SYRI TV/ Fermerët e Moravës drejt falimentimit: Mungesë tregu, s’ka mbështetje nga qeveria

13:47, 06/10/2024
A+ Aa A-

Prej thuajse dy vitesh fermerët e fshatit Moravë i kanë lënë tokat djerrë për shkak të problematikave të shumta që hasin. Shqetësim kryesor për ta është mungesa e tregut për shitjen e produkteve bujqësore, mungesa e fuqisë punëtore, dëmet e përvitshme të shkaktuara nga moti si dhe mungesa e subvencioneve nga institucionet.

SYRI TV

Me dhjetëra familje në fshatin Moravë në bashkinë Dimal, mënyrën e vetme të jetesës kanë bujqësinë. Por edhe pse kjo zonë njihet për prodhimet e saj bujqësore, vitet e fundit fermerët nuk i kanë shtuar të mbjellat për shkak të problematikave të shumta që hasin, që nga mungesa e tregut për shitjen e produkteve bujqësore, mungesa e fuqisë punëtore, dëmet e përvitshme të shkaktuara nga moti etj.

Avni dhe Xhevaire Ferra, çifti i bashkëshortëve që para disa vitesh lanë emigrimin në shtetin grek dhe zgjodhën të kthehen për të investuar në tokën e tyre në fshatin Moravë, pohojnë se janë penduar që u kthyen. Ata kujdesen të dy për serën në pamundësi për të paguar një punëtor, ndërsa pohojnë që i ka munguar dhe mbështetja me grante nga ana e institucioneve. Sipas tyre kostot e mirëmbatjes së një sere janë të larta, ndërsa luhatja e çmimeve dhe mungesa e tregut ka bërë që fermerët të ndihen të pasigurtë.

Një tjetër fermer, Lavdrim Metani pohon se ka hequr dorë nga bujqësia pasi nuk ka treg. Ai thotë se i ka lënë tokat pa mbjellë prej dy vitesh, si shumë fermerë të tjerë të zonës, pasi prodhimet janë hedhur kanaleve, pasi janë kalbur në arë. Tashmë ai mbjell vetëm për vete, pasi mungesa e tregut, mungesa e mbështetjes nga ana e qeverisë si dhe breshëri i rënë çdo vit, ka falimetuar jo vetëm atë por të gjithë fermerët e fshatit Moravë.

Thuajse çdo vit, fermerët e fshatit Moravë hasin problematika të shumta gjatë periudhës së dimrit për shkak të motit, ku përgjatë viteve të fundit breshëri dhe stuhitë kanë shkaktuar dëme të mëdha në tokat bujqësore të kësaj zone.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco