SYRI TV/ Nis viti i ri shkollor në vendin tonë, në bankat e shkollës ulen 350 mijë nxënës

SYRI TV/ Nis viti i ri shkollor në vendin tonë, në bankat e shkollës ulen 350 mijë nxënës

14:57, 09/09/2024
A+ Aa A-

Kjo e hënë shënon nisjen e vitit të ri shkollor për të gjithë nxënësit që ndjekin arsimin parauniversitar.

Të dhënat tregojnë se numri i tyre ka rënë ndjeshëm këtë vit me rreth 100 mijë nxënës më pak, fenomen ky që ka çuar edhe drejt mbylljes së shkollave.

SYRI TV

350 mijë nxënës të arsimit parauniversitar nisin këtë të hënë të 9 shtatorit vitin e ri shkollor 2024-2025 në 1725 shkolla në të gjithë vendin. Krahasuar me vitin e kaluar numri i nxënësve në arsimin parauniversitar ka rënë ndjeshëm, me rreth 100 mijë më pak këtë vit. Sipas shifrave të bëra publike, në vitin shkollor 2023-2024 ishin rreth 450 mijë  nxënës të arsimit parauniversitar në vend.

Ndërkohë për këtë vit shkollor 28 mijë nxënës ulen për herë të parë në bankat e shkollës, krahasuar me rreth 29 mijë nxënës vitin e kaluar, ndërsa rreth 27 mijë nxënës janë të regjistruar në klasat e 10-ta, shifër që ka mbetur e pandryshuar dy vitet e fundit.

Sa i përket ciklit fillor, në vitin shkollor 2024-2025, rreth 238 mijë nxënës do të ndjekin arsimin në sistemin publik 9-vjeçar. Sipas INSTAT, në këtë nivel arsimi në vitin shkollor 2023-2024 ishin të regjistruar 258 mijë nxënës.

Nisur nga këto të dhëna, numri i nxënësve në shkollat 9-vjeçare në këtë vit të ri shkollor është 7.8% më pak se viti i kaluar, ose 20 mijë nxënës më pak.

Ritmet e rënies së numrit të nxënësve në arsimin 9-vjeçar janë shumë më të larta se vitin e kaluar, kur tkurrja ishte 3.4%.

Si rrjedhojë e rënies së numrit të nxënësve, shumë shkolla po mbyllen vit pas viti. Pas rënies së numrit të nxënësve me 40% në shkollat e zonave rurale, përgjatë viteve 2013-2023, sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit rezulton se nga viti shkollor 2012-2013 në vitin shkollor 2021-2022 janë mbyllur 295 shkolla të arsimit 9-vjeçar.

Aktualisht në vendin tonë janë 1051 shkolla 9-vjeçare nga 1346 që ishin në vitin 2013, duke u mbyllur 42% e shkollave në rang vendi.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco