Pse evropiano-jugorët do të jenë së shpejti njerëzit më jetëgjatë në botë

Pse evropiano-jugorët do të jenë së shpejti njerëzit më jetëgjatë në botë

09:38, 27/06/2024
A+ Aa A-

THE ECONOMIST

Një rrugë e shkurtër në qendrën e Madridit me emrin ‘Calle de Jordan’ përfshin të tërë ciklin jetësor të njeriut. Në një bllok gjendet një maternitet, një pamje gjithnjë e më shumë e zakonshme në një shtet të fiksuar me mungesën e bebeve. Një bllok më poshtë gjendet një qendër ditore për pensionistët, duke reklamuar shërbime si ushtrime të memories dhe ndihmë me të lëvizurit. Është e zakonshme të shohësh gra në të 60-at e tyre duke i shoqëruar me kujdes mamatë e tyre në të 90-at tek dera.

Instituti i Matjes dhe Vlerësimit Shëndetësor tek Universiteti i Uashingtonit kohët e fundit ka publikuar projeksione për jetëgjatësinë sipas shteteve në vitin 2050. Ndër 20 shtetet e destinuara për të jetuar deri në një moshë tepër të vjetër janë ato të pasurat si Zvicra dhe Singapori. Azia Lindore gjithashtu përfaqësohet nga Koreja e Jugut dhe Japonia, kampionë të jetëgjatësisë së gjatë.

Por një grup gjeografik i vendeve relativisht më të varfra janë gjithashtu përçuese të jetëve më të gjata: Spanja, Italia dhe Portugalia. (Tre mikroshtete të afërta, San Marino, Malta dhe Andorra, gjithashtu bëjnë pjesë). Njeriu më i moshuar gjallë është një grua spanjolle, Maria Branyas Morera (117), e cila ia kaloi një francezeje. Shëndeti dhe jeta e gjatë korrelojnë pa befasi me PBB-në për frymë. Pse Europa Jugore ia kalon lidhjes së zakonshme mes pasurisë dhe shëndetit, duke e bërë jetëgjatësinë mesatare në Spanjë (85.5 vite në 2050) më të gjatë se atë të një danezi mesatar (83.5)?

Shumë njerëz ia vënë gishtin “dietës mesdhetare” – peshk, fruta të freskëta, perime dhe vaj ulliri. Por kritikët tregojnë se dietat ndryshojnë shumë nga Portugalia deri në Greqi. Gjithashtu, kërkuesit kanë vënë re se mesdhetarët e sotëm nuk iu përmbahen dietës së tyre. Sheshet në Spanjë janë të mbushura me njerëz duke ngrënë peshk të skuqur dhe proshutë të kripur, të pastruara me birrë, në orë të cilat disa mund t’i konsiderojnë të pahijshme. Spanjollët pinë më shumë pije alkoolike dhe pinë pak më shumë duhan se mesatarja europiane, dhe janë disa prej përdoruesve më të mëdhenj të kokainës në Europë.

Dan Buettner, i cili ka shkruar plot libra në vende ku njerëzit jetojnë gjatë, thotë se për të kuptuar pse njerëzit plaken, ne nuk duhet të shikojmë zakonet e sotshme, por ato të një gjysmë shekulli më parë, kur njerëzit hanin “ushqime fshatarësh”, të dominuara nga drithërat, fasulet dhe zhardhokët. Një studim i kohëve të fundit i “zonës blu” (zona ku jetojnë shumë njëqindvjeçarë) në Sardenjë zbuloi se dieta përfshinte “ushqime urie”, si bukë e bërë nga lisa dhe argjilë dhe një djathë të bërë nga larva insektesh. Produkti më i dukshëm i peshkut ishin vezore barbuni të kripura dhe të thara; fermerët e zonës rrallë hanin peshk të freskët. Dietat e sotshme përfshijnë gjithnjë e më shumë ushqime të procesuara perëndimore, por “inercia kulturore” i mban ata disi më të shëndetshëm, thotë Z. Buettner.

Kjo e shkuar fermere tregon një faktor tjetër: lëvizjen. Spanjollët e kryesojnë Europën Perëndimore në hapa për ditë te 5,936, sipas një studimi nga viti 2017. (Italia, Franca dhe Portugalia janë më pak mbresëlënëse). Studimi zbuloi se shtetet me “pabarazi aktiviteti” – pak ecës, por shumë joaktivitet, si në Amerikë dhe Arabi Saudite – kishin shkallën më të lartë të obezitetit. Ato, ku të tërë ecnin në një sasi të arsyeshme, si në Spanjë – e kishin të ulët. Kjo e uli dukshëm vdekshmërinë nga sëmundjet e lidhura me obezitetin.

Pse ecin kaq shumë spanjollët? Qytetet spanjolle, edhe pueblo-t e vogla, janë të populluara dendurisht; prek kufijtë e qytetit dhe shpesh gjendesh në fshatra të zbrazët. As kultura, as rregulloret nuk favorizojnë periferi të përhapura, kështu edhe me tokë të bollshme, spanjollët jetojnë mbi njëri-tjetrin. Parisi dhe vendet e tjera të cilat synojnë të krijojnë “qytete 15-minutëshe”, ku pjesa më e madhe e nevojave janë brenda rrezes së ecjes, mund të mësojnë shumë nga Spanja. I njëjti studim, i cili pa “pabarazinë e aktivitetit”, ekzaminoi Amerikën urbane dhe zbuloi se qytetet e dendura si Nju Jorku dhe Bostoni kishin nivele më të larta (dhe të shpërndara në mënyrë më të barabartë) aktiviteti sesa vende të shtrira si Atlanta dhe Feniks.

Por duke theksuar dietën dhe lëvizjen na bën të mos shohim një pjesë të enigmës. Ecshmëria e Spanjës është gjithashtu e mirë për jetën sociale. Qytetet janë të ndërtuara rreth shesheve ku shokët, familja dhe kolegët ulen dhe bisedojnë, hanë dhe pinë. Kjo është e mirë për ty edhe nëse ti pi vermut dhe ha patatina në mesditë. Studimet tregojnë se kontakti social është i rëndësishëm për mirëqenien fizike dhe mendore.

Sipas një sondazhi të kohëve të fundit nga Gallup, një sondazhues, dhe Meta, një kompani rrjetesh sociale, 76% të spanjollëve thonë se ndihen “shumë” ose “mjaft” të mbështetur shoqërisht. Kjo është lart mesatares, por jo në krye të tabelës. Jon Clifton, drejtori i Gallup, thotë se kërkimet e firmës së tij tregojnë se spanjollët janë të pakënaqur ose të shkëputur në punë. Ai tregon se një titull në El Pais, një gazetë, pak a shumë e ka kuptuar: Spanja është “vendi më i mirë për të jetuar dhe më i keqi për të punuar”.

Por puna nuk është gjithçka. Spanjollët janë të katërtit në botë kur pyeten nëse kanë parë shokë ose familjarë, të cilët jetojnë afër tyre ose me ta, javën e kaluar (Greqia ishte e dyta). Kjo mund të jetë papritshmërisht ana e mirë e faktit që shumë europianë të rinj jugorë nuk mund të marrin punë mjaftueshëm të mira në mënyrë që të mund të largohen nga shtëpitë e prindërve të tyre.

Shtetet europiano-jugore nuk janë të parat në nivelet e lumturisë – ky titull është mbajtur për një kohë të gjatë nga Danimarka dhe Finlanda. Por vlerësimet e lumturisë i japin më shumë rëndësi kënaqësisë me jetën sesa të qeshurave dhe buzëqeshjeve. Ato lloj emocionesh të gëzuara janë raportuar më shumë nga amerikano-latinët. Dhe, në mënyrë metaforike dhe fizike, një vizë e vizatuar nga Buenos Airesi për në Helsinki do të kalonte nga Spanja. Ai shtet ka nivele europiane të pasurisë (parashikuesi më i mirë i gëzimit) dhe kujdes shëndetësor (i cili i mban njerëzit gjallë), ndërkohë që ndan tipare kulturore me amerikano-latinët: të jetuarit momentin dhe të çmuarit shoqëritë dhe familjen. Këto nuk janë vetëm të mira në vetvete. Ato gjithashtu të bëjnë të vazhdosh.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco