Lajmi i fundit

Dekonspirimi i operacionit për Çopjat, SPAK sekuestron telefonin e Rrumbullakut dhe disa drejtuesve të policisë

Gjobë 1 milion lekë dhe burg, paralajmërimi për tifozët para Gjeorgjisë: Bëni kujdes edhe me biletat

Gjobë 1 milion lekë dhe burg, paralajmërimi për tifozët para Gjeorgjisë: Bëni kujdes edhe me biletat

10:30, 10/09/2024

Në planin e masave të publikuar nga Policia e Shtetit për ndeshjen e Ligës së Kombeve Shqipëri-Gjeorgji janë renditur rregullat për hyrjen në stadium, por edhe masat ndaj tifozëve në rast të veprimeve të palejuara.

Tifozët, të cilët pritet të jenë rreth 22 mijë mbrëmjen e së martës në Air Albania, do të kalojnë një kontroll të imtësishëm nga policia me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.

Ndërkohë, policia risjell në kujtesë se, “veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj”.

Po ashtu, edhe hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi njerëzit, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Policia tërheq vëmendjen edhe për biletat, duke apeluar tifozët që të jenë vigjilentë për të mos rënë pre e mashtrimit me çmimet, të cilat janë të bëra publike zyrtarisht, si dhe që të mos publikojnë në rrjete sociale biletat e blera, pasi mund të dublikohen në kundërshtim me ligjin. “Çdo biletë është e pajisur me barcode, është personale dhe duhet të mbahet vetëm nga shtetasi që e posedon, i cili sipas radhës, do të kalojë vetëm, për t’iu kontrolluar barcode nga pajisja që regjistron automatikisht çdo tentativë për të hyrë me biletë të falsifikuar ose të dublikuar. Ju informojmë se dublikimi/shumëfishimi i biletës, konsiderohet falsifikim dhe mashtrim, vepra të cilat ndëshkohen nga Kodi Penal i Shqipërisë”, njofton policia.

Hyrja e tifozëve në stadium do të nisë në orën 18:00.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco