Dhjetëra institucione 'fantazëm' në Maqedoninë e Veriut

Dhjetëra institucione 'fantazëm' në Maqedoninë e Veriut

09:09, 06/10/2020

Shkup - Në bazë të të dhënave nga raporti i Ministrisë së Shoqërisë Informative në vitin 2019, në Maqedoninë e Veriut veprojnë 14 institucione të cilat nuk kanë asnjë të punësuar apo drejtues të institucionit.

Problem mbetet se edhe pse këto institucione janë të mbyllura dhe nuk kanë të punësuar, thithin mjete nga buxheti i pushtetit qendror apo atij lokal.

Një nga ata është dhe shtëpia e studentëve “Done Bozhinovski” në Probishtit, qytet ky në juglindje të vendit, e cila është mbyllur pasi nuk ka pasur asnjë nxënës apo student të interesuar për të qëndruar në të.

Megjithatë, edhe pse ky institucion është mbyllur, në bazë të të dhënave të “Financa të hapura” nga arka e komunës gjatë vitit të kaluar në llogarinë e këtij institucioni janë transferuar 9 mijë e 500 euro.

Edhe Inspektorati për përdorimin e gjuhëve, institucion ky që në bazë të të dhënave të Ministrisë së Shoqërisë Informative vitin e kaluar nuk ka pasur asnjë të punësuar, i janë transferuar honorarë për 7 përkthyes në vlerë prej 200 deri në 500 euro.

Pa asnjë të punësuar është dhe Komisioni shtetëror për mbrojtje nga diskriminimi, pasi deputetët nuk arritën ujdi për dy vite që të zgjedhin anëtarët e komisionit në fjalë, njofton Zhurnal.

Po ashtu, pa asnjë të punësuar janë dhe dy institucionet e formuara nga komuna e Shtipit dhe ajo e Prilepit, “ENEGRO Shtip” dhe “ENEGRO Prilep”, të cilat është dashur të projektojnë studime për rrjedhën e trajektoreve të gazit natyror, që do të furnizojë këto dy komuna.

Në Maqedoninë e Veriut si “fantazëm institucion” ka vepruar dhe Agjencia Kombëtare për Teknologji Nukleare e formuar në vitin 2010, e cila në bazë të dokumentacionit pë themelimin e këtij institucioni kishte për qëllim për bashkëpunim më të ngushtë me institucionet relevante.

Në bazë të raportit të Ministrisë së Shoqërisë Informative, janë regjistruar 10 institucione që kanë vetëm një të punësuar, përkatësisht drejtuesin e këtij institucioni, ndërkohë që 150 institucione të cilat thithin mjete nga buxheti i shtetit kanë nga 1 deri në 10 të punësuar.

Zëvendëskryeministri i ngarkuar për luftën kundër korrupsionit Lupço Nikollovski, tha se në vend ekzistojnë shumë institucione të cilat janë jofunksionale.

Nikolloski ka theksuar se më në fund duhet të vendoset një rend në të gjitha institucionet, me atë që institucionet për të cilat nuk ka nevoja të mos ekzistojnë fare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco