Chelsea në SHBA për turneun parasezonal, trajneri Maresca befason me vendimin për Armando Brojën

Chelsea në SHBA për turneun parasezonal, trajneri Maresca befason me vendimin për Armando Brojën

10:35, 23/07/2024

Chelsea ka bërë publike listën prej 28 futbollistëve të cilët i ka ftuar për turneun parasezonal që do ta zhvillojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Trajneri i ri i londinezëve, Enzo Maresca, i ka befasuar të gjithë duke marrë me vete edhe futbollistin shqiptar, Armando Broja.

Po themi befasi, pasi Broja po flitet me të madhe se do të largohet nga Chelsea këtë verë, me disa skuadra që janë të interesuara për të.

Gjatë ditës së djeshme u raportua për një rikthim të interesimit nga Milani në Itali, të cilin e shohin si zëvendësues ideal të Alvaro Moratas, i cili po ashtu u transferua para pak ditësh.

Po ashtu, Maresca në këtë grumbullim ka ftuar edhe nënshkrimet e kësaj vere, si Tosin Adarabioyo, Kiernan Dewsbury-Hall, Renato Veiga dhe Marc Guiu.

Por mesfushori i ri Omari Kellyman është përjashtuar nga skuadra.

Të përjashtuar janë edhe mbrojtësit Trevoh Chalobah dhe Alfie Gilchrist të cilët pritet të largohen nga klubi gjatë merkatos së verës.

Londinezët kanë konfirmuar se futbollistët që ishin të angazhuar në Euro 2024 dhe Copa America do t’i bashkohen skuadrës më vonë pas pushimeve.

Për këtë turne parasezonal mungesë e madhe te Chelsea do të jenë lojtarët si Conor Gallagher, Cole Palmer, Enzo Fernandez dhe Moises Caicedo.

Sezonin e ri, Chelsea e nis më 11 gusht në derbin ndaj Manchester Cityt në Premierligë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco