Femra/ Java e gjashtë e ndarë në dy ditë, njihuni me sfidat interesante

Femra/ Java e gjashtë e ndarë në dy ditë, njihuni me sfidat interesante

13:30, 19/11/2021

Java e gjashtë e kampionatit të femrave ngre siparin këtë të premte, me ndeshjen Atletik Club – Apolonia.

Kryesueset e kampionatit deri tani do të udhëtojnë drejt Shkodrës me synimin për të marrë një tjetër fitore dhe për të vijuar me ecurinë pozitive.

Një barazim i javës së shkuar me kampionet në fuqi, Vllazninë, i mban ende në vendin e parë fieraket, të cilat kanë marrë deri më tani 4 fitore dhe një barazim, duke mos pësuar kështu asnjë humbje.

Vajzat e Atletik Club vijnë pas një pushimi një javor, ndërsa ndeshja do të luhet ditën e sotme duke nisur nga ora 14:00.

Sakaq, të gjitha ndeshjet e tjera do të luhen ditën e nesërme. Vajzat e Teutës do të udhëtojnë në Shkodër, ku i pret Murlani që mori një fitore të vlefshme javën që lamë pas në Lushnje, teksa mundi myzeqaret me rezultatin e thellë 1-6.

Ndërkaq, edhe bregdetaret morën fitoren e parë në javën e katërt, ndërsa mundën në shtëpi Skënderbeun me shifrat 3-1.

Sfida do të luhet duke nisur nga ora 12:00 ditën e shtunë.

Korçaret do të presin në shtëpi ekipin e Tiranës. Skënderbeu mori një humbje në Durrës, teksa bardheblutë do të kërkojnë të ecin në rrugën që kanë nisur, ku deri tani nuk kanë marrë asnjë humbje.

Tirana fitoi derbin e kryeqytetit javën që lamë pas me Partizanin.

Ndeshja do të zhvillohet në Korçë nga ora 14:00. Në të njëjtin orar, Vllaznia do të luajë kundër Kinostudios në Shkodër.

Një ndeshje ku vlen vetëm fitorja për kampionet e vendit, që barazuan në Fier në javën e pestë.

Në ora 14:30, Tirana AS do të luajë kundër Lushnjes. Kryeqytetaset nuk e kanë shijuar ende pikën e parë për këtë edicion të ri, teksa do të presë në kryeqytet myzeqaret që u mundën në javën e kaluar nga Murlani.

Ndërkaq, Partizani do të jetë pushim në këtë javë të gjashtë, sipas kalendarit të përcaktuar në fillim të sezonit.

Ndeshjet

Atletik Club – Apolonia, e premte, ora 14:00

KF Murlani – KF Teuta, e shtunë, ora 12:00

Skënderbeu – Tirana, e shtunë, ora 14:00

Vllaznia – Kinostudio, e shtunë, ora 14:00

Tirana AS – Lushnja, e shtunë, ora 14:30

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco