SYRI TV/ Mediat italiane për qendrat e refugjatëve: Punimet në Gjadër po ecin ngadalë

13:27, 06/08/2024
A+ Aa A-

Kolaudimi i qendrave të pritjes së refugjatëve në Shëngjin dhe Gjadër pritet të bëhet më 20 gusht dhe 1 shtator. Mediat italiane kanë evidentuar vonesat në hapjen e këtyre qendrave por edhe kostot e fryra prej gati 1 miliard eurosh në 5 vite që pritet të kushtojë operacioni i akomodimit të refugjatëve. La Republika ka publikuar edhe manualin për policët italianë ku ndër të tjera porositen që të mos joshin gratë shqiptare pasi burrat e tyre mund të reagojnë keq.

 

SYRI TV

Pas shtyrjeve të njëpasnjëshme pala italiane pritet të bëjë gjatë javëvë në vazhdim kolaudimin e qendrës së pritjes së refugjatëve në Gjadër. Gazeta italiane la republika shkruan se  testi i parë nga Inxhinierët Ushtarakë, për të hapur vetëm një pjesë të qendrës në Gjadër, është caktuar në datën 20 gusht ndërsa i dyti i cili duhet të japë aprovimin përfundimtar për dorëzimin pranë Ministrisë së Brendshme italiane do të bëhet me datë 1 shtator. Gazeta raporton se nisja e kontingjentit të parë prej 500 personash, përfshirë policinë, karabinierët dhe policinë financiare, të cilët do të duhet të sigurojnë funksionimin e protokollit për refugjatët me Shqipërisë është planifikuar gjithashtu për 20 gusht. La republika thekson shtyrjet e njëpasnjëshme të afateve dhe nga ana tjetër evidenton kostot e larta që shoqërojnë paktin Rama-Meloni.

Gazeta ironizon shpenzimin gati 1 miliard euro që është planifikuar për këto qendra në 5 vitet e ardhshme me rënien e fluksit migrator në këtë periudhë të vitit, që është 63 % më i ulët se e njëjta periudhë e vitit paraardhës. Në artikull thuhet se punimet në Gjadër po ecin me ngadalësi, për shkak të temperaturave të larta por edhe cilësisë së keqe të terrenit ku po ndërtohen qendrat. Kompanitë që po punojnë për ndërtimin e ambienteve kanë ende probleme të mëdha dhe më 1 gusht ato pak module banimi të montuara nuk kishin as energji elektrike. Po kështu në artikull thuhet se mungon rruga që do të çojë direkt në ambientet ku do të mbahen azilkërkuesit nga vendet e sigurta. Bëhet fjalë për njesi banimi që parashkojnë akomodimin e 4 personave në një dhomë në dy krevate marinari teksa për momentin mungon ajri i kondicionuar, cka e bën të pamundur qëndrimin aty në këto temperatura të larta që kanë përfshirë Shqipërinë.

La republika ngre shqetësimin e mungesës së informacionit dhe paqartësive për mënyrën e funksionimit të qëndrave. Në Shëngjin duhet të garantohet identifikimi i thelluar i emigrantëve të sjellë pas klasifikimit të parë, i cili përkundrazi do të bëhet direkt në anijet ushtarake italiane, ku nuk është e qartë se si dhe kush do të jetë në gjendje të përcaktojë nëse njerëzit e shpëtuar në det vijnë vërtet nga të ashtuquajturat vende të sigurta. Në hotspot, njerëzit do të duhet të freskohen, të lahen në dhjetë dushet e instaluara, të vizitohen në infermieri, të pyeten për qëllimin e tyre për të aplikuar për azil dhe të njoftohen për dekretin e arrestimit nga komisariati i policisë së Romës. Dhe më pas, duke kaluar nëpër territorin shqiptar, do të jetë e nevojshme të kryhen përkthimet e emigrantëve, të cilët ndërkohë do të vendosen në paraburgim administrativ, me kusht që, brenda 48 orëve, gjyqtarët e seksionit të imigracionit të Romës të vërtetojnë ndalimin në një lidhje me videokonferencë. Në sallat e gjyqit të Romës tashmë janë vendosur dhjetë ekrane, por në Shqipëri asnjë.

La republika ka zbardhur edhe rregulloren me 14 pika për 45 oficerët e parë të policisë italiane që do të dërgohen për menaxhimin e qendrave. Policët meshkuj porositen që të jenë të kujdëshëm në komplimentet apo joshjet që mund tu bëjnë grave shqiptare pasi burrat e tyre mund të reagojnë keq. Aty thuhet se shoqëria shqiptare është konservatore, sidomos në veri të vendit dhe nuk janë të mirëseardhura as veshjet e papërshtatshme në publik. Në manualin e trajtimit u kërkohet personelit italian që të mos shfaqin sjellje superiore pasi shqiptarëve nuk u pëlqen të nënvlresohen nga të tjerët.

Agjentët italianë janë trajnuar edhe se si duhet të sillen në bar dhe restorant. “Kafeja nuk konsumohet në banak por vetëm ulur”, “Në restorante, porosisni sipas menusë, kërkesat për ndryshime nuk janë të mirëpritura”. Dhe, në fund, rekomandimi i rekomandimeve: “Kini kujdes se si flisni... pothuajse të gjithë shqiptarët dinë italisht”.

 

Po kështu policët italianë porositen që të jenë të kujdesshëm kur të flasin pasi pjesa më e madhe e shqiptarëve e dinë gjuhën italiane.

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco