Pompeo me Mitsotakis viziton bazën detare të Kretës, protesta në Selanik kundër 'skifterit të luftës'

Pompeo me Mitsotakis viziton bazën detare të Kretës, protesta në Selanik kundër 'skifterit të luftës'

11:17, 29/09/2020

Pompeo viziton bazën detare të Kretës në Greqi

Sekretari i Shtetit i SHBA, Mike Pompeo, vizitoi një bazë detare të SHBA-së në Gjirin Souda në ishullin  grek të Kretës të martën, përpara takimit me kryeministrin e Greqisë, në ditën e dytë të vizitës së tij në këtë vend.

Pompeo e filloi turneun e tij pesëditor rajonal, në qytetin e Selanikut, ku u takua me Ministrin e Jashtëm grek Nikos Dendias dhe diskutoi çështje, përfshirë një përshkallëzim të ashpër të fundit të tensioneve midis Greqisë dhe Turqisë në Mesdheun lindor.

Pompeo tha se Uashingtoni do të përdorë ndikimin e tij diplomatik dhe ushtarak në rajon për të lehtësuar mosmarrëveshjen mbi kufijtë detarë dhe të drejtat e kërkimit të burimeve të gazitë midis dy fqinjëve dhe aleatëve të NATO-s.

Shtetet e Bashkuara dhe Greqia "përsëritën përkushtimin e tyre për të zgjeruar bashkëpunimin e tyre të ngushtë si aleatë të NATO-s, duke përdorur të gjitha mjetet e duhura në dispozicion të tyre, në mënyrë që të ruajnë stabilitetin dhe sigurinë në rajonin e gjerë", thanë të dy vendet në një deklaratë të përbashkët pas takimit në Selanik.

Marrëdhëniet greko-turke u përkeqësuan ndjeshëm këtë vit, duke çuar në frikën se mosmarrëveshja mund të çojë në konflikt të hapur.

Turqia dërgoi një anije kërkimore, të shoqëruar nga anije luftarake, për të gjetur burime energjetike në një zonë që Greqia pretendon se është në shelfin e saj kontinental dhe ku pretendon të drejtat ekskluzive ekonomike. Athina dërgoi anije luftarake të saj në zonë.

Anëtarët e Bashkimit Evropian do të diskutojnë vendosjen e sanksioneve të mundshme ndaj Turqisë për veprimet e saj gjatë kësaj jave.

Sidoqoftë, tensioni është lehtësuar disi ditët e fundit dhe Pompeo mirëpriti një vendim nga të dy palët për të rifilluar bisedimet, duke thënë se mosmarrëveshjet detare duhet të zgjidhen përmes dialogut, jo demonstrimeve të fuqisë.

Mes tensionit me Turqinë, Greqia ka njoftuar blerje të mëdha armësh, duke përfshirë avionë luftarakë nga Franca, si dhe anije luftarake, helikopterë dhe sisteme armësh.

Tetorin e kaluar, Pompeo vizitoi Athinën dhe nënshkroi një marrëveshje të rishikuar të bashkëpunimit të mbrojtjes me Greqinë që parashikonte rritjen e veprimtarisë së përbashkët SHBA-Greqi dhe NATO.

Pompeo shkoi me avion në Kretë të hënën në mbrëmje dhe e  kaloi natën në shtëpinë e Kryeministrit Kyriakos Mitsotakis. Të dy ishin planifikuar të takoheshin për bisedime të martën në mëngjes pas vizitës në gjirin e Souda dhe një fregate greke.

Rreth 1,500 njerëz në Selanik protestuan për vizitën e Pompeo të hënën në mbrëmje, duke mbajtur tabela me shkrim "Skifteri i luftës nuk është i mirëpritur në vendin tonë", dhe "Vrasësit e popujve nuk janë të mirëpritur". Një protestë më e vogël u mbajt gjithashtu në kryeqytetin grek, Athinë. Protestat u organizuan nga grupe të majta dhe Partia Komuniste.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco