Nagelsmann: Lewandowski më i miri, shpresojmë të mbyllim llogaritë në grup

Nagelsmann: Lewandowski më i miri, shpresojmë të mbyllim llogaritë në grup

15:31, 02/11/2021

Bajerni i Mynihut do të luajë sot në mbrëmje përballë Benfikës në ndeshjen e vlefshme për Champions.

Me një fitore të mundshme sot, skuadra e Julian Nagelsmannit do të ishte në turin 1/ 16-ave, me dy ndeshje të mbetura. Ndërkohë, trajneri 33-vjeçar ishte dje në stërvitjen e fundit me skuadrën pasi rezultoi negativ pas testit të kryer.

Nagelsman mungoi më shumë se një javë për bavarezët pasi u infektua në ndeshjen e parë në Portugali me COVID.

Ndërkohë, Nagelsman në intervistën e fundit para ndeshjes, ka treguar për gjendjen  e tij shëndetësore dhe përgatitjet e ekipit.

Si ndiheni?

Jam shumë mirë, gjithçka është në rregull. Sigurisht që mund ta ndiesh se në trup kishte diçka. Shpresoj që testi të jetë edhe sot negativ e të kem mundësi të ulem në stol për të drejtuar skuadrën.

Si i mbijetuat karantinës?

Nuk isha shumë i nervozuar, në jetë ka momente edhe më të këqija. Gjithsesi, në disa faza mund të ndihej një lloj stresi. Kjo, për faktin se kërkoja të isha sa më shpejt në fushën e stërvitjes. Testet e fundit që kam bërë në këto pesë ditë kanë rezultuar negative, shpresoj që edhe i fundit të dalë i tillë.

Mendoni se sot do të vijë edhe kualifikimi?

Do të ishte fantastike nëse në stadiumin tonë do të fitonim dhe t’i mbyllnim llogaritë në grup. Kjo do të na jepte mundësi të fokusoheshim vetëm tek kampionati për pjesën e mbetur të vitit. Skuadra tregoi të shtunën që nuk ka asnjë ngërç psikologjikisht pas eliminimit në Kupë. Ishte një aksident dhe kështu rezultoi. Lojtarët kanë në formë të mirë dhe mendoj që ndaj Benfikës do të kenë mundësi ta tregojnë sërish.

Lewandowski do të luajë nesër (sot) ndeshjen e 100-të në Champions, çfarë prisni nga ai?

Gola, çfarë tjetër ?! Të luash 100 ndeshje në Champions është një rekord më vete. Robert luan vetëm për të ndihmuar skuadrën dhe për të shënuar sa më shumë gola. Mendoj që dhe ndaj Benfikës do të ndodhë e njëjta gjë, ai do të shënojë dhe ne do të fitojmë. Ai është nga më të mirët në botë. Humbjen në kupë e ka përjetuar shumë keq, ashtu si çdo lojtar tjetër. Ndaj Unionit tregoi një karakter të madh duke marrë për dore skuadrën. Lojtarë të tillë janë shumë të çmuar për trajnerin. Jam i lumtur që Robert është lojtari i Bajernit.

Si është situata me të dëmtuarit?

Dejvis ka ende probleme muskulore. Për të do të vendosim ditën e ndeshjes. Do të ketë edhe një rishikim të lojtarëve që luajtën të shtunën, nëse dikush do të ketë nevojë për pushim apo jo. Hernandez mori një goditje në gju, duhet të bëjë kujdes edhe pse mendoj që mund t’ia dalë për nesër (sot).

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco