Sherri mes pedagogëve, reagon Sindikata e Punonjësve të Universiteteve: Është vetëm maja e ajsbergut

Sherri mes pedagogëve, reagon Sindikata e Punonjësve të Universiteteve: Është vetëm maja e ajsbergut

14:45, 08/07/2024
A+ Aa A-

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve kërkon reagim të Fakultetit të Ekonomisë pas ngjarjes së shëmtuar të disa ditëve më parë kur shefi i Departamentit të Marketingut, Mirdaim Axhami, u arrestua pasi akuzohet se ka goditur me grusht pedagogen Liljana Billa.

“Nuk po merremi me detajet e incidentit, pasi me të po merren instancat përkatëse, por po marrim në shqyrtim fenomenin, i cili sipas nesh, “ekspozon” ashpër mungesën e integritetit njerëzor dhe degradimin e statusit të profesorit, duke njollosur kështu dhe reputacionin e universitetit.

Aktet e dhunës dhe abuzimit jo vetëm që janë moralisht dhe etikisht të papranueshme, por gjithashtu shkelin thelbësisht parimet, që ndërtojnë sjelljen profesionale në veprimtarinë edukative”, thuhet në reagim.

 “Gjykojmë se është detyrë themelore e institucionit të garantojë sigurinë dhe mirëqenien e të gjithë anëtarëve të tij pa përjashtim. Deri më tani, nga informacionet që kemi, institucioni përkatës nuk ka marrë asnjë hap për të sqaruar pjesëtarët e stafit akademik në lidhje me çështjen, pavarësisht se ajo është në hetim.

Nga institucioni përkatës, por dhe më gjerë akoma, kërkohet përgjigje e menjëhershme dhe proaktive dhe jo të presin ndodhi të tjera. Heshtja për këtë çështje flet shumë dhe nënkupton një nivel shqetësues apatie. Ky incident nënvizon nevojën urgjente për një debat të hapur mbi respektin, integritetin dhe raportet institucionale drejtues - vartës, zbatimin e kodit të etikës etj. brenda universiteteve tona, duke e bërë llogaridhënien një standard të panegociueshëm në çdo nivel të menaxhimit të universitetit.

Si sindikatë, incidentin e konsiderojmë vetëm majën e ajsbergut, pasi problematikat në lidhje me komunikimin jo vetëm njerëzor, po në radhë të parë institucional të bazuar në rregulla që mbështeten në rregullore të sanksionuara nga Universitetet përkatëse, janë të pafundme. Kësaj i shtohet edhe trajtimi denigrues financiar që i ofrohet pedagogut nga institucionet universitare dhe ato shtetërore”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco