Lajmi i fundit

Adi Krasta në 'A Show'

Zyrtare/ Ilir Daja rikthehet pas 13 vitesh te Dinamo, synimi është Europa!

Zyrtare/ Ilir Daja rikthehet pas 13 vitesh te Dinamo, synimi është Europa!

10:45, 12/09/2024

Nuk është më spekulim, por lajm zyrtar. Pasi largimit nga Ballkani, ku shkroi historinë e klubit kosovar, trajneri Ilir Daja tashmë është rikthyer në kampionatin shqiptar. Daja ka firmosur me klubin Dinamo City, duke u rikthyer kështu pas plot 13 vitesh në ekipin ku dikur shpallej kampion Shqipërie.

Tekniku ka zëvendësuar Dritan Mehmetin. Synimet e Dinamo City janë të bëra publike me kohë: një vend në Kupat e Europës dhe titulli kampion, me trofeun e fundit të Superiores që është fituar pikërisht në kohën kur 57-vjeçari drejtonte Dinamon.

Daja vjen pas një aventure fantastike në futbollin e Kosovës, ku me Ballkanin ia doli të fitonte 3 herë titullin kampion, një kupë dhe një Superkupë. Ai gjithashtu arriti fazën e grupeve të Conference League.

Daja, një lëvizje e guximshme në këtë moment për të kaluar nga Ballkani te Dinamo?
Trajnerët janë, siç thuhet, me valixhe në dorë, pavarësisht se valixhen e mora vetë. Patëm një sukses të madh me Ballkanin, me fitimin e titujve dhe dy herë pjesëmarrje në grupet e Ligës së Konferencës. Ishte një periudhë me suksese, mbaroi një cikël, sepse u larguan lojtarët që ishin këto tre vjet dhe filloi një cikël i ri. Tani fillon një cikël i ri te Dinamo. Gjithmonë atje ku shkon ka vështirësi, edhe koha nuk është shumë e përshtatshme, një trajner është më komod kur e nis në fazë përgatitore. Përshtatja do të bëhet gradualisht, me qëllimin për t’u bërë sa më shpejt, sepse kampionati është në vazhdim. Përveç përshtatjes time me ekipin, apo ekipit me mua, duhet të marrim edhe pikët, sepse ato nuk kthehen më.

Si e gjeni Dinamon pas kaq shumë vitesh?
E gjej me një kompleks goxha të mirë. Për më shumë se një dekadë nuk e kishte vendin në aspektin sportiv, si dhe me daljen nga kompleksi i saj. Prapë u takojnë meritat atyre që e kanë rikthyer, me në krye presidentin Bardhi. Përveç investimit për ta kthyer në Superiore, ai ka investuar edhe për shtëpinë e Dinamos. Edhe sot është një kantier ndërtimi, punohet për ekipin e parë dhe akademinë. E gjej Dinamon në Superiore, ku e ka vendin si ekipi i dytë më i titulluar në vend. Stërvitemi në kushte mjaft të mirë.

E filloni me derbin me Partizanin, një ish-skuadër e juaja?
Na pret një ndeshje e vështirë, sepse Partizani dhe Egnatia janë pretendentë për ta fituar titullin. Edhe vjet e ndanë në finale titullin. Partizani e ka ruajtur boshtin, edhe pse ka pasur largime. Disa lojtarë i kam pasur nën drejtim dhe disa prej tyre kanë aftësi individuale të bëjnë dëm në çdo moment. Kjo gjë e rrit shkallën e vështirësisë. Duhet të jemi të përqendruar në maksimum. Koha në dispozicion ka qenë limituar, duhet kohë që lojtarët dhe trajneri të njihen. Përtej vështirësive, duhet të jemi pragmatistë, nuk duhet të dalim pa pikë nga kjo ndeshje, por verdiktin final e jep fusha.

Me çfarë synimesh personale keni ardhur te Dinamo?
Klube si Dinamo, Tirana apo Partizani gjithmonë nisen me objektiva maksimalë. Pavarësisht se kam një karrierë të gjatë, nuk jam nga ata trajnerë që fluturojnë. Jam me këmbë në tokë. Hapi i parë është që të kthejmë vazhdimësinë dhe kjo bëhet duke prodhuar një lojë të mirë, që do të jetë garant për rezultatet më tej. A do të jetë që në javën e parë. Jam i bindur që jo, do të kemi oshilacione, lojtarët kanë punuar me dy seanca dhe mund të jetë pak të ngarkuar. Ajo që do të na bëjë të kemi rezultatet në vazhdimësi është puna e përbashkët e gjithë faktorëve. Do të bëhet hap pas hapi, por edhe pikët duhet të merren që të jemi në gjendje psikologjike sa më të mirë.

Pavarësisht investimeve, Dinamo ka pasur vështirësi këto tre vjet. Çfarë garancie keni marrë në këtë drejtim?
Dinamo ka ndryshuar kontingjent këto vjet dhe duhet që me politikat e klubit, që i bën presidenti, të krijojmë një grup sa më të stabilizuar. Për këtë ka nisur bashkëpunimi që të afrojmë lojtarë me kontrata afatgjata, jo njëvjeçare. E dyta, është edhe investimi që po bëhet tek akademia, që Dinamo të mos ketë një rezultat momental. Kur ke shtëpinë tënde dhe lojtarët që i rrit vetë, do të thotë që ke një garanci për të ardhmen. Kjo politikë e klubit do na vlente që të mos kemi problemet që ka pasur ekipi vitet e fundit.

Edhe drejtimin e Skënderbeut dhe Ballkanit e keni marrë pasi kishte nisur sezoni…
Ka një ndryshim, Skënderbeun dhe Ballkanin i kam marrë në fazën përgatitore të janarit, kur ke 3-4 javë që të punosh me ekipin. Nuk kam ardhur te Dinamo pa e njohur skuadrën. Shkopin magjik nuk e kam për momentin. Merkaton nuk e bën një trajner, sepse trajnerët shpesh lëvizin dhe ai që vjen thotë që “nuk është skuadra ime”. Merkatoja bëhet nga një grup pune brenda klubit. Edhe pse është mbyllur merkatoja, jemi në procedura për të afruar ndonjë element për ta plotësuar grupin. Ka dhe një zgjidhje tjetër, në momentin që nuk përshtatet grupi me filozofinë e trajnerit, atëherë përshtatet trajneri me grupin. Ajo që mund të premtoj është se do të bëj punë maksimale, pastaj do të shohim ku do të arrijmë. Në futboll nuk kanë unë, por vetëm ne.

Në fundin e merkatos kanë ardhur disa lojtarë që e kanë rritur cilësinë. A e ka Dinamo formatin të fitojë trofe këtë sezon?
Hapi i parë është që të stabilizohemi në tabelën e renditjes dhe në prezantime në lojëra. Kanë ardhur lojtarë, ku secili ka cilësi individuale të mira. Por kur një lojtar që nuk është stërvitur me një ekip muajt e fundit, do kohën e vet që të kthehet në formën fizike më të mirë. Besoj që eksperienca e atyre që kemi marrë, që nga Aliji, lojtar i Kombëtares, Toli që e njeh Superioren, mund të na ndihmojnë, jo me gjendjen më të mirë fizike, por me një minutazh të limituar, me cilësinë dhe eksperiencën që kanë.

Për të dytin sezon radhazi në Superiore aplikohet një formulë, ku titulli vendoset me “Final 4”. Në gjykimin tuaj, si është kjo formulë?
E kam gjetur këtë formulë këtu dhe kur ta provoj në kurriz, do të flas më mirë. Për mendimin tim, ndoshta mund të ishte e njëjta formulë, por e organizuar më mirë. Të mos ishte me ndeshje teke, sepse në një ndeshje mund të kesh lëndime, një virus stine. Egnatia e udhëhoqi gjithë kampionatin, por mund të humbiste titullin. Do të thosha e njëjta formulë, por me më shumë ndeshje në pjesën përfundimtare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco