Gjykatësja Ginsburg, e para grua që nderohet me homazhe shtetërore në Kongresin amerikan

Gjykatësja Ginsburg, e para grua që nderohet me homazhe shtetërore në Kongresin amerikan

22:35, 25/09/2020

Pasi Kryetarja e Dhomës Nancy Pelosi tha se kishte "nderin e lartë të mirëpriste gjykatësen Ruth Bader Ginsburg që t’i bëheshin homazhe shtetërore në Kongresin e Shteteve të Bashkuara", rabinia Lauren Holtzblatt mbajti eulogjinë.

"Gjatë gjithë ditëve të jetës së saj ajo ndoqi drejtësinë. Edhe e sëmurë, ajo ndryshoi kursin e ligjit amerikan," tha Holtzblatt. "Dhe edhe kur pikëpamjet e saj nuk fituan, ajo nuk e ndali luftën".

Arkivoli i zonjës Ginsburg arriti nga selia e Gjykatës së Lartë tek sheshi para Kongresit.

Pasi arkivoli u zhvendos brenda, në sallë u mbajt një ceremoni private për familjen e saj dhe të ftuarit, ku arkivoli i saj u vendos mbi të njëjtën platformë druri të ndërtuar për arkivolin e Presidentit Abraham Lincoln pas vrasjes së tij në 1865.

Edhe kandidatja për nënpresidente, senatorja Kamala Harris, bëri homazhe në ceremoninë kur mori pjesë një numër i kufizuar të ftuarish për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Ligjvënësit që nuk u ftuan në ceremoninë private do të mund të bëjnë nderimet e tyre deri në mbrëmjen e së premtes.

Gjykata e Lartë tha përmes një deklarate, se zonja Ginsburg, e cila është gjithashtu personi i parë hebre që nderohet me homazhe shtetërore në Kapitol, do të varroset javën e ardhshme në një ceremoni private në Varrezën Kombëtare të Arlingtonit.

Arkivoli i saj ishte vendosur për dy ditë në Gjykatën e Lartë për homazhe.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe gruaja e tij, Melania, shkuan të enjten në Gjykatën e Lartë për të shprehur nderimet për anëtaren e gjykatës më të lartë të vendit Ruth Bader Ginsburg, e cila vdiq të premten e kaluar.

Presidenti, i cili kishte vënë maskë, nuk bëri komente ndërsa qëndroi para arkivolit të zonjës Ginsburg, vendosur para ndërtesës së gjykatës.

Ai u prit me reagime pakënaqësie nga njerëzit që kishin shkuar të nderonin gjykatësen dhe me thirrjet “votoni kundër tij”.

Nënpresidenti Mike Pence i bëri nderimet për zonjën Ginsburg në Gjykatën e Lartë të mërkurën.

Zonja Ginsburg u nderua të mërkurën me një ceremoni private në Sallën e Madhe të Gjykatës së Lartë, ku morën pjesë familja e saj dhe kolegët e saj anëtarë të gjykatës. Arkivoli i saj u zhvendos më pas para Gjykatës, që publiku të mund të shprehte nderimet deri të enjten në mbrëmje.

Ikona e të drejtave civile Rosa Parks u vendos për nderime në Rotundën historike të Kapitolit pas vdekjes së saj në 2005, një nder që bëhet për qytetarët e shquar.

Zonja Ginsburg vdiq të premten e kaluar në moshën 87 vjeçare nga kanceri i pankreasit, duke mbyllur një mandat 27-vjeçar në gjykatën më të lartë të vendit. Statusi i saj si udhëheqëse e pakicës liberale të gjykatës, së bashku me punën e saj para se të bëhej anëtare, për barazi ligjore për gratë dhe vajzat në të gjitha sferat e jetës së Amerikës, e bëri atë një ikonë kulturore, duke i dhënë asaj pseudonimin "RBG e famshme”.

Vdekja e saj ka ndezur një betejë politike rreth zëvendësimit të saj. Zoti Trump dhe Republikanët e Senatit u zotuan të emërojnë dhe konfirmojnë një anëtare të re të gjykatës, para zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, e cila do t'i jepte gjykatës një shumicë të konsoliduar konservatore 6-3. Presidenti Trump njoftoi të martën se do të emërojë kandidaten e tij për postin e përjetshëm të shtunën

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco