Musiala jashtë listës për ‘Topin e Artë’, revoltohen te Bajerni

Musiala jashtë listës për ‘Topin e Artë’, revoltohen te Bajerni

10:31, 06/09/2024

Yje të shumtë të Gjermanisë si Toni Kros, Antonio Rydiger dhe Florian Virc u nominuan për “Topin e Artë”, çmimin për futbollistin botëror të vitit. Herri Kejn nga gjiri i Bajern Mynih gjithashtu ka një shans për të fituar “Topin e Artë”.

 Megjithatë, një lojtar i bavarezëve çuditërisht mungon, fjala është Xhamal Musiala. Anëtari i bordit, Maks Eberl, kritikoi ashpër mospërfshirjen e 21-vjeçarit.

Të mërkurën në mbrëmje, revista tregtare franceze, “France Football”, publikoi 30 emra që hynë në listën e ngushtë për “Topin e Artë”. Bajerni përfaqësohet vetëm me Kejn. Nga këndvështrimi i Eberl, edhe Xhamal Musiala do të kishte merituar një vend në këtë listë.

REAGIMI – “Unë do të doja që çdo lojtar të nominohej, por ne në Mynih jemi shumë të befasuar që Musiala nuk u mor parasysh”, tha Eberl kur u pyet nga agjencia gjermane e shtypit.

Ndërkohë që mungon Xhamal, në listë janë gjermani Toni Kros, i cili përfundoi karrierën e tij pas Kampionatit Europian 2024, Antonio Rydiger i Realit të Madridit, Florian Virc i Bajer Leverkusen dhe ish-lojtari i Dortmundit, Mats Humels.

Eberl madje shkoi një hap më tej dhe theksoi se Musiala ishte një nga lojtarët e shquar të Kampionatit Europian: “Ai ishte një nga golashënuesit më efikas dhe u zgjodh në njëmbëdhjetëshen më të mirë të turneut.

Për më tepër, Bajern arriti në gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve, falë paraqitjeve të shkëlqyera të tij. Për ne është plotësisht e pakuptueshme që ai të mos jetë një nga 30 lojtarët më të mirë të sezonit të kaluar”, kritikoi Maks Eberl.

“Topi i Artë” do të dorëzohet në Paris, më 28 tetor. Nuk u nominua as fituesi i vitit të kaluar, Lionel Messi, i cili fitoi Kupën e Amerikës me Argjentinën këtë vit. Po ashtu, në listë mungon edhe portugezi Kristiano Ronaldo. Për herë të parë që nga viti 2003, as Mesi dhe as Ronaldo nuk janë në listën e “Topit të Artë”.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco