Eksperti norvegjez i futbollit, Ole Gunnar Solskjaer nuk është më trajner i Manchester United. Kjo është vendosur mbrëmjen e djeshme pas një takimi të gjatë të drejtuesve të klubit.
48-vjeçari ka qenë në “fije të perit” disa herë gjatë tre sezoneve në pankinën e Manchester United dhe humbja ndaj Watford rezultoi vendimtare për shkarkimin e tij.
Siç raportojnë mediat e shumta ndërkombëtare, “ok” përfundimtar e ka dhënë pronari i klubit, Joel Glazer dhe bëhet fjalë për një ndërprerje të marrëveshjes së bashkëpunimit, për të respektuar faktin se Solskjaer është një legjendë e klubit.
Teksa opsionet për trajnerin e ri janë duke u shqyrtuar, Darren Fletcher dhe Michael Carrick pritet të marrin detyrën si menaxherë të përkohshëm.
Zinedine Zidane, Brendan Rodgers dhe Ronald Koeman janë kandidatët më seriozë për bankinën e “Djajve të kuq”.
Solskjaer ka qenë prej kohësh nën një presion të madh në stolin e United. Klubi i famshëm anglez po regjistron disfatë pas disfate, dhe “pika që mbushi gotën” është humbja e djeshme ndaj Watford, në të cilën United pësoi katër gola nga skuadra që po lufton për mbijetesë.
Solskjaer mori drejtimin e United më 19 dhjetor 2018 dhe ka regjistruar 91 fitore, 34 barazime dhe 39 humbje në 164 ndeshje.
Por më e rëndësishmja - ai nuk fitoi asnjë trofe me United, kështu që drejtuesit e klubit vendosën të ndërpresin bashkëpunimin..
Kështu, norvegjezi vazhdoi praktikën e trajnerëve që u shkarkuan pas largimit të legjendarit Sir Alex Ferguson. Por ajo që është më e keqja, të gjithë paraardhësit e tij (Moyes, Van Gaal dhe Mourinho) arritën të fitojnë të paktën një trofe, por jo Solskjaer.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: