REL: Serbia pritet ta zvogëlojë edhe më tej varësinë nga gazi rus, lidhet në një gazsjellës nga Rumania

REL: Serbia pritet ta zvogëlojë edhe më tej varësinë nga gazi rus, lidhet në një gazsjellës nga Rumania

09:57, 08/08/2024
A+ Aa A-

Me vetëm 13 kilometra tubacione gazi në territorin e saj dhe 85 që do të ndërtojë Rumania, Serbia do të marrë një drejtim të ri furnizimi dhe një burim të ri gazi.

Gazsjellësi i paralajmëruar do të jetë i dyti që Serbia do të ketë me partnerë nga Bashkimi Europian, pas një varësie të plotë nga gazi rus për më shumë se një çerek shekulli.

Siç është paralajmëruar, gazsjellësi do të lidhë qendrën në Mokrin në Serbi me tubacionin e transportit BRUA në Rumani.

Ministrat e Energjisë së Serbisë dhe Rumanisë, Dubravke Đedović Handanović dhe Sebastian Burduža, nënshkruan më 5 gusht një Memorandum Mirëkuptimi për ndërtimin e një interkonjeksioni të gazit.

“Transgaz mund të sigurojë transit gazi (në Serbi) nga Deti Kaspik, gaz të lëngshëm nga terminalet në Greqi dhe Turqi, si dhe gaz që (Rumania) do të shfrytëzojë në Detin e Zi”, i tha Radios Evropa e Lirë në gjuhën serbe, Ion Sterian, drejtor i kompanisë shtetërore rumune të gazit Transgaz, transmeton Gazeta Express.

Ai sqaron se BRUA nuk është vetëm një gazsjellës tranzit, por pjesë e sistemit kombëtar rumun të transportit të gazit në të cilin pompohet edhe gazi nga prodhimi vendas, rumun.

“Gazi rumun eksportohet përmes atij tubacioni”, thotë Sterian.

Eksperti serb i energjisë Dragan Vlaisavljeviq tregon rëndësinë e lidhjes së re të gazit midis Serbisë dhe Rumanisë.

“Një nga burimet e mundshme të gazit që do të jetë shumë i rëndësishëm janë impiantet e reja të gazit në Detin e Zi, të cilat Rumania do t’i ketë në dispozicion në dekadën e ardhshme”, tha Vlaisavljeviq për RSE.

Çfarë dihet për tubacionin?

Sipas memorandumit të nënshkruar në Klladovë, qytet kufitar i Serbisë në kufi me Rumaninë, gazsjellësi do të jetë i dyanshëm, kështu që gazi do të mund të transportohet në të dy vendet.

Kapaciteti i parashikuar, siç njofton Ministria e Energjisë së Serbisë, do të jetë “së paku 1.6 milionë metra kub gaz”, dhe seksioni i gazsjellësit në territorin e Serbisë duhet të përfundojë deri në vitin 2027.

Siç deklaroi drejtori i kompanisë rumune Transgaz Ion Sterian për REL, vlera e parashikuar e aksionit përmes Rumanisë është rreth 80-85 milionë euro.

“Pas takimit me drejtorin e Srbijagas (kompani publike tregtare të gazit në Serbi), do të përditësojmë të gjitha çmimet dhe më pas do të kemi vlerën e saktë të projektit”, tha Sterian.

Ai shtoi se Rumania do të financojë pjesën e tubacionit të gazit në territorin e saj me fondet e veta, të cilat përfshihen në kostot e planifikuara të zhvillimit të kompanisë.

Ndërmarrja publike Srbijagas, e cila do të menaxhojë ndërtimin e seksionit të gazsjellësit në Serbi, nuk iu përgjigj pyetjes së REL se sa do të kushtojë dhe si do të financohet pjesa e gazsjellësit deri në publikim të tekstit.

Çfarë merr Serbia?

Përveç reduktimit të varësisë së saj nga gazi rus, me lidhjen e re, Serbia bëhet një vend i rëndësishëm tranzit për transportin e gazit në Europën Qendrore.

“Falë lidhjes me Rumaninë dhe Bullgarinë, si dhe në periudhën në vijim edhe me Maqedoninë e Veriut, Serbia po bëhet një vend tranzit i domosdoshëm dhe një partner i rëndësishëm në garantimin e sigurisë energjetike të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore kur bëhet fjalë për furnizimin me gaz”, tha ministri serb i Energjisë Dubravka më 5 gusht, Đedović Handanović.

Pushtimi rus i Ukrainës në shkurt 2022 e gjeti Serbinë plotësisht të varur nga furnizimet ruse të energjisë. Duke ndjekur shembullin e vendeve të Bashkimit Europian ku ajo aspiron të anëtarësohet, filloi të kërkojë një alternativë për gazin rus.

Eksperti i energjisë Dragan Vlaisavljević tha për REL se një faktor i rëndësishëm është se tubacioni i gazit do të mundësojë “shpërndarjen e gazit në të dy drejtimet kur të jetë e nevojshme për të dy tregjet”.

“Me shumë mundësi do të ketë nevojë shumë më të madhe për Serbinë”, vlerëson ai.

Kur Rumania të përfundojë ndërtimin e centralit të gazit në Detin e Zi, lidhja e Serbisë me gazin me atë vend do të sigurojë, sipas tij, “furnizimin e sigurt me gaz për nevojat e ekonomisë dhe popullatës” në Serbi.

Në dhjetor të vitit 2023, Serbia hapi një interkoneksion gazi me Bullgarinë – nga qyteti bullgar i Novi Iskar në Nish në jug të Serbisë. Kështu, ajo fitoi qasje në gaz nga Azerbajxhani dhe në terminalin e gazit të lëngshëm në portin grek të Alexandroupolit.

Kapaciteti i gazsjellësit është 1.8 miliardë metra kub në vit, që nënkupton më shumë se gjysmën e nevojave vjetore të gazit të Serbisë. Megjithatë, sasitë e dakorduara me Azerbajxhanin në vitin 2024 janë 400 milionë metra kub gaz, që plotëson 13 për qind të nevojave.

Plani është rritja e dërgesave në një miliard metër kub nga viti 2027, që do të mbulonte një të tretën e nevojave të Serbisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco