Lajmi i fundit

LIVE/ Mblidhet Këshilli Kombëtar i PD

Makinat nga Koreja, a ia vlejnë? Çmimet e lira joshin shqiptarët të importojnë nga shteti në Azinë Lindore

Makinat nga Koreja, a ia vlejnë? Çmimet e lira joshin shqiptarët të importojnë nga shteti në Azinë Lindore

22:20, 20/07/2024
A+ Aa A-

Gati 9 mijë kilometër distancë gjeografike, një treg aspak tradicional referuar historisë... sot Korea e Jugut është kthyer në burimin kryesor nga ku shqiptarët importojnë makina. Shteti në Azinë Lindore rendite i dyti pas Italisë në drejtim të importeve të automjeteve, duke lënë pas Gjermaninë dhe Zvicrën. Vetëm në gjysmën e parë të vitit, prej andej u sollën dhe u regjistruan 8 mijë e 754 makina.

“Çmimet e shitjes atje janë shumë të ulëta për shkak të politikës që ata kanë për makinat e reja, për makinat elektrike. Makinat e naftës 10-vjeçare apo edhe më të reja përpiqen t’i shesin që të blejnë makina më të reja, elektrike”, tha Ardis Biba, importues automjetesh, shkruan A2 CNN.

Po sa më pak kushton një makinë e sjellë nga Korea e Jugut në krahasim me tregjet e tjera?

“Në krahasim me Shtetet e Bashkuara, çmimi i automjeteve nga Korea është i përafërt. Ndërsa krahasuar me tregjet europiane, për shembull kjo makinë ka ardhur rreth 8 mijë euro më lirë”, shtoi ai.

Ardisi, i cili u bë pjesë e tregut rreth tetë vjet më parë duke sjellë makina jo vetëm nga Korea e Jugut, por edhe Kina, Shtetet e Bashkuara të Amerikës  dhe Evropa na tregon edhe mbi importet mesatare në një muaj.

“Ne sjellim mesatarisht nga të gjitha tregjet 200-250 makina çdo muaj që importojmë si nga Korea, Kina apo Amerika. Nëse mund të marrim një mesatare vjetore, kemi rreth 3 mijë automjete të importuara”, deklaroi Biba.

Po çfarë makinash importojnë kryesisht shqiptarët nga Korea e Jugut?

“Kemi kompanitë e makinave me qira të cilat kryesisht duan automjete të vogla të tipit Volkswagen Gold apo Mercedes Benz C dhe E-Class. Ndërsa pjesa tjetër, janë individë që duan Tuscon apo Edhe Audi Q7 etj”, tha ai.

Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se importi i mjeteve të transportit nga Korea e Jugut ka pësuar një rritje të konsiderueshme nga viti në vit. Nga rreth 870 milionë lekë importe të automjeteve në 2018-n, vitin e shkuar shifra arriti në 8.5 miliardë lekë duke gati u 10-fishuar në harkun e 5 viteve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco