Po shkatërrohen bjeshkët!

Po shkatërrohen bjeshkët!

09:07, 14/08/2024
A+ Aa A-

Nga Prof. Abdulla Diku, ambientalist

Kushdo që ka shëtitur nëpër zonat e larta malore, veçanërisht në brezin e kullotave alpine, ka parë gjurmë mjetesh ngado. Disa nga ato që ishin gjurmë gomash para 10-15 vitesh, tashme janë kthyer në përrenj të frikshëm erozioni.

Lëvizja e pakontrolluar e mjeteve (makina 4x4 dhe e motorëve me dy e katër rrota) ka bërë që bjeshkët tona të ‘zhgarraviten’ prej gjurmëve të këtyre mjeteve. Veçanërisht në zonat me pjerrësi, do të mjaftonte kalimi 1-2 herë i një mjeti për të nisur një rrëke fillimisht dhe për t’u kthyer në përrua më vonë.

Ky është një problem shumë i madh dhe në të gjitha bjeshkët dhe kullotat tona. Shumica e rasteve janë në zonat e mbrojtura (parqe kombëtare, parqe natyrore etj.)

Nga se vjen kjo?

Heqja e shtresës së barit prej fërkimit me gomat e mjeteve e zbulon dhe ekspozon tokën ndaj reshjeve. Energjia kinetike e pikave të shiut dhe më pas e rrjedhjes së ujit i shkëput grimcat e tokës dhe i zhvendos poshtë. Të papenguara nga fijet e barit që mungojnë, zonat që janë shkelur nga mjetet fillojnë të erodohen. Duke pasur gjithnjë e më pak reshje bore dhe shumë e më shumë reshje shiu, erozioni merr përmasa të frikshme në një periudhë shumë të shkurtër kohore. Kjo, pasi sasia e reshjeve të shiut po bëhet gjithnjë e më intensive dhe më e madhe.

Tokat e kullotave alpine janë toka të lehta dhe shumë të shkrifëta. Mungesa e argjilës në këto toka bën që lidhja mes grimcave të tokës të jetë minimale. Për pasojë, këto grimca shkëputen lehtë prej energjisë kinetike të ujit. Dhe sapo reshjet e para bien në kontakt me sipërfaqet e zhveshura nga mjetet, erozioni fillon punën e tij.

Në zona të tilla malore, ku kombinimi i faktorëve të ndryshëm tokë-formues është jo shumë i zhvilluar, duhen së paku 400-500 vjet për të krijuar një shtresë prej vetëm 1 cm trashësi toke. Dhe kjo shtresë toke, aktualisht humbet për një sezon të vetëm reshjesh nëse i hiqet shtresa e barit, në mos më shpejt.

Erozioni i tokës është një ndër problemet më të mëdha që përballet planeti aktualisht, por Shqipëria, për shkak të terrenit shumë malor, e ka dhe më shumë problem se pjesa më e madhe e botës. Menaxhimi i erozionit është po ashtu shumë problem pasi kushton më shumë se çdo gjë tjetër në rehabilitimin e natyrës.

Pashë një video që publikoi kryeministri ku shfaqeshin makina nëpër bjeshkët e Kukësit e Dibrës. Ndoshta ai nuk e di vetë, por në këtë mënyrë duket sikur iu thotë personave që merrni makinën dhe shkoni e bëni si në video.

Tashme ne po kemi mjete gjithnjë e më të mira e më të fuqishme, që do të thotë se jeta e bjeshkëve tona do të shkurtohet me shpejtësi të madhe.

Kësisoj, në vend që të pengojmë lëvizjen e mjeteve nëpër bjeshkë, në mënyrë që t’i mbrojmë ato, promovojmë makina e madje edhe gara makinash në zonat tona të mbrojtura. Nuk besoj se është thjesht padije. Ndonjëherë të krijohet përshtypja sikur shkatërrimi i vlerave tona natyrore është bërë detyrë e administratës dhe jo mbrojtja e këtyre vlerave.

Nuk është e vështirë për t’u menaxhuar si problem. Deri më sot nuk ka asnjë person të penalizuar për këtë gjë, pavarësisht se makinat 4x4 e motorët kanë pushtuar bjeshkët dhe majat e maleve tona.

Perveçse ta ngre si shqetësim (është herezi e madhe tashmë të thuash të vërtetën), nuk kam çfarë të bëj tjetër. Veçse kur të kujtohemi çfarë i kemi bërë vendit me vetëdije të plotë, do të jetë më shumë se vonë.

Mark Tuen thotë: “Blini tokë, askush nuk e prodhon dot atë”…

Ne, dhe këtë pak tokë që kemi po e shkatërrojmë me budallallëkun tonë.

Image

Image

Image

Image

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco