SYRI TV/ 500 kuota për 2034 aplikantë në Mjekësi, testimi, 30% të peshës për pranimin në këtë degë

15:44, 14/08/2024
A+ Aa A-

Duke nisur nga kjo e mërkurë e 14 gushtit e deri më 23 gusht, maturantët që duan të ndjekin studimet në “Mjekësi të Përgjithshme” do të zhvillojnë testimin e informatizuar.

2034 maturantë kanë aplikuar këtë vit për degën “Mjekësi e Përgjithshme” dhe pas provimit të digjitalizuar në QSHA, 500 prej tyre do të shpallen fitues, nga të cilat rreth 430 kuota janë për kandidatët brenda vendit dhe 70 të tjera për studentët nga Diaspora, për kandidatë me statusin e aftësisë së kufizuar si dhe ata që aplikojnë për transferim studimesh.

Kandidatët që do të shpallen fitues për “Mjekësinë e Përgjithshme” ende nuk janw plotësisht të qartë mbi kushtet që do u vendosen pasi të ndjekin këtë program studimi, pasi ligji që i detyron të punojnë në vendin e tyre për 3 vite pas përfundimit të studimeve, ende nuk është miratuar. Megjithatë dëshira e madhe për ndjekjen e këtij profesioni i ka shtyrë të zgjedhin këtë degë.

Me ankth kanë pritur edhe familjarët, të cilët po ashtu nuk janë ende të qartë në lidhje me kushtet detyruese për maturantët që do të ndjekin mjekësinë, por i kanë mbështetur fëmijët e tyre duke shpresuar të jenë fitues.

Si të mos mjaftonin ndryshimet e bëra dhe paqartësitë në lidhje me ligjin, aplikantëve i shtohet edhe një barrë financiare me vendosjen e një tarife prej 5000 lekësh të rinj për t’iu nënshtruar testimit të informatizuar.

Për pranimin në këtë program studimi, 70%  të vlerësimit e përbëjnë pikët e grumbulluara nga mesatarja e maturës shtetërore dhe 30% të peshës e kanë pikët e testimit të informatizuar, i cili përmban 50 pyetje me 100 pikë në total nga lëndët Biologji, Kimi e Fizikë.

Që prej diskutimeve dhe draftit për ndryshimet ligjore që parashikonin detyrimin e studentëve të mjekësisë për të punuar në vend për disa vite, është vënë re një ulje e numrit të maturantëve që zgjodhën degën e mjekësisë, reduktim të cilin ekspertët e kanë lidhur pikërisht me mbajtjen peng të diplomave të mjekëve të rinj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco