Ish-kampioni i botës, Mateus parashikon rezultatet e 1/8-ave të Europianit

Ish-kampioni i botës, Mateus parashikon rezultatet e 1/8-ave të Europianit

18:03, 28/06/2024

“Rekordmeni” i Gjermanisë përsa i takon numrit të ndeshjeve me “pancerat” (150) Lotar Matues ka marrë pozitën e “Nostradamusit”, teksa ka firmosur kontratë me mediumin prestigjioz të “Bild” për të analizuar Europianin.

Ai së fundmi ka parashikuar fituesin e Kampionatit Europian, sikurse rezultatet e sakta të ndeshjeve ne fazën e 1/8-ave.

Matues qëndron “partizan” i mendimit se organizatoret e “Euro 2024” janë një hap përpara rivalëve, në këtë rast Gjermania karshi Spanjës dhe Francës apo Anglisë.

Fillimisht kampionët e 4-fishtë në rangun e Botëror do të duhet të nxjerrin jashtë Danimarkën e Kristian Eriksen në raundin me eliminim direkt.

Përveç rezultateve koncize, 63-vjeçari i ka shpjeguar në “vija të holla” formën e kombëtareve, duke nisur prej takimit mes “axurrëve” dhe helvetëve.

Parashikimet

Zvicër-Itali 0-1 –“Një lojë shumë e vështirë për t’u parashikuar. Të dyja skuadrat janë të organizuara shumë mirë, janë të forta në mbrojtje, por gjithashtu mund të vendosin një ton sulmues në çdo moment. Këtë në mënyrë mbresëlënëse ndaj nesh e treguan edhe zviceranët. Por italianët kanë një nga portierët më të mirë në turneun si Donaruma. Besoj se përvoja më e madhe do të jetë faktori vendimtar për kampionin në fuqi”.

Gjermani-Danimarkë 2-0- “Jo si patriot, por si ekspert, them se Gjermania do të fitojë. Danimarka do të jetë po aq kompakte sa zviceranët në barazimin 1-1 kundër nesh. Julian Nagelsman ka nxjerr përfundimet e duhura nga ndeshja e fundit. Pavarësisht sesi ai rreshtohet në sulm, kemi kreativitetin dhe alternativat e nevojshme përsa i përket personelit dhe taktikave, në varësi të mënyrës sesi shkon loja. Dhe mbrojtja e ndryshuar nuk më shqetëson as mua. Unë kam vënë re shumë pak për danezët në sulm deri tani”.

Angli-Sllovaki 2-0- “Anglezët kanë treguar pak nën potencialin dhe standardet e tyre. Por faza e grupeve ka përfunduar, ndaj pres që ata të kenë një motiv krejtësisht tjetër, një entuziazëm, sikurse një shpirt më luftarak. Nëse trajneri Garet Sauthgejt i lejon të luajnë atë që bëjnë më mirë, domethënë sulmin tërheqës, ata do të mbizotërojnë qartë ndaj sllovakëve, të cilët nuk janë të këndshëm për të dueluar ndaj tyre.”

Spanjë-Gjeorgji 3-0- “E kam parë Gjeorgjinë në tri ndeshje. Ndikimi i trajnerit Uilli Sagnol duket qartë, organizim i mirë, por edhe luajnë në trajtë interesante. Për mua, Mamardashvili është portieri më i mirë i deritanishëm në Kampionatin Evropian. Ai i jep skuadrës së tij siguri të jashtëzakonshme. Kvaratshkelia është një sulmues teknikisht i nivelit shumë të lartë. Gjeorgjia ka luftuar, por edhe ka fituar respektin e të gjithëve. Megjithatë, unë besoj se spanjollët do të mbizotërojnë për shkak të cilësisë së tyre individuale dhe të lojës në përgjithësi. Ata gjithashtu janë paralajmëruar dhe definitivisht nuk do ta nënvlerësojnë Gjeorgjinë.”

Francë-Belgjikë-3-2 (koha shtesë)- “Të dyja skuadrat janë ndër favoritët për titull, por të dyja kanë qenë shumë zhgënjyese deri më tani. Përveç penalltisë së Mbapes, francezët nuk kanë shënuar ende një gol të tyre nga ndeshja dhe bomberi belg Lukaku ka tre gola të mohuar, si pasojë e pozicionit jashtë loje. Por të dyja kanë aq shumë potencial sa kjo lojë mund të jetë një shfaqje e vërtetë shpërthyese. Pothuajse dua t’i pyes të dy trajnerët, lërini të japin më të mirën! Lërini ata të bëjnë magjinë e tyre!”

Portugali-Slloveni 2-0- “Portugezët do të paraqiten krejtësisht ndryshe nga sa bënë në humbjen 2-0 kundër Gjeorgjisë, kur në të vërtetë nuk dhuruan asgjë. Do të shohim një skuadër portugeze tjetër për sa i përket personelit, me një qëndrim krejtësisht të ri. Ronaldo në veçanti do të jetë i ‘nxehtë’. Megjithatë, ai duhet të jetë i kujdesshëm që të mos e teprojë me ankesat e tij, përndryshe mund të përballet me një pezullim të pashmangshëm. Sllovenia ka Sheshko, por në përgjithësi është shumë i padëmshëm në sulm.”

Rumani-Holandë 1-3- “Holandezët gëzojnë sulm të fortë dhe një mbrojtje të hekurt. Por atyre u mungon një mendimtar dhe lider në mesfushë. Rumunët më bindën personalisht në fitoren 3-0 ndaj Ukrainës. Portokallinjtë kanë edhe mbështetje të madhe nga tifozët e tyre. Unë besoj se skuadra e Ronald Koman do të afirmojë veten me besim, jo më pak për shkak të forcës së tyre individuale”.

Austri-Turqi 2-1- “Austria është e vështirë për çdo kundërshtar që të luajë kundër. Për secilin! Austriakët janë të preferuarit e mi sekret. Skuadra e Ralf Rangnik ka cilësi të shkëlqyera taktike dhe lozonjare. Ata bën mirë kundër Francës, por humbën për fat të keq. Austria e meritonte fitoren ndaj Polonisë dhe Holandës, me Zabicer në formë të klasit botëror. Natyrisht, Turqia do të kërkojë gjithçka për të siguruar biletën për më tej. Unë pres një lojë të shkëlqyer futbolli në stadiumin e Lajpcig, vendi ku do të mbahet ndeshja, një atmosferë të shkëlqyer nga tifozët e të dyja skuadrave. Është pothuajse e pabesueshme ajo që austriakët po tregojnë edhe këtu formën fantastike dhe mbështetje e mrekullueshme”, përfundoi Mateus.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco