Lajmi i fundit

Kryetari i PD, Sali Berisha takim me demokratët e Michiganit në SHBA

Një front i ri kundër Listës Serbe në Kosovë? Ekspertët: Teatër politik

Një front i ri kundër Listës Serbe në Kosovë? Ekspertët: Teatër politik

09:59, 30/09/2024
A+ Aa A-

Krijimi i një fronti të përbashkët opozitar serb është diskutuar në takimin që disa përfaqësues të serbëve të Kosovës kanë pasur me partitë opozitare në Serbi. Teksa akuzuan politikat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për situatën e serbëve në Kosovë, kryetari i Partisë Demokratike, Zoran Lutovac, ka theksuar nevojën për një alternativë politike ndaj Listës Serbe.

Në takimin e Beogradit, serbët nga Kosova u përfaqësuan nga Këshilli Kombëtar Serb i Kosovës dhe Forumi Kombëtar Serb (SNF) nga Graçanica, si dhe nga e ashtuquajtura Lëvizja Popullore e Serbëve nga Kosova “Atdheu”, nga Mitrovica.

Nga opozita e Serbisë mori pjesë kryetari i Partisë për Liri dhe Drejtësi (SSP), Dragan Gjilas, kryetari i Partisë Demokratike, Zoran Lutovac, lideri i Partisë së Re Demokratike të Serbisë, Milosh Jovanoviç, kryetari i “Qendrës së Serbisë”, Zdravko Ponosh, dhe përfaqësuesi i Kryengritjes Ekologjike, Aleksandar Jovanoviç Çuta.

“Duhet të thyhet zinxhiri i korrupsionit në linjën Beograd - Lista Serbe. Paratë e ndara me vite për popullin e Kosovës dhe Metohisë përfunduan në xhepat e gabuar, domethënë nuk shkuan aty ku duhej”, tha Lutovac.

Kryetari i Forumit Nacional Serb nga Graçanica, Momçilo Trajkoviç, ka folur për një politikë autentike serbe në Kosovë.

Kryetari i Partisë për Liri dhe Drejtësi (SSP), Dragan Gjilas, është zotuar se partia e tij kurrë nuk do të pranojë që Kosova të jetë e pavarur apo anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Në takimin e së shtunës u paralajmërua një seancë e përbashkët në Kuvendin e Serbisë për Kosovën, ku pritet të propozohet edhe një ligj për Kosovën nga Partia e Re Demokratike e Serbisë.

Por njohës të zhvillimeve në veri thonë se takimet e tilla janë teatër politik pasi as opozita atje nuk ndryshon shumë prej Vuçiçit kur vjen puna te Kosova.

“Ai takim që ka ndodhur në Beograd, mes opozitës në Serbi dhe disa liderëve opozitarë të Kosovës, është një lloj shfaqje e lojës, që do të thotë se nga Kosova ishin politikanët që kanë pasur fuqi në momente të caktuara, por s’kanë bërë asgjë. Mendoj se atje s’kemi pasur asnjë forcë që angazhohet për zhvillimin e jetës multietnike në shtetin e Kosovës. E kemi edhe një gjë serioze, edhe opozita, edhe pushteti në Beograd e kanë të njëjtin shef. Edhe opozita atje në fillim u dakordua me njëlloj heshtjeje kur flasim për gjendjen në Kosovë ose për lëvizjet politike të Vuçiçit. Ata për një grusht vota kanë dalë me disa të ashtuquajtur patriotë nacionalistë nga Kosova”, ka thënë analisti Branislav Kërstiç. 

Në kuadër të masave që së fundi prezantoi presidenti i Serbisë, Vuçiç, është edhe kërkesa për zgjedhje të reja në komunat veriore, të cilat aktualisht udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë.

Kërstiç nuk e përjashton mundësinë që në zgjedhjet e ardhshme Lista Serbe të sfidohet edhe nga subjekte të tjera.

“Kushdo që hyn në bojkot të zgjedhjeve në fund do të dalë si humbës, edhe bojkoti i kaluar nga ana e Listës ishte kundër interesave të komunitetit serb në veri të vendit, por edhe nuk ishte as në interes të asnjë qytetari të Kosovës. Jam i sigurt që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale do të kemi angazhimin e secilit subjekt politik nga veriu i vendit”, ka thënë Kërstiç.

“Serbët janë me buxhet të lidhur me shtetin e Serbisë, që do të thotë 80 për qind e banorëve serbë nga veriu i vendit janë në buxhetin e shtetit të Serbisë, Beogradit. Edhe nuk e di, nuk jam i sigurt nëse do ta kemi vullnetin e lirë të votuesve në zgjedhjet e ardhshme. Do të kemi edhe disa subjekte opozitare që do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme, por nuk do ta dimë deri në fund nëse edhe ato subjekte janë nën kontroll të qendrave financiare ose politike nga Beogradi zyrtar. Asgjë nuk është e qartë tani, pasi jemi në fillim të ashtuquajturit pluralizëm në zgjedhje”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco