‘Vrisni kë të shihni, të rritur e fëmijë’/ Dëshmi tronditëse nga mizoritë kundër myslimanëve në Mianmar

‘Vrisni kë të shihni, të rritur e fëmijë’/ Dëshmi tronditëse nga mizoritë kundër myslimanëve në Mianmar

21:28, 11/09/2020

Dy ushtarët rrëfejnë krimet e tyre me një zë monoton, ku disa përpëlitje sysh janë emocioni i vetëm që i tradhton: ekzekutime, varre masive, fshatra të kthyera në hi e përdhunime.

Urdhri i gushtit 2017 nga komandanti ishte i qartë, thotë ushtari Myo Win Tun në dëshminë e tij në video: “Vrisni këdo shihni e dëgjoni”.

Ai thotë se u bind ndaj urdhrit, duke marrë pjesë në masakrimin e 30 myslimanëve Rohingia që u varrosën në një varr masiv pranë një kulle celulari të një baze ushtarake.

Rreth së njëjtës kohë, në një qytet aty pranë, ushtari Zaw Naing Tun thotë se ai dhe shokët e tij në një tjetër battalion, zbatuan një urdhër thuajse identik nga eprori i tij: “Vrisni këdo që të shihni, të rritur apo fëmijë”.

“Rafshuam rreth 20 fshatra”, thotë Zaw Naing Tun, duke shtuar se edhe ai hodhi trupa në një varr masiv.

Dëshmia e filmuar e dy ushtarëve, regjistruar nga një milici rebele, është hera e parë që anëtarë të Tatmadaw, siç njihet ushtria e Mianmarit, rrëfejnë hapur se kanë marrë pjesë në atë që zyrtarë të OKB-së e quajnë fushatë genocidi kundër pakicës etnike të besimit islam Rohingia.

Të hënën, dy ushtarët që ikën nga Mianmari muajin e kaluar, u çuan në Hagë, ku Gjykata Penale Ndërkombëtare ka hapur procesin për të vërtetuar nëse liderët e Tatmadaw kanë kryer krime në shkallë të gjerë kundër Rohingiave.

Mizoritë e përshkruara nga dy ushtarët u bëjnë jehonë abuzimeve të dëshmuara nga më tepër se një milion refugjatë Rohingia, që tani kanë gjetur strehë në Bangladeshin fqinjë.

Dallimi qëndron në atë që, dëshmia tani vjen nga autorët e jo nga viktimat.

“Ky është një moment monumental për Rohingiat dhe popullin e Mianmarit në luftën për drejtësi”, thotë Matthew Smith, shef ekzekutiv në Fortify Rights, një organizatë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Këta mund të jenë autorët e parë të krimeve nga Mianmari, që gjykohen në Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe dëshmitarët e parë të brendshëm që janë nën autoritetin e gjykatës”.

Fshatarë të shumtë kanë konfirmuar në mënyrë të pavarur vendndodhjen e varrezave masive që treguan dy ushtarët, ndërkohë që qeveria e Mianmarit e ka mohuar ekzistencën e tyre.

Krimet e treguara nga ushtarët, 150 civilë të vrarë dhe duzina fshatrash të shkatërruara, janë vetëm një pjesë e fushatës së gjatë të Mianmarit kundër komunitetit Rohingia.

Masakrat kundër tyre që kulmuan më 2017, shkaktuan një nga eksodet më të shpejtë të refugjatëve në botë. Brenda pak javëve, tre çerek milioni njerëz pa shtet u shkulën nga shtëpitë e tyre në Rakhine, shtet perëndimor në Mianmar, teksa forcat e sigurisë sulmuan fshatrat e tyre me pushkë, hanxharë e flakëhedhës.

Pleqve u prenë kokat, vajzat e reja u përdhunuan, duke ua lidhur sytë me shamitë e kokës, sipas të mbijetuarve dhe dëshmitarëve.

Doctors Without Borders vlerëson se të paktën 6700 Rohingia, përfshirë 730 fëmijë, pësuan vdekje të dhunshme nga fundi i gushtit deri në fund të shtatorit 2017.

Rreth 200 fshatra u fshinë nga faqja e dheut nga 2017 deri më 2019, thotë OKB.

Qeveria e Mianmarit ka mohuar  të ketë fushata të orkestruara kundër Rohingiave. Dhjetorin e kaluar, Daw Aung San Suu Kyi, lideri civil i vendit, e mbrojti Mianmarin kundër akuzave për genocid, në Gjykatën ndërkombëtare të Drejtësisë, në Hagë.

Një fituese e çmimit Nobel për Paqen, Aung San Suu Kyi, e njollosi veprën e saj me përkrahjen për ushtarakët dhe me refuzimin për të dënuar persekutimin e Rohingiave.

Vetëm pak ushtarë janë ndëshkuar me burgosje afatshkurtra, për raste të izoluara sipas ushtrisë, në disa fshatra.

Ndonëse komuniteti Rohingia është nga Shteti Rakhine në Mianmar, qeveria thotë se ata janë endacakë të huaj. Zyrtarë të Mianmarit thonë se Rohingiat i dogjën vetë fshatrat për të fituar simpati ndërkombëtare. Por, dëshmitë e dy ushtarëve e hedhin poshtë versionin zyrtar.

Nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me ata të dy, të cilët nuk janë të arrestuar por efektivisht ndodhen nën autoritetit e Gjykatës Penale Ndërkombëtare që nga e hëna. Ata mund të dëshmojnë në gjyq e të vihen nën mbrojtje. Mundet edhe të gjykohen. Gjykata e prokurorët nuk japin detaje, por dy persona të afërt me hetuesit, thanë se dy ushtarët janë pyetur gjatë nga zyrtarët e gjykatës në javët e fundit.

Gjykata Penale Ndërkombëtare normalisht gjykon figura të nivelit të lartë të akuzuar për krime të rënda, si genocidi apo krimet kundër njerëzimit, jo zyrtarë të vegjël apo ushtarë.

Payam Akhavan, një avokat kanadez që përfaqëson Bangladeshin në një gjyq kundër Mianmarit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, nuk bëri komente për identitetin e tyre, por bëri thirrje për vënie para përgjegjësisë për të parandaluar mizori të tjera në të ardhmen, kundër 600 mijë Rohingiave që mbeten në Mianmar.

“Mosndëshkimi nuk është opsion”, tha Akhavan. “Pak drejtësi është më mirë se sa aspak drejtësi”.

Pasi ushtarët i hodhën trupat e të vrarëve në dy varre masive, ata i mbuluan varret me buldozerë, sipas dëshmitarëve. Ushtari Myo Win Tun tregon se ai dhe të tjerët varrosën tetë gra, shtatë fëmijë dhe 15 burra në një varr. Teksa sulmonin përmes fshatrave, Myo Win Tun, 33 vjeç, duket se e ka humbur konceptin se sa Rohingia ka vrarë batalioni i tij. 60 apo 70? Ndoshta më tepër?

“Ne shtinim kundër të gjithëve, pa bërë dallim”, thotë në video-dëshminë e tij. “I qëllonim në kokë dhe i shtynim me shqelma trupat në varr”.

Ai tregon edhe se ka përdhunuar një grua.

Ushtari Zaw Naing Tun, 30 vjeç, thotë se ai dhe katër anëtarë të batalionit të tij vranë shtatë Rohingia në Zin Paing Nyar. Ata kapën 10 burra të paarmatosur, i lidhën me litarë, i vranë e i varrosën në një varr masiv. Ai thotë se nuk ka kryer dhunë seksuale, pasi ishte tepër i ulët në rang për të marrë pjesë. Ai bënte roje teksa të tjerët përdhunonin gratë Rohingia.

Të dy ushtarët që pranojnë vrasjen e Rohingiave janë edhe vetë anëtarë të pakicave etnike, në një vend ku persekutimi i grupeve të tillë është i institucionalizuar.

Gjatë këtij viti, ata ranë në duart e Ushtrisë Arakan, një milici etnike Rakhine që lufton kundër Tatmadaw, e cila regjistroi dëshmitë në video. Të dy ushtarët thanë se kishin dezertuar nga Tatmadaw.

Dezertimet janë problem i veçantë në zonat e konflikteve midis pakicave etnike. Rreth 60 ushtarë besohet të kenë ikur nga ‘Batalioni i Këmbësorisë së Lehtë 565’.

“Më diskriminonin për shkak të racës”, thotë Myo Win Tun, anëtar i grupit etnik Shanni, në një shpërthim të rrallë emocionesh.

Më vonë, tregoi me zë të shuar se si komandanti i tij, Kolonel Than Htike, urdhëroi batalionin të “shfaroste” Rohingiat.

“Jam përfshirë në vrasjen e 30 burrave, grave e fëmijëve të pafajshëm myslimanë, të varrosur në një varr”, thotë teksa qëndron stoikisht para kameras./ nytimes/

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco