Hovenier i bën thirrje Kosovës e Serbisë t’i zbatojnë obligimet dhe ta marrin më seriozisht dialogun

Hovenier i bën thirrje Kosovës e Serbisë t’i zbatojnë obligimet dhe ta marrin më seriozisht dialogun

10:15, 25/09/2024
A+ Aa A-

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se mesazhi i shtetit të tij është shumë i qartë dhe i thjeshtë, që Kosova dhe Serbia të veprojnë në përputhje të plotë me gjitha obligimet e marra në dialog dhe ta marrin seriozisht dialogun. 

“Mesazhi ynë është i qartë se duhet angazhim për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi me synim përfundimtar njohjen e ndërsjellë. Ky mbetet synimi i qartë i SHBA-së...Presim të dy qeveritë të veprojnë në përputhje me të gjitha obligimet e marra në dialog. Presim të marrin dialogun seriozisht. Një nga gjërat që më befason, në bisedimet që kam pasur me  akterë të ndryshëm në Kosovë, është ky supozim se ka rrugë tjetër pos dialogut. Sugjerimi se nëse amerikanët, gjermanët, zgjedhin të favorizojnë dikë atëherë bëjnë disi me gishta apo shkop magjik e bëjnë diskutimet e duhura dhe Kosova menjëherë bëhet anëtare e NATO-s e BE-së dhe institucioneve tjera. Bota nuk funksionon ashtu”, tha Hovenier, në fjalimin e tij në Samitin e Kosovës për Paqe e Demokraci (KPDS) të titullar  “Realitete radikale: dinamika etno-politike dhe integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor”.

Ai tha se po të varej nga SHBA-ja, Kosova do të ishte anëtare në organizatat euroatlantike e Serbia do të vinte afër pranimit të realitetit. Ai ka thënë se SHBA-ja do ta mbështesë Kosovën në rrugën euroatlantike. 

“Por, nuk e shoh se si mund të bëhesh anëtare e BE-së pa bashkërendim me BE-në, apo si bëhesh anëtare e NATO-s pa pëlqimin apo bashkërendimin me gjithë anëtarët e NATO-s. E dini se disa shtete të NATO-s ende nuk e kanë pranuar zyrtarisht realitetin e një Kosove sovrane, demokratike, multietnike në mënyrën siç kemi bërë ne. Gjyshi im ka thënë gjithmonë se nëse dëshiron të bëhesh pjesë e një klubi, atëherë mos urino te pragu i klubit. Çfarë dua të them është se ne duam të përkrahim Kosovën në rrugën euroatlantike, kemi bërë shumë për këtë”, ka thënë Hovenier. 

Hovenier ka thënë se duhet një përkushtim i ri më energjik në dialog. 

“Po të mos kishim dialogun që e kemi aktualisht, çfarë do të shpiknim? Do të kishim, Kosovën, Serbinë dhe do të kishim lehtësuesin BE-në pasi e ardhmja e Kosovës do të jetë në Evropë, e do të kishim përkrahjen e SHBA-së dhe partnerëve tjerë. Pra, do të nisnim nga fillimi të njëjtën gjë. Duhet përkushtim i ri në dialog nga të gjithë, ndërkombëtarët, Qeveria e Kosovës, Qeveria e Serbisë. Ajo që na duhet është serioziteti dhe qëllimi në dialog. Duhet qasje e re më energjike nga të dyja palët. Negociuesit më të suksesshëm gjithmonë mendojnë për situatë ‘fitim-fitim’. Mendojnë si të marrin diçka, por edhe kolegu i tyre të marrë diçka që të jetë i kënaqur. Është proces. SHBA-ja dëshiron të shohë këtë por pa kompromentuar themelet e Kosovës. S’do të ishte asnjë fitore çdo ndryshim në sovranitetin, pavarësinë apo integritetin territorial apo demokracinë e Kosovës. Por, nuk është edhe fitore kur minoriteteve nuk u respektohen të drejtat”, tha Hovenier. 

Ai ka thënë se plani i zgjerimit të BE-së është mjet i mirë për avancimin e gjitha vendeve të rajonit. 

Tutje, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka kërkuar nga Qeveria që të bëjë hapa konkretë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ambasadori Rohde tha se ky veprim është thelbësor për integrimin e serbëve në institucionet kosovare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco