Kombëtarja dhe ndërgjegjja kombëtare

Kombëtarja dhe ndërgjegjja kombëtare

21:57, 05/07/2024

Nga Enkeleida Zeko

Përgjegjësia është shkalla e parë e civilizimit.

Po lexoja komentin e një profesori, gjeniu në futboll si Arrigo Sacchi, ish-trajner i Kombëtares së Italisë ku thoshte: 

"Ekipi i futbollit pasqyron vendin, i cili është shumë individualist. Është një vend në krizë ekonomike, kulturore dhe morale".....

Aty e kuptova që po prisja më kot që të kishte një shpjegim, një analizë apo një vlerësim për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Europianin "Gjermani 2024". 

Konferencat e shtypit apo analizat profesionale mungojnë prej vitesh në Shqipëri prandaj dhe futbolli është vetëm një fasadë politikash interesi dhe nuk ka asnjëherë një strategji të qartë se si dhe sa ka evoluar.

Deklaratat deri në turp përpara Europianit se sa të mëdhenj ishim, u çanë si një flluskë sapuni që në ndeshjen e parë. Parashikimet e rezultateve të drejtuesve të institucionit të futbollit se do fitonim me Italinë dhe Spanjën 1-0 dhe premtimet e tyre se si do kalonim grupin e do linim pas Italinë e të tjerë, u justifikuan vetëm me shprehjen "Pse e besuat ju?"

Po po e besuam...E besuam vërtet, se na e thatë ju, që drejtoni Federatën, që drejtoni futbollin Europian dhe ju duheni besuar, kë të besojmë tjetër?

Ju besuam sepse foto juaj qëndronte në krye të posterit të kombëtares duke konfirmuar fuqinë tuaj mbi të gjithë. Prandaj e besuam.

Kemi gabuar që besuam? Mos vallë jeni tallur me ne? Mos vallë jeni tallur me mbi 80 mijë tifozë që ndoqën kombëtaren? Mos vallë gjithë sakrifica e tyre për të shpenzuar shuma marramendëse ishte thjesht një truk? A do të kishin ardhur tifozët nga fundi i botës (Australia, ShBA etj) nëse s’do të kishin besuar ato fjalë?

A do kishin marrë kredi shumë tifozë në Shqipëri që me të ardhurat e tyre nuk e përballonin dot udhëtimin në Gjermani nëse s'do t'ju kishin besuar?

Nuk e di, na e thoni ju. Ua thoni ju shumë fëmijëve që s'do mund të bëjnë dot pushime këtë vit pasi ju besuan ju...Po, po, ju besuan edhe pse se kuptova kurrë nëse ju folët si president i Fshf apo si Zv. President i Uefa-s.

Kolegët tuaj të Federatave të Futbollit në Europë dolën menjëherë në Konferencë për Shtyp duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve me përgjegjësinë e rolit që mbajnë. Do të thoni ju pse e pretendoj këtë? E pretendoj llogari-dhënien përsa kohë ju mbani Flamurin dhe Simbolet Kombëtare dhe aty shkruhet - Albania.

Por çfarë bëri kombëtarja përpos asaj që bëtë ju?

Trajneri nuk foli asnjëherë hapur për mënyrën sesi luajti Shqipëria dhe çfarë strategjie kishte zgjedhur ai. Gjithmonë nëse e ka patur një të tillë.

Në ndeshje dukej se kombëtarja nuk ishte e përgatitur për këtë nivel të lartë kompeticioni. Fjalë kishte shumë po veprat s’u panë ndonjëherë.

Silvinjo nuk veproi si trajner i madh edhe për faktin se nuk është i tillë, por edhe për zgjedhjet që bëri vetë ai.

Gabime në formacion dhe jo vlerësim i saktë i lojtarëve mbi bazën e aftësive që kanë, por mbi bazën e menaxhimit. Dukej sikur me rëndësi kishte interesi personal i lojtarëve përballë menaxherëve, sesa rezultati i ndeshjes.

Dihet dhe flitet prej kohësh se kush ka prioritet në Kombëtare, të tjerët të ngushëllohen, të heshtin apo të mallkojnë (si babai i Ismajlit).

Në këtë vend nuk ka përgjegjshmëri e aq më pak civilizim. Nëse do kishte, këta tifozë do trajtoheshin me më shumë respekt. Ata prindër që kanë sakrifikuar deri në vetëmohim do vlerësoheshin më shumë. Do kishte mirënjohje, se vetëm prej gjakut të tyre në emigracion kemi këtë kombëtare sot.

Ju nuk keni bërë asgjë për të rritur këtë skuadër. Shikoni në kampionatin që organizoni ju çfarë produkti ka. Ju vetë nuk zgjodhët asnjë lojtar nga Kampionati Shqiptar të ishte pjesë e Kombëtares. Ajo është paqyra juaj, nuk keni të drejtë të krenoheni me Kombëtaren. Me kombëtaren duhet të krenohet vetëm ky popull dhe ato familje që kanë investuar për të. 

Në Euro 2016 në arritëm të marrim një fitore me Rumaninë duke u renditur në vendin e 3-të në grup me 3 pikë. Ndërsa sot në Euro 2024 jemi në vendin e fundit në grup me vetëm 1 pikë.

Formula mund të nxjerrim shumë po futbolli flet me shifra. Dhe të dhënat tregojnë se në këto 8 vjet Shqipëria ka bërë regres dhe jo progres. Nëse do marrim si shembull kundërshtarët, tani Rumania nga vendi i fundit në Euro 2016 në këtë Europian e kaloi grupin dhe shkoi deri në fazën e 1/8.

Gjithashtu po të shohim performancen e kombëtareve të vogla si Gjeorgjia, Sllovakia, Sllovenia etj., të gjitha bënë paraqitje dinjitoze duke marrë rezultate shumë të pëlqyeshme. Ndërsa Shqipëria që kishte përbërje më të mirë lojtarësh se disa nga këto kombëtare, u mjaftua vetëm me fjalë dhe nuk përgatiti si duhet një strategji fituese për këtë eveniment.

Tani shqetësimi ynë mbetet trajneri Silvinjo. A do rinovojë apo jo.

Tani po bëhet propagandë për të treguar se Silvinjo gaboi po ata që e emëruan vallë a kanë gabuar ndonjëherë në këto 22 vjet? Atëherë nëse pranojmë që Silvinjo ka gabuar përse i ofrohet një kontratë e re?

Përse Ai nuk jep asnjë përgjigje kur përpara Euro 2024 ai ishte Shqiptari që e donte Shqipërine dhe Kombëtaren më shumë se gjithë ne të tjerët?

Në vazhdim do të shohim sa vlerë do të ketë pasaporta Diplomatike që i dha Shqipëria dhe sa fuqi do të ketë ai të mbajë stekën lart për të na kualifikuar në Kampionatin Botëror.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco