Lajmi i fundit

LIVE/ Deputeti Ervin Salianji pritet të dorëzohet, dhjetëra qytetar në mbështetje të tij te Policia e Tiranës, bllokojnë rrugën

‘Presim qasje dhe masa ndryshe ndaj Kosovës pas zgjedhjeve në BE dhe SHBA’/ Ana Bërnabiç: Aleatët më besnikë të Prishtinës kanë…

‘Presim qasje dhe masa ndryshe ndaj Kosovës pas zgjedhjeve në BE dhe SHBA’/ Ana Bërnabiç: Aleatët më besnikë të Prishtinës kanë…

11:18, 27/09/2024
A+ Aa A-

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiç, ka thënë se pret që, pas formimit të institucioneve të reja evropiane dhe pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA në nëntor, qasja e Perëndimit ndaj Kosovës të ndryshojë dhe ajo të përballet me “masa ndryshe”.

“Nëse arrijmë të ruajmë paqen, t’u bëjmë ballë të gjitha provokimeve, të cilat janë të tmerrshme, mund të presim, mendoj, masa krejtësisht ndryshme dhe qasje tjetër ndaj Prishtinës”, tha Bërnabiç për Radio Televizionin e Serbisë (RTS).

Ajo ka vlerësuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po “përdor qetësinë në punën e institucioneve evropiane” para se të formohen institucionet e reja, për të “shkaktuar konflikt të armatosur” në Kosovë.

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian (PE) u mbajtën në qershor dhe në fund të vjeshtës do të fillojë mandati pesëvjeçar i Komisionit të ri Evropian (KE).

“PE-ja është formuar, KE-ja duhet të formohet, por as PE-ja nuk po punon me kapacitet të plotë. Kemi zgjedhje në SHBA në nëntor dhe ai po e shfrytëzon këtë”, tha Bërnabiç për Kurtin, më sa duket duke iu referuar veprimeve të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës muaj më parë dhe synimit të saj për ta hapur urën mbi lumin Ibër.

Bërnabiç shtoi se “aleatët më besnikë të Prishtinës” tani kanë një qëndrim më kritik ndaj Kosovës dhe Albin Kurtit se më parë, pasi Shtetet e Bashkuara dhe vende të BE-së i kanë kritikuar haptazi veprimet e Kurtit në veriun e banuar me shumicë serbe, duke i cilësuar si të “njëanshme” dhe të “pakoordinuara”.

Beogradi i ka cilësuar si “akte kriminale” që synojnë “persekutimin e serbëve” mbylljen e institucioneve paralele serbe në veriun e Kosovës.

Autoritetet kosovare ngulin këmbë se ato janë të “jashtëligjshme” dhe shkelin rendin kushtetues të vendit./REL/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco