Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të zhvillojë bisedime urgjente prapa dyerve të mbyllura për konfliktin mes forcave të Armenisë dhe Azerbajxhanit në rajonin Nagorno-Karabak, ku luftimet vazhduar edhe në mbrëmjen e së hënës.
Takimi do të mbahet në orën 17 sipas kohës lokale. Belgjika e kërkoi formalisht këtë takim pasi futjen e tij në agjendë më parë e kërkuan Franca dhe Gjermania, shkruan The Guardian.
Estonia, anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit, që të dielën e theksoi nevojën për bisedime të tilla pas shpërthimit të dhunës vdekjeprurëse në rajonin separatist.
Diplomatët thanë se edhe Britania iu bashkua këtyre vendeve për fillimin e këtyre bisedimeve dhe se në fund të bisedimeve mund të lëshohet një deklaratë e përbashkët.
Forcat armene dhe azere luftuan për rajonin separatist të Nagorno-Karabakut për të dytën ditë me radhë të hënën. Dhjetëra ushtarë dhe disa civilë janë vrarë, ndërsa palët e fajësuan njëra-tjetrën për nisjen e sulmeve.
Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha se luftimet kanë vazhduar edhe gjatë natës, duke shtuar se forcat armike janë përpjekur t’i rikthejnë nën kontroll zonat që i kanë humbur më herët.
© SYRI.net