Shqipëria, ndër vendet më të këqija në botë për ndarjen e mbeturinave

Shqipëria, ndër vendet më të këqija në botë për ndarjen e mbeturinave

10:20, 17/09/2024
A+ Aa A-

Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria janë ndër dhjetë vendet e para në mbarë botën ku më pak familje raportojnë se i ndajnë mbeturinat e tyre shtëpiake, sipas një raporti të ri të Anketës Botërore të Riskut nga Lloyd’s Register Foundation.

“Botë mbetjesh: rreziqet dhe mundësitë në menaxhimin e mbeturinave shtëpiake”, publikuar të martën, bazohet në të dhënat e mbledhura nga anketuesi global Gallup, i cili kreu 147,000 intervista në 142 vende dhe territore në mbarë botën.

Menaxhimi i dobët i mbeturinave shtëpiake shkakton probleme në mjedis dhe rreziqe për shëndetin e njerëzve, paralajmëron raporti. Ai thotë se dhjetë vendet ose territoret me shkallën më të lartë të ndarjes së mbeturinave janë të gjitha në Evropë ose Azinë Lindore.

Në ekstremin tjetër, shtatë nga 10 vendet ku numri më i vogël i familjeve raportojnë se ndajnë mbeturinat e tyre janë në Afrikën Sub-Sahariane. Tre të tjerat janë Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria.

Raporti thotë se njerëzit në këto tre vende ballkanike përballen të gjithë me sfida të rëndësishme në trajtimin e mbeturinave të tyre shtëpiake.

“Kosovës i mungon çdo lloj formë menaxhimi të duhur të mbeturinave për mbeturinat e saj shtëpiake (ose të tjera). Në Mal të Zi, ndarja nuk është efektive sepse mbeturinat e riciklueshme shpesh nuk klasifikohen pas grumbullimit dhe njerëzve nuk u jepet asnjë shtysë për të ndarë mbeturinat në burim. Po kështu, në Shqipëri ka pak struktura për të zbatuar ose stimuluar ndarjen dhe riciklimin dhe çdo ndarje që bëhet është kryesisht informale”, thuhet në raport.

Kosova renditet e treta në listën e vendeve ku njerëzit nuk i ndajnë mbeturinat shtëpiake para deponimit, pas Bregut të Fildishtë dhe Gabonit. Mali i Zi dhe Shqipëria ndajnë vendin e nëntë në renditje, me rezultate pak më të mira se Togo, Kameruni, Benini, Liberia dhe Republika e Kongos.

Në Kosovë, “mungesa e njohurive, ndërgjegjësimit dhe edukimit në mesin e popullatës së përgjithshme kanë penguar progresin drejt ndarjes më të madhe të mbeturinave shtëpiake në burim. Duhet të ofrohen më shumë programe edukuese dhe ndërgjegjësuese”, thuhet në raport.

“Të ndihmosh familjet të ndajnë mbeturinat e tyre më lehtë dhe në mënyrë më efektive në pjesë të mëdha të Evropës Lindore do të nënkuptonte që më shumë familje do t’i asgjësonin mbeturinat e tyre në mënyra më të qëndrueshme (të mbledhura dhe të ndara)”, vëren ai.

Në shkallë globale, raporti zbulon se më shumë se dy në pesë familje globalisht i hedhin mbeturinat e tyre në mënyrë të pakontrolluar, duke i djegur ose hedhur ato në rrugë, gjë e cila paraqet rreziqe të mëdha për shëndetin e njerëzve dhe mjedisin.

Nancy Hey në Lloyd’s Register Foundation tha se praktikat e rrezikshme si djegia e hapur ndodhin aty ku njerëzit nuk kanë ndonjë alternativë të qëndrueshme. Ajo bëri thirrje për investime në infrastrukturë më të mirë grumbullimi dhe përpunimi në ato vende.

“Lloji i mbeturinave që prodhojmë dhe mënyra se si i hedhim ato ka rëndësi, duke ndikuar në cilësinë e ajrit dhe shëndetin, sigurinë e njerëzve që punojnë me mbeturinat tona dhe mjedisin, veçanërisht nëse ato përfundojnë në oqeanet tona”, tha Hey në një deklaratë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco