Shpresat janë shpresë. Në “Elbasan Arena”, Shqipëria U-21 mori fitoren e dytë rresht në Grupin G kualifikues, duke u ngjitur në vendin e dytë të renditjes.
Skuadra e Alban Bushit mposhti me rezultatin e pastër 2-0 Slloveninë duke treguar se po kalon një moment të mirë forme dhe se i ka të gjitha mundësitë për të pozicionuar sa më lart në një grup ku bëjnë pjesë edhe Republika Çeke, Anglia e Kosova.
Pas një pjese të parë në të cilën vuajti shumë Shqipëria U-21 dhuroi spektakël në minutat e para të fraksionit të dytë.
Në minutën e 53-të Mario Mitaj i dha një asist perfekt Bernard Karricës të cilin sulmuesi i Sered në kampionatin sllovak nuk e shpërdoroi duke realizuar një gol të bukur për avantazhin e Shpresave.
5 minuta më vonë Armando Dobra mesfushori i talentuar që luan në Angli shënoi edhe golin e dytë teksa goditi saktë me kokë brenda zone pas krosimit të Ndreçkas.
Sllovenia u përpoq të reagonte por kuqezinjtë u mbajtën fort dhe madje në minutën e 94-t të fundit shtesë u bë protagonist edhe Angelo Tafas që priti një 11-metërsh.
Ndeshjen e radhës në grup kuqezinjtë 21-vjeçarë do ta kenë sërish ndaj Sllovenisë këtë herë në transfertë gjatë muajit nëntor.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: