Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Marrëveshja Rama-Dumani në prag të kongresit

Duka: S’e besoj që Silvinjo do të shkojë në Portugali, do bëjmë një kontratë të re

Duka: S’e besoj që Silvinjo do të shkojë në Portugali, do bëjmë një kontratë të re

17:16, 29/06/2024

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ishte i ftuar nëpërmjet një lidhje live në emision sportiv “Europiani 3D”.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar foli për rrugëtimin e Shqipërisë në Kampionatin Europian “Gjermani 2024” si edhe për të ardhmen e trajnerit Silvinjo.

Gjithashtu presidenti Duka komentoi edhe disa çështje të tjera dhe shtoi se objektivi i radhës është kualifikimi në Botërorin 2026.

E ardhmja e trajnerit Silvinjo? – Nuk besoj që është e vërtetë se Silvinjo do të shkojë në Portugali. Nuk besoj. Ende nuk kemi bërë një kontratë të re, por këto ditë besoj se do të bëjmë një kontratë të re për dy vitet e ardhshme. Kur firmoset kontrata quhet e mbyllur. Akoma nuk është e mbyllur, por jemi drejt fundit.

Europiani i Shqipërisë? – Mbase po të kishim ndonjë skuadër tjetër në grup mund të kishim edhe një rezultat më të mirë. Prapë nuk është se jam pishman për grupin që kishim, pasi ishte shumë i bukur. Është vërtetë bukur të luash kundër kampionëve dhe nëse do të rritesh duhet të luash kundër kampionëve, këtë bëri edhe Shqipëria.

Në total performanca e ekipit ishte shumë e mirë. Për ne ishte një super sukses që jemi pjesë e një Europiani pasi jemi vetëm për herë të dytë. Zhvilluam tre ndeshje në aspektin sportiv shumë të mirë. Kishte një prezencë shqiptare fantastike në Gjermani në të tre qytetet.

Duhet të jemi shumë të lumtur, të kënaqur dhe krenarë që kjo skuadër na bëri pjesë të Europianit dhe uroj që ta përsërisi sërish. Futbolli nuk ka fund asnjëherë. Për ne është arritje shumë e madhe që të jemi pjesë e Europianit dhe të bëjmë një performacë shumë të mirë. Mund të them dy ndeshje e gjysmë të mira, pasi pjesa e parë me Italinë nuk ishte e mirë. Ndërsa pjesa e dytë e mirë, ndeshja me Kroacinë ishte fantastike dhe mbase fati nuk na ndihmoi të thellonim rezultatin.

Ndeshja me Spanjën ishte fantastike, mbështetja, festa, kënaqësia e njerëzve ishte shumë e madhe dhe shumë e mirë. Futbollistët, stafi, Silvinjo dhe gjithë të tjerët punuan për t’u kualifikuar.

Për mendimin tim kanë punuar shumë mirë. Unë e kam thënë që në fillim të Kampionatit Europian, ne duhet të jemi shumë krenarë që jemi pjesë. Edhe ekipit këtë gjë i kam thënë gjatë qëndrimit në Gjermani.

A është një objektiv kualifikimi në Botëror? – Ne objektivin e kemi për të shkuar në Botëror. Mundësitë i kemi reale për të shkuar në Botëror, por futbolli nuk është se gjithmonë të jep atë që meriton. Duhet përgatitje, punë, performancë dhe pak fat. Fati fillon që nga shorti dhe uroj që të kemi një short të mirë për në Botëror. Uroj që të kemi një performancë të mirë në Nations League sepse do të ndikojë në shortin e Botërorit dhe e kemi si objektiv për të qenë pjesë e Botërorit 2026.

Ne kemi shkuar dy herë në Europian me trajnerë të ndryshëm dhe mund të shkojmë në Botëror me të njëjtin trajner. Unë kam dëshirë që të shkojmë në Botëror me të njëjtin trajner. Futbolli është një lojë kolektive dhe që nuk mund të shkosh as me një futbollist, as me një trajner por të gjithë bashkë. Me kualitetin dhe performancën e skuadrës, nuk ka të bëjë me individë.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco