi iu fshi mesazhi, presidenti kujtoi ligjin që thekson se rrjetet sociale nuk janë përgjegjëse për përmbajtjen e postuar nga përdoruesit.

Trump ka në plan që të zhbëjë këtë ligj, duke i ekspozuar në këtë mënyrë kompanitë e medieve sociale përballë padive për përmbajtjen që postohet online.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco