Dasho: Sikur Olimpiada të bënte thirrje për familje të fortë, botë paqësore dhe konflikte

Dasho: Sikur Olimpiada të bënte thirrje për familje të fortë, botë paqësore dhe konflikte

14:18, 30/07/2024
A+ Aa A-

Nga Erion Dasho

Sigurisht që nuk jam i vetmi që u shokua nga hapja e Olimpiadës në Paris. Gjetja me parakalimet e varkave në Senë ishte brilante dhe la përshtypje si zgjedhje e veçantë. Po kështu edhe pishtari olimpik dhe rrugëtimi i tij pranë disa prej kryeveprave të kulturës dhe artit botëror.

Fatkeqësisht, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për të ashtuquajturin koncert apo sfilatë që u zhvillua paralelisht me parakalimin në Senë.

Në radhë të parë si krishterë u ndjeva i fyer dhe i dhunuar në bindjet e mia fetare dhe shoqërore kur një prej kryeveprave të artit që më së tepërmi pasqyron një nga momentet më solemne të fesë sime, Darka e Fundit, u parodizua në mënyrën më të turpshme të mundshme.

Për shkak të tolerancës (shpeshherë jo të mirëkuptuar dhe të pranuar nga të gjithë besimtarët e krishterë), paroditë, hipotezat apo hamendësimet me kristianizmin janë bërë prej dekadash pjesë e artit, letërsisë apo kinematografisë, p.sh., "Kodi da Vinçi".

Por në një eveniment mbarëbotëror si Olimliada, të arrihet deri në këtë pikë në emër të të ashtuajturit "diversitet", kjo është e papranueshme.

Kam dëgjuar këto ditë komentuesit liberalë dhe "woke" ta quanin paradën e turpshme si "të guximshme", "sfiduese", "inovatore", etj.

Po çfarë pati inovative dhe të guximshme aty?!

Mund të ishte e tillë para 30 apo 40 vjetësh, por jo sot kur komunitetet LGBTQI kanë të gjithë të drejtat, kanë të drejtën e partneritetit civil (të cilit gabimisht disa i referohen akoma si martesë pasi ligjërisht është koncept i ngjashëm) dhe nuk ndjejnë asnjë diskriminim në shoqëri, përkundrazi, diskriminohet ai që i diskriminon ata (çka është e drejtë).

Sfilatat që u panë gjatë hapjes së olimpiadës qytetarët i kanë parë në çdo paradë të organizuar nga komunitetet LGBTQI. Në vitet e para ndoshta me çudi, por tanimë edhe në Shqipërinë shumë më tradicionale, shikohen si pjesë e përditshmërisë pa i bërë përshtypje askujt.

Për t'ju rikthyer temës në hyrje të statusit.

Unë dhe, jam i sigurt, shumë të krishterë të tjerë jemi ndjerë thellësisht të ofenduar nga tallja e paturp me simbolet më të shenjta të Krishtërimit.

Ashtu sikundër shoqëritë perëndimore (me përjashtim të disa provokatorëve fanatikë dhe dhunë-ndjellës) kanë rënë dakord të respektojnë simbolikat e rëndësishme të feve të tjera, në të njëjtën mënyrë duhet të respektojnë ndjenjat dhe besimin e të krishterëve.

Sepse vlerat që kanë pranuar dhe promovojnë fetë e krishtera, islame, hebraike, etj., janë vlerat e familjes, kombit dhe besimit, janë mësimet që e bëjnë shoqërinë më të fortë, më kohezive, më solidare, më të mirë!

Ne kemi nevojë për këto vlera sot jo vetëm në Shqipëri, në Ballkan, në Europë, por në të gjithë botën.

Për këto arsye, Olimpiada si event mbarëbotëror do t'i kishte bërë një shërbim shumë më të madh shoqërisë nëse në atë platformë do të kishin dalë të krishterë, myslimanë, hebrenj, budistë, hinduistë, etj., të cilët të bënin thirrje për një familje të fortë, për një shoqëri të fortë, për një botë paqësore dhe pa konflikte.

Ky po, që do të kishte qënë bashkim në diversitet!

Mesazhi për të cilin aq shumë ka nevojë sot njerëzimi...
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco