Dialogu Strategjik Katar-SHBA në Uashington, dëshmi e marrëdhënieve midis dy vendeve

Dialogu Strategjik Katar-SHBA në Uashington, dëshmi e marrëdhënieve midis dy vendeve

12:57, 15/09/2020

Të hënën u zhvillua në Uashington sesioni i tretë i Dialogut Strategjik Katar – SHBA. Me këtë rast, Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Katarit, Sheik Mohammed bin Abdulrahman Al Thani deklaroi se mbajtja e këtij sesioni është dëshmi e lulëzimit të marrëdhënieve midis dy vendeve. Sipas tij, krahas miqësisë së ngushtë që lidh dy vendet, një kontribut thelbësor në këtë drejtim ka dhe angazhimi i përbashkët mes Emirit të Katarit, HH Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani dhe Presidentit të SHBA, Donald Trump për zgjerimin e fushave të bashkëpunimit. ‘Zhvillimi shumë i rëndësishëm në Afganistan është shembulli më i fundit i ndërveprimit të ngushtë midis dy vendeve tona në nivelin politik’ - tha ai.

Në fjalën e mbajtur gjatë seancën hapëse të sesionit, Ministri i Jashtëm Katarian deklaroi: ‘Në këtë sesion të tretë të dialogut strategjik, ne jo vetëm po forcojmë bashkëpunimin ekzistues ekonomik, ushtarak dhe të sigurisë, por kemi përfshirë dhe fusha të tjera po aq të rëndësishme, siç është arsimi, kultura dhe progresi’. Ai theksoi se ky takim përfaqëson një tjetër moment të rëndësishëm në marrëdhëniet e thella historike midis Shtetit të Katarit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Al Thani vuri në dukje se nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit për ‘Vitin e Kulturës Katar – SHBA 2021’ dhe Memorandumit të Mirëkuptimit me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), si dhe mbështetja e Katarit për bursat Fulbright, dëshmojnë se si një vend i vogël si Katari mund të kontribuojë në mënyrë konstruktive në bashkëpunim, në raport të zhdrejtë me përmasat e tij, pavarësisht sfidave unike rajonale që ky shtet ka menaxhuar me sukses gjatë tri viteve të fundit.

‘Përveç mbështetjes sonë për shumë shtete dhe qytete të SHBA-së në luftën kundër pandemisë COVID-19, diapazoni i gjerë i bashkëpunimit i demonstruar gjatë dialogut strategjik e bën të qartë afinitetin e fortë të Katarit me popullin amerikan. Katari nuk e sheh SHBA-në thjesht si një partner, por si një aleat dhe mik’ – shtoi ai.

Al Thani tha se ‘Partneriteti ynë tregtar mbetet i fuqishëm dhe është vërtet më i fortë se kurrë’. Në këtë drejtim, ai theksoi se Katari ka investuar më shumë se 200 miliardë dollarë në ekonominë amerikane dhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë një investitor integral në zhvillimin e Katarit, duke nënvizuar se ky investim i përbashkët përkthehet në dhjetëra mijëra vende pune dhe mundësi për të ndryshuar jetën e popujve tanë.

Image

‘Ne shpresojmë t’i zgjerojmë këto marrëdhënie, përmes eventeve të ardhshme të promovimit të tregtisë dhe investimeve’- tha ai. Këto evente, do të përfshijnë panaire të hapura përgjatë vitit 2021, me pjesëmarrjen e delegacioneve të shumta në disa qytete të SHBA, për të eksploruar zhvillimin e partneritetit në teknologji, investime, energji dhe fusha të tjera.

‘Në të ardhmen, presim të diskutojmë çështje me interes të përbashkët dhe të riafirmojmë angazhimin tonë për të thelluar partneritetin në fusha gjithashtu me interes të përbashkët politik dhe rajonal. Sikurse do të diskutojmë një sërë çështjesh të mbrojtjes dhe sigurisë, mundësitë për bashkëpunim rajonal, si dhe mekanizmat për mposhtjen e kërcënimeve malinje të paraqitura kundër nesh’.

Ministri i Jashtëm pohoi se Katari dhe SHBA bien dakord që kërcënimet e tilla janë disa nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet sot vizioni i përbashkët i të dy palëve për të promovuar paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në rajonin e Lindjes së Mesme në përgjithësi.

Sipas tij, Katari dhe SHBA janë në ballë të partnerëve të koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit dhe do të vazhdojnë të forcojnë koordinimin e të rrisin bashkëpunimin në mënyrë që reflekton të gjitha vlerat e përbashkëta e që rrjedhin nga e drejta ndërkombëtare dhe standardet e sigurisë.

‘Përpjekjet tona dhe përparimi i madh në respektimin e garancive të ndërsjella dhe në punën për të neutralizuar kërcënimin e terrorizmit kontribuojnë shumë për ta bërë botën më të sigurt’ – shtoi ai, duke vënë në dukje se dëshmia më e qartë për këtë është progresi i jashtëzakonshëm i arritur për vendosjen e paqes në Afganistan. ‘Nisja së fundmi e bisedimeve drejt pajtimit, të cilat Katari është i lumtur t’i presë, përfaqëson një arritje historike’, ndërsa duke iu drejtuar Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo i tha ‘Sekretar Pompeo, Katari vlerëson udhëheqjen tuaj të kësaj sfidë’.

Al Thani konsideroi se përparimi i arritur në bisedimet e paqes në Afganistan reflekton gjithashtu përpjekjet e vazhdueshme të SHBA për të arritur paqen në Lindjen e Mesme si një e tërë. Në këtë kontekst, ai shprehu vlerësimin e Katarit për angazhimin e vendosur të SHBA-së për paqen në rajon dhe u shpreh i lumtur për bashkëpunimin e ngushtë e të vazhdueshëm midis dy vendeve në realizimin e këtij qëllimi të rëndësishëm.

Zyrtari i lartë katarian vlerësoi se zhvillimet rreth Afganistanit janë shembulli më i ri i ndërveprimit të ngushtë midis dy vendeve në nivel politik. Ai shtoi se ata përballen me çështje të rëndësishme jo vetëm për të dy vendet, por edhe për stabilitetin më gjerë në Lindje të Mesme dhe rajonet fqinje. ‘Pavarësisht nga sfidat rajonale, përfshirë bllokadën e vazhdueshme kundër Katarit, bashkëpunimi midis dy vendeve është forcuar vazhdimisht që nga zhvillimi i Dialogut të parë Strategjik Katar-SHBA’ - shtoi ai.

Më tej ai falënderoi SHBA-në për mbështetjen që i jep rolit ndërmjetësues të Kuvajtit për të hequr bllokadën ndaj Katarit, në respektim të sovranitetit dhe pavarësisë së tij, duke theksuar se politika e jashtme e Katarit pasqyron vlerat e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit, të cilat janë elementët që përfaqësojnë vlerat e tij kombëtare.

‘Mbështetur në këto vlera, Katari qëndron i palëkundur dhe i fuqishëm pasi forcoi marrëdhëniet e tij me komunitetin ndërkombëtar në nivele të padëshmuara më parë’, vuri në dukje Zv. Kryeministri katarian, ndërsa shtoi se qëllimi i përbashkët i të dy vendeve është thellimi i lidhjeve strategjike dhe forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në fushat me interes më të lartë praktik për të dy palët.

Në mbyllje të fjalës së tij, ai theksoi se Shteti i Katarit mirëpret zhvillimin e sesionit të katërt të dialogut strategjik vitin e ardhshëm në Doha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco