KAFE SHQETO/ Prof. Tushi: Fëmijë shqiptarë me prindër të paarsimuar, kanë bërë progres me energjinë e tyre!

KAFE SHQETO/ Prof. Tushi: Fëmijë shqiptarë me prindër të paarsimuar, kanë bërë progres me energjinë e tyre!

14:12, 16/12/2021
A+ Aa A-

Sociologu i njohur Gëzim Tushi deklaroi sot se në Shqipëri ka shumë raste "kur fëmijë që vijnë nga familje me prindër të paarsimuar kanë bërë progres, kanë bërë sukses" dhe rastësia që ata i përkasin këtyre familjeve, nuk duhet të konsiderohet kurrsesi si fatalitet.

Prof. Tushi ka dhënë kësisoj një mesazh optimist dhe shpresëdhënës në studion e “Kafe Shqeto” në SYRI TV, i ftuar të komentojë raportin më të fundit të Eurostat, sipas të cilit “fëmijë që rriten nga prindër të paarsimuar kanë më shumë gjasa që të jetojnë në varfëri në moshë madhore”.

“Mua më duket se studimi është koherent dhe shumë i dobishëm për të kuptuar vlerën dhe rëndësinë që ka arsimi dhe si lidhet ai integralisht me statusin e njeriut të varfër dhe me varfërinë në përgjithësi, - vlerësoi Prof. Tushi. -  Në parim duhet të pranojmë diçka që niveli arsimor i të rinjve është një nga komponentët e rëndësishëm që ndikon në statusin e varfërisë sepse ka dhe shumë arsye të tjera.

Ajo që është interesante në këtë studim të Eurostat është trajtimi i integruar i ndikimit që ka statusi i familjes, pozita sociale, niveli arsimor i prindërve, niveli kulturor, tradita pra, sa është një familje etike që e vlerëson arsimin dhe sa ndikon kjo në mënyrë të drejtpërdrejtë në nivelin arsimor të fëmijëve dhe pastaj rrjedhimisht në adoptimin ë këtyre fëmijëve në tregun e punës. Në këtë kontekst mua më duket se studimi është kompatibël me realitetet e sotme dhe për fat të mirë i jep një vlerësim, arsimit.

Natyrisht, ka diçka që duhet ta kuptojmë që në fillim që nuk është një faktor plotësisht determinant. Pra, kjo trashëgimia biologjike, kjo rastësia biologjike që je fëmijë i prindërve të arsimuar mirë apo të arsimuar keq, është një rastësi e cila nuk duhet pranuar si fatalitet.

Sepse është e vërtetë, studimi i tregon epërsitë që sjell tek fëmijët, statusi i prindërve të arsimuar me nivel të lartë apo të mesëm dhe kjo duket sidomos në vendet e europiane por sidomos në Ballkan (sikurse tregon studimi jemi prapë në “top list”-ën negative që tregon se edhe këtu jemi me një shpejtësi të dytë në krahasim në raportin midis nivelit të arsimimit të prindërve dhe fëmijëve të tyre), por unë them se ka dhe raste të tjera. Domethënë, nuk jam partizan i fatalizmit, që do të thotë që në një familje që i ka prindërit me nivel të ulët arsimor, në mënyrë të domosdoshme, fatale, fëmijët e tyre nuk do të bëjnë progres.

Si rregull po, është një favor trashëgimia kulturore, arsimore, profesionale, niveli, tradita, trashëgimia e familjes që ka nivel arsimor të kënaqshëm, doemos do të ndihet si një kapital i trashëguar, si një kapital social, si një kapital human që do të trashëgohet tek fëmijët, por ka plot fëmijë që dalin nga ky status me forcat e tyre, me energjinë e tyre dhe në Shqipëri kemi raste kur fëmijë që vijnë nga familje me prindër të paarsimuar kanë bërë progres, kanë bërë sukses. Duhet parë nga të dyja anët kjo dialektikë, edhe me syrin pozitiv, edhe si një dialektikë negative që mund të ndodhë edhe e kundërta,” – nënvizoi sociologu. /ar.sh/SYRI.TV

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco