Komisioni që mbikëqyr debatet presidenciale në SHBA tha se do të ndryshojë formatin për të garantuar që dy përballjet e tjera televizive mes Donald Trump dhe Joe Biden të zhvillohen në mënyrë më të rregullt.
Një prej masave të reja mund të jetë fikja e mikrofonit nëse kandidatët ndërpresin njëri-tjetrin. Tonet dhe taktikat e debatit të parë mes pretendentëve për Shtëpinë e Bardhë u kritikuan ashpër, brenda dhe jashtë vendit.
Debati e bëri të qartë se një strukturë shtesë duhet t’i shtohet formatit të përballjeve të mbetura televizive për të garantuar një diskutim më të rregullt lidhur me çështjet.
Presidenti Donald Trump i ndërpreu në mënyrë të vazhdueshme fjalën rivalit demokrat në duelin e parë televiziv, duke çuar në shkëmbime kaotike dhe fyerje të ndërsjellta. Trump vuri në dyshim inteligjencën e Biden, ndërsa ky i fundit e quajti kreun e Shtëpisë së Bardhë një palaço dhe i tha të “mbyllte gojën”.
Fushata e Trump, e cila, i përkufizoi skenat kaotike të së martës si “shkëmbim të lirë idesh”, kritikoi planin e komisionit të debateve për ndryshim të rregullave.
© SYRI.net