Finalja e parë e Champions-it/ Nga xhungla në parajsë, historia e indigjenit Luis Diaz që u rrit në varfëri

Finalja e parë e Champions-it/ Nga xhungla në parajsë, historia e indigjenit Luis Diaz që u rrit në varfëri

17:51, 06/05/2022

Uria e Liverpulit që ndjek katër trofetë historikë: Premier Ligën, Kupën FA dhe Ligën e Kampioneve, pasi fitoi Kupën e Ligës, nuk është vetëm metaforike. Gjysmëfinalen e kthimit me Vijarealin e ktheu Luis Diaz, autor i golit të barazimit dhe Sadio Mane, i cili shënoi golin e fitores. Urinë, atë të vërtetën, kolumbiani dhe senegalezi e kanë provuar me të vërtetë në lëkurën e tyre.

Image

VARFËRIA – Mane është shumë i kënaqur këto vitet e fundit. Është në Liverpul prej vitit 2016 dhe ka fituar gjithçka. Por ai nuk e harron origjinën e tij modeste, siç e tregon edhe fotoja virale e pak kohëve më parë, në të cilën dukej ekrani i thyer i celularit të tij: “Kam vuajtur urinë, kam luajtur zbathur, nuk kam shkuar në shkollë, kam mbijetuar në kohë të vështira. Për çfarë më duhen 10 Ferrari, 20 ora me diamante dhe dy avionë? Me atë që fitoj mund t’i ndihmoj të tjerët”.

Dhe në fakt, në Senegal ka ndërtuar shkolla, një stadium, dhuron veshje, këpucë dhe ushqime për ata që jetojnë në varfëri ekstreme.

Diaz ka jetuar një jetë të ngjashme. Është 25 vjeç dhe është në Liverpul prej muajit janar, pas 3 vitesh te Porto. Në futboll mbërriti vonë, ose më saktë u zbulua vonë. Lindi dhe u rrit në komunitetin më të madh indigjen të Kolumbisë, fisi “Wayuu” në La Guahira, një rajon pranë bregut të Karaibeve dhe pranë minierës së karbonit të Serrejonit.

Image

Luis Diaz kur luante në Kolumbi

Një zonë shumë e varfër ku korrupsioni është shumë i përhapur. Luis luante futboll në skuadrën e drejtuar nga babai i tij. Ishte i zoti, por askush se dinte. Pikërisht falë origjinës së tij, në vitin 2015 u ftua nga Bogota për t’iu bashkuar një kampi stërvitor, ku zbuloheshin talentet për Kupën e Amerikës së Indigjenëve, turneut paralel me Kupën e Amerikës.

Image

Ylli kolumbian u rrit në fshatin e vogël të Barrankasit

NGJITJA – Në të vërtetë, ai luajti vetëm një edicion, atë të vitit 2015 në Kili, ku Kolumbia e Luis Diazit mbërriti në finale dhe u mund nga Paraguai. Diaz ra në sy, luajti të gjitha ndeshjet dhe shënoi dy gola. Por aspekti i tij fizik nuk bindi. Ishte shumë i dobët. Sigurisht, ushqimi në tavolinën e shtëpisë i kishte munguar gjithnjë.

Por drejtori teknik i Kolumbisë indigjene ishte më largpamës: ai ishte Karlos Valderama, pikërisht biondi i famshëm me kaçurrela me numrin 10 në vitet 1990. E sinjalizoi te Barankuija, klubi që i dha një shans 18-vjeçarit Luis. Atje vendosi kilogramë dhe muskuj. (Panorama Sport)

Dhe në vitin 2016 nisi ngjitja. Në 2017- ën u transferua tek Atletiko Junior dhe në 2019-ën Gajardo e donte për River Plejtin e tij, por kolumbiani vendosi të zbarkonte në Europë, te Porto. Në 2021-shin luajti në Kupën e Amerikës, atë të vërtetën. Shënoi 4 gola, po aq sa Lionel Mesi. Dhe në janar ja tek është në Liverpul dhe vetëm një javë më parë u shpall lojtari i ndeshjes në Vijareal-Liverpul.

I vetmi me lot në sy nga skuadra e Klopit. Për të finalja e parë e Champions-it është një tjetër emocion, që ndoshta jo shumë prej shokëve të tij e kuptojnë. Në “Anfield” u transferua për 45 milionë euro. “Barato” do të thoshin në La Guahira. Lirë, për atë që vlen në të vërtetë…

 

Image

25-vjeçari me fanellën e Liverpulit

 

Image

Sulmuesi kolumbian me gruan e tij

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco