Skandali i spiunimit me dron/  FIFA i heq Kanadasë 6 pikë në futbollin olimpik të femrave

Skandali i spiunimit me dron/ FIFA i heq Kanadasë 6 pikë në futbollin olimpik të femrave

08:48, 28/07/2024

FIFA i hoqi gjashtë pikë Kanadasë në turneun e futbollit për femra në Lojërat Olimpike të Parisit dhe përjashtoi tre trajnerë për nga një vit, pas një skandali të spiunimit me dron.

Masa e dënimeve përfshin gjithashtu një gjobë prej 200,000 frangash zvicerane (226,000 dollarë) për federatën kanadeze të futbollit në një rast që është përhapur në Lojërat Verore. Dy ndihmës trajnerë u kapën duke përdorur drone, për të spiunuar praktikat e kundërshtarit të Zelandës së Re para ndeshjes së tyre hapëse të mërkurën e kaluar.

Canada Soccer dhe Komiteti Olimpik Kanadez njoftuan të shtunën vonë se po shqyrtonin një apel, veçanërisht për pikët e zbritura.

“Ndihemi tmerrsiht keq për atletet në ekipin kanadez të futbollit për femra, të cilët me sa kuptojmë nuk luajtën asnjë rol në këtë çështje”, tha në një deklaratë David Shoemaker, CEO dhe sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik. “Në mbështetje të atletëve, së bashku me Canada Soccer, ne po shqyrtojmë të drejtat e apelit në lidhje me zbritjen e gjashtë pikëve në këtë turne olimpik”.

Kryetrajneri Bev Priestman, i cili udhëhoqi Kanadanë drejt titullit olimpik në Tokio në vitin 2021, tashmë u pezullua nga federata kombëtare e futbollit dhe më pas u hoq nga turneu olimpik.

Gjyqtarët e FIFA-s thanë se Priestman dhe dy ndihmësit e saj "u gjetën secili përgjegjës për sjellje ofenduese dhe shkelje të parimeve të lojës së ndershme".

Çështja ka të ngjarë tanni të shkojë  në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv të Gjykatës Speciale Olimpike në Paris. Ajo gjykatë është ngritur për seanca urgjente dhe vendime në Lojërat Olimpike, të tilla si trajnerët dhe federata kanadeze që sfidojnë sanksionet e tyre.

Zbritja e pikëve, nëse mbështetet nga gjyqtarët e CAS, nuk e eliminon Kanadanë nga turneu. Mund të nënkuptojë se skuadra duhet të fitojë të tre ndeshjet në Grupin A dhe të shpresojë të kalojë me tre pikë në çerekfinalen, që nis të shtunën e ardhshme, edhe si ekipi i vendit të tretë në renditje.

T’i heqësh një ekipi kaq shumë pikë është pothuajse e paprecedentë në mes të një turneu ndërkombëtar.

“Ne po shqyrtojmë opsionet për të apeluar mbi bazën se është tepër ndëshkuese ndaj lojtarëve të ekipit tonë kombëtar të femrave, të cilët nuk ishin të përfshirë në ndonjë sjellje joetike”, tha Kevin Blue, CEO i Canada Soccer. “Canada Soccer ndërmori veprime të shpejta për të pezulluar anëtarët e implikuar të stafit dhe gjithashtu po vazhdon me një rishikim të gjerë të pavarur që mund të çojë në masa të mëtejshme disiplinore.”

Rasti është një turp i mëtejshëm për federatën kanadeze, e cila është partneri i ngushtë i FIFA-s për të ndihmuar në organizimin e Kupës së Botës më të madhe për meshkuj në vitin 2026,  në të gjithë Amerikën e Veriut.

Dy qytete kanadeze, Toronto dhe Vankuver, do të organizojnë disa nga 104 ndeshjet në një turne që do të zgjerohet, duke përfshirë 48 ekipe në vend të 32. Lojrat gjithashtu do të luhen në 11 qytete në Shtetet e Bashkuara dhe tre në Meksikë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco