1 deri më 7 gusht, Java Botërore e Ushqyerjes me Gji

1 deri më 7 gusht, Java Botërore e Ushqyerjes me Gji

19:23, 06/08/2024
A+ Aa A-

Java Botërore e ushqyerjes me gji mbahet çdo vit në javën e parë të gushtit, e mbështetur nga OBSH, UNICEF dhe shumë Ministri të Shëndetësisë dhe partnerë të shoqërisë civile.

Çdo vit përzgjidhet një temë e veçantë mbi të cilën organizohet Java Botërore e Ushqyerjes me Gji dhe jepen rekomandimet për aktivitete të ndryshme në të gjitha vendet e botës që e promovojnё këtë javë.

 

Ushqyerja me gji është një nga mënyrat më efektive për të siguruar shëndetin dhe mbijetesën e fëmijës dhe megjithatë aktualisht, më pak se gjysma e foshnjave nën 6 muajsh ushqehen me gji.

Në vitin 2018, një rezolutë e Asamblesë Botërore të Shëndetësisë miratoi Javën Botërore të Ushqyerjes me Gji si një strategji e rëndësishme për promovimin e shëndetit. Me një temë të ndryshme çdo vit, ai synon të promovojë mjediset e favorshme që ndihmojnë gratë të ushqehen me gji.

Ushqyerja me gji

Për rritjen, shëndetin dhe zhvillimin më të mirë të foshnjës, si dhe shëndet më të mirë të nënës, foshnjat duhet të ushqehen vetëm me qumësht gjiri 6 muajt e parë të jetës.
Foshnja duhet të vendoset në gji brenda orës së parë pas lindjes sepse nxit lidhjen shpirtërore mes nënës dhe fëmijës, dhe nxit refleksin e thithjes. Asgjë tjetër nuk i duhet dhënë foshnjës përpara se të nisë të pijë gji.
Foshnja duhet të ushqehet në bazë të kërkesës që ka, pra sa herë të dojë dhe aq gjatë sa të dojë foshnja. Sa më shumë të thithë fëmija, aq më shumë qumësht prodhohet. Në ditët e para bebi mund ta kërkojë gjirin edhe 10 herë në ditë, por më pas do të stabilizohet në 6-7 herë në ditë, me interval 4 orë gjatë ditës dhe 8 orë gjatë natës.
Të ushqyerit vetëm me qumësht gjiri nënkupton që foshnja të pijë vetëm qumështin e nënës dhe të mos pijë asgjë tjetër, as ujë.
Qumështi i gjirit siguron të gjithë ushqimin dhe ujin për të cilin foshnja ka nevojë gjatë 6 muajve të parë.
Foshnja nuk ka nevojë për ujë, madje as në një ditë të nxehtë, pasi ujin e nevojshëm e merr nëpërmjet qumështit të gjirit.

Përfitimet shëndetësore për foshnjat

Qumështi i gjirit është ushqimi ideal për të porsalindurit dhe për foshnjat. Ai i jep foshnjave të gjitha lëndët ushqyese të nevojshme për të cilat ata kanë nevojë për një zhvillim të shëndetshëm. Qumështi i gjirit është i sigurt, përmban antitrupa dhe mbron foshnjat nga sëmundjet e zakonshme të fëmijërisë siç janë diarreja dhe pneumonia, të cilat janë dy shkaktarët kryesore të vdekshmërisë foshnjore në mbarë botën. Qumështi i gjirit është i arritshëm dhe i përballueshëm, ç’ka ndihmon për të siguruar që foshnja të marrë ushqim të mjaftueshëm.

Përfitimet shëndetësore për nënat

Nga ushqyerja me gji e fëmijës përfitime shëndetësore kanë edhe nënat. Ushqyerja ekskluzivisht me gji e fëmijës shkakton tek nëna mungesë të ciklit menstrual, duke e bërë atë një metodë natyrore të kontrollit të shtatzanive (lindjeve). Ajo redukton gjithashtu rrezikun e kancerit të gjirit dhe të vezoreve më vonë në jetë, ndihmon femrat të kthehen në peshën e tyre të parashtatzënisë më shpejt, dhe ul obezitetin.

Përfitimet afatgjata në shëndetin e fëmijëve

Ushqyerja me gji tek fëmijët përveç përfitimeve shëndetësore të menjëhershme jep edhe përfitime shëndetësore përgjatë jetës. Të rriturit të cilët janë ushqyer me gji shpesh kanë presionin e gjakut të ulët dhe kolesterol më të ulët, gjithashtu kanë dhe nivele të ulëta të mbipeshës, obezitetit dhe diabetit të tipit 2, krahasuar me ata të cilët nuk janë ushqyer me qumësht gjiri. Studime të ndryshme kanë treguar se njerëzit të cilët janë ushqyer me gji ka dhënë rezultate më të mira në testet e inteligjencës.

Pse jo ushqyerja me formulë për foshnjat?

Ushqyerja me formulë për foshnjat nuk përmban antitrupat të cilët janë në qumështin e gjirit, dhe është e lidhur me disa rreziqe si sëmundjet me origjinë nga uji, si rrjedhojë e përzierjes së pluhurit të qumështit me ujë jo të sigurtë. Kequshqyerja mund të shkaktohet edhe nga mbihollimi i qumështit me formulë. Nëse kemi përdorur qumësht me formulë, por në mungesë të tij i japim qumësht gjiri, ky nuk është një opsion pasi sasia e qumështit të gjirit është zvogëluar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco