Java e 23-të e Superiores, spikat derbi i kryeqytetit Dinamo-Partizani

Java e 23-të e Superiores, spikat derbi i kryeqytetit Dinamo-Partizani

13:38, 10/02/2024

 

Java e 23 e Kategorisë Superiore vjen me ndeshje interesante ku secila skuadër do të luftojë fortë për objektivat e saj.

Spikat derbi i kryeqytetit Dinamo-Partizani në stadiumin Niko Dovana. Ekipi i Dritan Mehmetit kërkon të thyejë tabunë pasi ka 15 vite që nuk fiton përballë Partizanit. Lajmi i mirë për trajnerin Mehmeti është se do të ketë të gjithë grupin në dispozicion pa asnjë mungesë.

Nuk paraqitet e njëjta situatë në kampin e kuq. Maget Gueje vuan problemin në shpatull dhe nuk po stërvitet. Edhe Albers Keko ende nuk është i gatshëm ndërsa Bintsuka i është bashkuar pjesërisht grupit, por vështirë se do të jetë gati për të shtunën. Takimi do të luhet në orën 17:00 në Durrës.

Vllaznia kërkon të vijojë ecurinë pozitive në kampionat prej 8 ndeshjesh pa humbje. Kuqeblutë këtë herë presin në "Loro Boriçi", Durrësin e Edi Martinit.

Bregdetarët vijnë pas asaj fitoreje 3-0 ndaj Skënderbeut dhe në kampin durrsak është rikthyer optimizmi se mund të bëjnë mirë dhe të largohen sa më shpejt nga zona e ftohtë. Edhe në këtë ndeshje, Teuta nuk do të jetë e plotë pasi mungojnë Karabeci i dëmtuar ndërsa Ledjo Beqja është në dyshim.

Tek shkodranët shqetësojnë lojtarët me peshë. Mesfushori Sala është mungesë e sigurt pasi ka plotësuar numrin e kartonëve ndërsa qendërmbrojtësi Stojanoviç dhe mesfushori Alivoda janë në dyshim. Kuqeblutë do të bëjnë çmos për të vijuar këtë ecuri pozitive. Takimi luhet në orën 17:00.

Sa i përket takimeve të tjera të shtunën Egnatia kryesuese luan me Laçin në shtëpi. Historia flet për rrogozhinasit pasi kurbinasit nuk fitojnë ndaj Egnatias prej tetë ndeshjesh. Suksesi i fundit daton në prill të vitit 2022.

Kurbinasit duket se kanë gjetur stabilitet me rezultatet pasi në 7 javët e fundit janë të pathyeshëm, por problem mbetet menaxhimi i avantazhit. Pavarësisht statistikave, ekipi i Mirel Josës do të futet në fushë vetëm për të fituar.

Dy takimet e tjera janë programuar për ditën e dielë. Tirana pret Erzenin në Arenën kombëtare këtu në kryeqytet ndërsa Kukësi udhëton në Korçë përballë Skënderbeut.

Të dyja takimet do të luhen në orën 17;00. Shohim dhe klasifikimin zyrtar pas javës së 22. Egnatia mbetet në krye me 47 pikë, 10 më shumë se Partizani. Vllaznia në vendin e tretë me 34 pikë, 1 më shumë se Tirana e vendit të katërt.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco