Syri TV/ 'Festë e Sakrificës', besimtarët myslimanë festojnë ‘Kurban Bajramin’

14:43, 16/06/2024
A+ Aa A-

Besimtarët myslimanë në të gjithë botën kremtuan këtë të diel festën e Kurban Bajramit.

Miliona besimtarë po kryejnë ritet në Haxh, ndërsa të tjerë falen e festojnë në vendet e tyre. Në Tiranë besmitarët u falën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit.”

Drejtuesit fetarë përcollën mesazhe paqeje në këtë ditë feste. Lutjet për këtë festë të sakrificës u drejtuan nga Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, i cili uroi të gjithë besimtarët myslimanë, teksa u lut për bashkim dhe paqe veçanërisht për vendet e luftës.

Imami Lavdim Llushaj tregon historikun dhe simbolikën e Kurban Bajramit, teksa përcjell edhe urime për besimtarët.

Pas faljes së namazit të Kurban Bajramit, besimtarët myslimanë përcollën urime për më shumë paqe e begati.

Në çdo qytet të vendit sheshet u mbushën plot për faljen e namazit të Kurban Bajramit. Besimtarët myslimanë në Fier e Lushnje iu bashkuan riteve të kësaj feste në sheshet qëndrore të qytetit.

Në Elbasan besimtarët u falën në në sheshin Gensher, në qytetin e Beratit falja u bë në Pedonalen “Republika”, ndërsa besimtarët korçarë falën namazin e Kurban Bajramit në xhaminë e Iljaz Bej Mirahorit. Në Peshkopi besimtarët myslimanë mbushën stadiumin e qytetit për të kryer faljen, ndërsa në Kukës falja u bë në xhaminë e qytetit.

Kurban Bajrami sipas kalendarit Hixhri bie në ditën e 10-të të muajit Dhulhixhe dhe festimet zgjasin për katër ditë.

Kjo festë që njihet edhe si “Festa e Flijimit” është simbol i dashurisë dhe sakrificës për hir të Krijuesit, ndërsa në nder të saj besimtarët myslimanë therin një bagëti, ku tre të katërtat nga mishi i kurbanit dhurohet për nevojtarët, ndërsa një pjesë përdoret për drekën e familjes.

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco