Skënderbeu në vend të parafundit, Memelli pret nga merkatoja e janarit

Skënderbeu në vend të parafundit, Memelli pret nga merkatoja e janarit

16:48, 21/11/2021

Trajneri i Skënderbeut, Migen Memelli, u shfaq mjaft i kënaqur me atë që dha skuadra e tij në fushën e lojës në barazimin 2-2 me Teutën, por nuk e fshehu zhgënjimin për rastet e shumta të shpërdoruar, që mund t’u kishin dhënë tre pikët korçarëve.

“Duke parë mënyrën si rrodhi ndeshja, mund të them se kemi humbur shumë raste para portës, qoftë për të dyfishuar avantazhin, qoftë për të shënuar edhe golin e tretë pas barazimit.

Megjithatë ky është futbolli, edhe pse në disa këndvështrime jo të gjithë mund të biem dakord. Ne hyjmë në fushë për të marrë gjithmonë maksimumin, duke parë edhe kundërshtarin që kemi përballë.

Jam i mërzitur për faktin që shpërdoruam shumë përpara porte dhe ne si staf duhet të punojmë në këtë drejtim, ndonëse duhen komplimentuar djemtë për atë që dhanë në fushën e lojës.

Te goli i parë i Teutës Dwomfour duhej të kishte mbyllur me shpejt Vilën, por nuk e bëmë dhe e pësuam. Gjithsesi më shumë më djeg ai gol në goditjen standard, ku ne jemi shumë të fortë, megjithatë në futboll ndodh edhe kështu.

Mos harroni se ne luajmë me tre 20-vjeçarë në qendër të mbrojtjes, që nuk e bën asnjë skuadër në Shqipëri, por besoj se asnjë skuadër edhe në botë. Natyrisht që nuk na mungon cilësia, por do të kishim nevojë për pak më shumë eksperiencë, ndaj them se i komplimentoj lojtarët për atë që dhanë.

Unë do të doja që duke nisur nga merkatoja e janarit, të fusim pak eksperiencë në skuadër. Edhe në sulm ne kemi lojtarë me moshë të vogël, që kanë kapacitete të jashtëzakonshme, ndaj shpresoj që në janar të plotësohemi. Te VAR-i janë dy momente për penallti, prekja me dorë dhe faulli ndaj Berishës, por nuk e pashë pozicionin jashtë loje.

Unë kritikat nuk i marr si sulm ndaj meje, por si një këshillim për të përmirësuar punën time. Më vjen mirë që tani Mensah dhe Berisha po bashkëpunojnë më mirë me njëri-tjetrin, pasi janë të shpejtë, të talentuar dhe me shumë dëshirë për të bërë mirë”, deklaroi trajneri i Skënderbeut.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco