INVESTIGIMI/ Bursat për degët prioritare, shumë pak dhe shumë vonë

INVESTIGIMI/ Bursat për degët prioritare, shumë pak dhe shumë vonë

10:46, 17/07/2024
A+ Aa A-

Një vit më parë, qeveria shqiptare bëri një premtim të madh për të gjithë studentët që do të zgjedhnin të studionin në një nga degët prioritare në arsimin e lartë publik, duke ofruar bursa mujore prej 40,000 lekësh. Ky premtim, megjithatë, nuk u realizua ashtu siç u premtua, duke lënë shumë studentë të zhgënjyer dhe të demotivuar, shkruan Albanian Center for Quality Journalism në investigimin e fundit.

VKM-ja e qershorit të vitit 2023 hoqi kriterin e mesatares duke ofruar mbështetje financiare në formë burse për të gjithë studentët që do të zgjedhnin një nga degët në fakultetin Histori-Gjeografi, të Inxhinierisë dhe të Bujqësorit, por studentët u mashtruan. Në tetorin e vitit që lamë pas realiteti tregoi të kundërtën, shumë studentë mbetën pa mbështetjen financiare të premtuar.

Uvejs Dervishi, student në degën e Kimisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, një prej të rinjve që zgjodhën degët prioritare, shkruan për Sinjalizo rreth eksperiencës së tij të hidhur mbi këtë çështje.

Uvejsi, me pasionin e tij për Kiminë, tregon se zgjodhi të ndjekë këtë degë pa marrë parasysh bursën, pavarësisht premtimit të qeverisë.

“Kur hyra në universitet, u gëzova bashkë me shokët e mi që kishin zgjedhur degët prioritare. Ne ishim pesë studentë në degën e Kimisë dhe mendonim se do të përfitonim të gjithë bursën,” thote Uvesji, i cili sapo përfundoi studimet në vitin e parë Barchelor.

Megjithatë, sapo nisi viti akademik 2023-2024 situata për 18-vjeçarin dhe për shumë studentë të tjerë që ndiqnin studimet në një nga dëgët prioritare u bë shumë konfuze dhe e paqartë, pasi ende nuk dihej nëse do vendosej kusht mesatarja.

“U krijua një kaos, një zhgënjim, një mërzitje. Disa studentë madje mendonin të linin studimet nëse nuk do të merrnin bursën e premtuar. Por ne jemi vetëm 5 studentë që ndjekim degën e kimisë dhe kjo gjë do të sillte mbylljen e degës. Unë e kisha vendosur nëse diçka e tillë do të ndodhte do kaloja te Kimia Industriale, sepse nuk mund të bëja vetëm unë mësim, ” thotë Uvejsi.

U desh të kalonte rreth dy muaj nga nisja e vitit akademik që studentët të njoftoheshin për aplikimet për bursë, por procesi ishte i ngadalshëm dhe i paqartë.

“Në fillim të muajit dhjetor na lajmëruan  që do të nisin aplikimet për bursë në datën 18 dhe u gëzova sepse duke qenë se nuk i dija procedurat mendova se në këtë datë do dalin emrat e përfituesve të bursës.  Kur shkuam në datë 18 në universitet, ne thjesht vendosëm emrin, degën dhe firmosëm, vetëm kaq na kërkuan. Nuk morëm asgjë patjetër, ishte vetëm regjistrim që sipas tyre të kuptonin sa student ishim të interesuar”, tregon Uvejsi.

Pas një pritjeje të gjatë, vetëm në muajin shkurt u bë e ditur se kush do të përfitonte bursën. Nga pesë studentë në degën e Kimisë, vetëm tre përfituan, duke përfshirë Uvejsin. Ai tregon se e mori pagesën e parë në prill, ku kishte të përfshirë edhe muajt e prapambetur.

Një nga aspektet më shqetësuese për Uvejsin ishte mënyra e zgjedhjes së përfituesve.  “Një shoqe e klasës nuk e përfitoi bursën fillimisht, edhe pse kishte mesatare më të lartë se dy përfituesit e tjerë,” thote ai.

“Një nga përfituesit ishte 41 vjeç dhe tjetra 32 vjeç, ndërsa shoqja ime ishte në moshën tonë dhe kishte nevojë më të madhe për mbështetje ekonomike.”

Problemi nuk mbaron këtu. Uvejsi shqetësohet se vitin e ardhshëm mund të ketë përsëri probleme me bursën, pasi sipas tij kontrata përmend një pikë që thotë se do të shihet edhe mesatarja e vitit të parë Barchelor.

“Nuk e dimë kufirin, dhe mund të vendosin një mesatare të lartë që të na penalizojë,” thotë ai, duke shtuar një pasiguri mbi të ardhmen e tij dhe të tjerëve në degët prioritare.

REDUKTIMI I BURSAVE DHE VONESAT FINANCIARE

Premtimet e bëra nga qeveria për bursat e dedikuara për studentët që zgjodhën degët prioritare, u shndërruan në zhgënjim për shumë prej tyre. Rigels Xhemollai, drejtues i Qendrës Qytetare tregon për Sinjalizo problematikat që shoqëruan procesin e financimit të studentëve që zgjodhën degët prioritare, duke theksuar se premtimi fillestar i qeverisë është reduktuar ndjeshëm dhe është zbatuar me vonesa të konsiderueshme.

“Ka pasur vonesa dhe reduktime,” thotë Rigelsi. “Studentët nuk e përfituan bursën të gjithë, pasi u vendosën kuota. Universitetet publike u kërkuan të përzgjedhin rreth pesë studentë për secilën degë që do të përfitonin nga këto bursa, bazuar në mesataren dhe nevojat e tregut”.

Kjo pabarazi në shpërndarjen e bursave krijoi zhgënjim dhe frustrim te shumë studentë që zgjodhën degët prioritare por nuk u përfshinë në listën e përfituesve. Situata u përkeqësua më tej me vonesat e pagesave.

“Bursat prioritare u vonuan rreth pesë muaj gjatë vitit akademik,” tregon Rigelsi. “Asnjë prej studentëve nuk mori pagesën që u takonte në kohë. Arsyetimet ishin nga më të ndryshmet, si plotësimi i dokumentacionit, listat dhe kuotat.”

Këto vonesa krijuan vështirësi të mëdha për studentët që kishin nevojë për këto fonde për të mbuluar shpenzimet e jetës universitare, si qiranë dhe ushqimin. Për shumë studentë, bursa ishte një mundësi për të ndjekur studimet e tyre pa barrën financiare.

“Kemi pasur komunikime me shumë studentë të cilëve u ndodhi kjo problematikë. Bursa do t’u vlente shumë për jetën universitare, por ndërkohë që muajt universitar kalonin, ata nuk merrnin asnjë para,” thotë Rigelsi ndërsa thekson se ndryshimi i kritereve i zhgënjeu të gjithë ata studentë të cilët zgjodhën degët prioritare dhe nuk e përfituan bursën.

NEVOJA PËR TRANSPARENCË DHE PLANIFIKIM

Eksperti i arsimit, Ndriçim Mehmeti, tregon për Sinjalizo, se problemet mbi paqartësinë e vendimit për bursat e dedikuara për studentët që zgjodhën degët prioritare nisën që nga udhëzimi fillestar i cili kishte mangësi dhe paqartësi të mëdha.

“Duhej të kishte dalë një udhëzim që të orientonte studentët se si do ta merrnin bursën,” thotë Mehmeti. “A ishin të përgatitura strukturat për këtë vendim? Si është e mundur që studentët duhet të presin deri në muajin maj të vitit shkollor për të marrë paratë e bursës?”, thotë eksperti i arsimit teksa thekson se kjo vonesë e ka bërë më të vështirë jetën universitare për shumë studentë, duke krijuar një barrë financiare të papritur për familjet e tyre.

Familjet dërguan fëmijët e tyre në universitet me shpresën se do të mbështeteshin financiarisht nga shteti. Por, kur bursat nuk arritën në kohë, shumë studentë u dekurajuan. “Edhe nëse vitin e ri akademik gjithçka funksionon më së miri, njerëzit kanë humbur besimin. Studentët e këtij viti që lamë pas do thonë se zgjodhën degët prioritare dhe nuk morën bursën e premtuar,” thotë Mehmeti.

Sipas ekspertit, vendosja e kuotave dhe përzgjedhja e studentëve për bursa u bë në bazë të mesatares dhe nevojave të tregut duke krijuar pabarazi dhe duke lënë shumë studentë të dëshpëruar. “Pse duhet t’ia heqësh bursën studentit që e ka fituar me meritë? Çfarë përfiton duke ia hequr këtë mbështetje?” pyet ai, duke nënvizuar se kjo politikë ka dekurajuar studentët e ardhshëm nga zgjedhja e degëve prioritare.

Mehmeti thekson se bursat duhet të jenë një mbështetje reale dhe e besueshme për studentët, dhe se çdo vendim duhet të bazohet në një buxhet të mirëplanifikuar dhe të qëndrueshëm.

“Bursën po e jep vetë shteti për të rritur kapacitetet në një fushë që e quan parësore, pse nuk e shoqëron me paratë e duhura? Nëse nuk ke buxhet, pse e jep premtimin? Kjo mungesë planifikimi dhe transparence ka krijuar konfuzion dhe pasiguri midis studentëve. Duhet të dalë një udhëzim i qartë me kritere të mirëpërcaktuara, që studenti të jetë i qartë përpara se të bëjë zgjedhjen për arsimin e lartë,” sugjeron eksperti i arsimit.

FONDI DHE PËRFITUESIT

E pyetur se sa prej studentëve të cilët zgjodhën një nga degët prioritare për vitin akademik 2023-2024 përfituan bursë, Ministria e Arsimit dhe Sportit thotë ndër të tjera se në këtë vit akademik është dyfishuar financimi nga Buxheti i Shtetit për mbështetjen financiare të studentëve të shkëlqyer dhe studentëve që ndjekin studimet në një program prioritar.

“Ky fond është vënë në dispozicion për 310 kuota gjithsej nga të cilat: 100 kuota për studentë të shkëlqyer dhe 210 për studentë që studiojnë në programe prioritare” thuhet në përgjigjen e MASR.

Sipas të dhënave të siguruara, në Universitetin Bujqësor dhe Fakultin e Shkencave të  Natyrës në programet mësimore të konsideruara ‘prioritet kombëtar’ rezultojnë të regjistruar për vitin akademik 2023-2024 78 studentë pranë FSHN-së në degët Fizikë, Kimi, Matematikë dhe Biologji.

Ndërsa në Universitetin Bujqësor rezujtojnë 555 studentë të regjistruar në degë prioritare.

Në fjalën e saj në Kuvend në datë 27 qershor, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, u ndal te mbështetja me pagesë sa paga minimale për studentët e degëve prioritare duke theksuar fondin vjetor të përcaktuar në mbështetje të këtyre studentëve.

“Sipas buxhetit të miratuar vjetor, buxheti i parashikuar për bursat prioritare është rreth 1.5 milion euro. Nuk mendoj që ju mendoni se është pak të mbështesësh me 1.5 milion euro në vit dhe në kumulativ 5 vjeçar mbi 6 milion euro të shkojnë për mbështetje të kuotave prioritare plus edhe tarifa zero”, tha ministrja.

PROPAGANDA ME BURSAT

Më 29 qershor 2023, pas një mbledhjeje të qeverisë, Evis Kushi njoftoi një ndryshim të rëndësishëm në politikën e bursave, heqjen e kriterit të mesatares për të gjithë studentët që do të zgjidhin të ndiqnin arsimin e lartë në një nga degët prioritare, me kushtin që pas diplomimit të punonin për tre vite në Shqipëri.

“Kemi vendosur të heqim kriterin 8.5 të mesatares për të gjithë ata që përfitojnë bursa, duke ndjekur këto programe studimi,” tha ajo.

Ky premtim u prit me entuziasëm nga shumë studentë të cilët panë një mundësi për të ndjekur studimet pa barrën financiare që shpesh shoqëron arsimin e lartë. Për më tepër, ishte hequr edhe kushti për të ruajtur mesataren gjatë studimeve, duke ofruar kështu një lehtësi të konsiderueshme për ata që ndjenin presionin e notave të larta. Megjithatë, entuziazmi fillestar u zbeh shpejt. Në tetor 2023, shumë studentë shprehën shqetësimin se ishin mashtruar. Përkundër premtimeve, vetëm studentët me mesatare të lartë dhe brenda kuotave të buxhetit të Ministrisë së Arsimit përfituan nga bursa.

Mungesa e transparencës dhe planifikimit ka krijuar konfuzion dhe pasiguri midis studentëve që zgjodhën degët prioritare. Për të rikthyer besimin, qeveria duhet të ofrojë udhëzime të qarta dhe të sigurojë mbështetje financiare të qëndrueshme për studentët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco