Merret vendimi historik/ Rregullat e FIFA-s shkelin ligjet e Bashkimit Europian

Merret vendimi historik/ Rregullat e FIFA-s shkelin ligjet e Bashkimit Europian

11:15, 04/10/2024

 

Rregullat e FIFA-s për transferimin e lojtarëve shkelin ligjet e Bashkimit Europian. Ky është vendimi që mori këtë të premte gjykata më e lartë e BE-së, gjatë shqyrtimit të një padie të bërë ndaj organizmit më të lartë të futbollit botëror nga ish-mesfushori i Francës, Lassana Diarra.

“Rregullat në fjalë janë të atilla që pengojnë lëvizjen e lirë të futbollistëve profesionistë që duan të zhvillojnë aktivitetin e tyre duke punuar për një klub të ri”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian, me seli në Bruksel.

Rregullorja e FIFA-s për Statusin dhe Transferimin e Lojtarëve thotë që një lojtar i cili ndërpret kontratën para kohe me një klub “pa arsye të drejtë” detyrohet t’i paguajë kompensim klubit dhe nëse do të transferohet në një klub tjetër, të dy palët duhet të paguajnë kompensim.

Çfarë ka ndodhur me Lassana Diarra?

Sistemi ndërkombëtar i transferimeve, në të cilin qarkullojnë qindra miliona euro çdo vit gjatë shitblerjeve të lojtarëve, ekziston në formën që është tani, që prej vitit 2001 dhe mbikëqyret nga FIFA. Por Diarra sfidoi organizatën kur e paditi në një gjykatë blege në vitin 2017 për shkak se nuk miratoi transferimin e tij te një klub i ri, pasi ai ekzistues, Lokomotiva e Moskës, i kishte ndërprerë kontratën.

Sipas rregullave të FIFA-s, nëse një lojtar kryen shkelje kontrate dhe më pas ajo ndërpritet nga klubi, skuadra e tij e re mund ta regjistrojë lojtarin vetëm nëse kompenson të vjetrën.

Ky rregull u aktivizua kur klubi belg, Charleroi u përpoq të nënshkruante me Diarra pasi kontrata e tij me klubin rus u ndërpre në vitin 2014.

FIFA nuk pranoi të lëshonte një Certifikatë Ndërkombëtare Transferimi, duke mos lejuar Charleroi të regjistronte Diarra-n në Federatën Belge të Futbollit. Në prill 2015, Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve në FIFA urdhëroi Diarra-n t’i paguante 10 milionë euro Lokomotivës së Moskës. Por duke qenë se në atë moment mesfushori francez ishte pa skuadër, gjykata vendosi edhe që cilido klub i ardhshëm që mund të nënshkruante me të, nuk kishte detyrime ndaj skuadrës ruse dhe Diarra nënshkroi me Marseille.

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv refuzoi apelimin e Diarra-s për vendimin e FIFA-s, por lojtari hodhi në gjyq FIFA-n dhe Federatën Belge të Futbollit në një gjykatë belge, duke kërkuar 6 milionë euro dhe dëmshpërblime të tjera, pasi asnjë klub i interesuar për të në sezonin 2014-2015 nuk i ofroi kontratë për shkak të detyrimeve ndaj Lokomotivës.

Gjykata belge kërkoi udhëzime nga Gjykata e Drejtësisë e BE-së dhe vendimi që u mor këtë të premte rrëzon poshtë të gjithë skemën e FIFA-s.

Sipas, juristit polak Maciej Szpunar, Avokatit të Përgjithshëm të Gjykatës - një post i ngjashëm me atë të Avokatit të Popullit - Gjykata duhet të mbajë anën e lojtarit. “Disa nga rregullat e FIFA-s për transferimet e lojtarëve mund të bien ndesh me ligjet e BE-se. Këto rregulla janë kufizuese dhe mund të justifikohen në rrethana specifike”, shkroi ai në opinionin e tij për gjykatën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco