‘Mendimi i lirë nuk bie ndesh me Kushtetutën’, Presidentja e RMV mbron emrin ‘Maqedoni’ para ministrit grek: Kam të drejtë të shprehem

‘Mendimi i lirë nuk bie ndesh me Kushtetutën’, Presidentja e RMV mbron emrin ‘Maqedoni’ para ministrit grek: Kam të drejtë të shprehem

07:49, 14/06/2024
A+ Aa A-

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova ka mbrojtur dhe justifikuar përdorimin e emrit “Maqedoni” për vendin e saj, edhe pse kjo është cilësuar nga pala greke si shkelje e Marrëveshjes së Prespës.

Davkova u shpreh se nuk mendon se po shkel Kushtetutën me këtë veprim, ndërsa theksoi se në çdo dokument shkruhet emri kushtetues, pra ai i Maqedonisë së Veriut, ndërsa theksoi rëndësinë e të drejtës së shprehjes së mendimit të lirë, gjë që sipas saj nuk bie ndesh me Kushtetutën apo të drejtën ndërkombëtare.

“Nuk mendoj se po shkel Kushtetutën siç e shihni ju, nuk mendoj se mospërdorimi i emrit kushtetues siç e shihni ju mund të shkaktojë probleme. Fillimisht, më lejoni t’ju kujtoj – si dokumentet e mia, ato që unë firmos dhe ato që posedoj, qoftë pasaporta apo letërnjoftimi, të gjitha dokumentet që dalin nga kabineti, siç e shihni, janë kushtetuese.Është e vërtetë që çdo fjalim i bërë nga politikanët apo ata në pozita të autoritetit shihet si një akt zyrtar, por ashtu si secili prej nesh ka dy fytyra – një zyrtare dhe tjetrën. E ritheksoj se që nga koha e Sokratit e deri në ditët e sotme, unë si qenie njerëzore kam të drejtë të shprehem ashtu siç shprehem, brenda parametrave të lirisë së mendimit dhe shprehjes së lirë të mendimit. Nuk besoj se kjo bie ndesh me Kushtetutën apo të drejtën ndërkombëtare”, tha ajo.

Gjatë samitit të mbajtur sot në Shkup, presidentja u takua edhe me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Giorgos Gerapetritis, ndërsa tha se ky i fundit nuk e hapi temën e emrit të Maqedonisë së Veriut.

Ajo zbuloi se mesazhet e tij kishin ngjyrim rajonal, duke nënvizuar se vendet duhet të ndihmojnë dhe të punojnë me njëri-tjetrin.

“Jo, ai nuk e hapi temën, u ulëm pranë njëri-tjetrit, u gëzova që erdhi, i lamë hapësirë të fliste si i fundit. Mesazhet e tij ishin me ngjyra rajonale – se ne duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin, se duhet të punojmë në ndërtimin e shtetit të së drejtës, që duhet të qartësojmë të drejtën ndërkombëtare, se duhet të vazhdojmë në rrugën ku kishte përcaktime shumë të qarta, më lejoni ju kujtoj samitin e Selanikut”, tha ajo.

Pas Samitit, në një prononcim për televizionin kombëtar grek ERT, Gerapetritis tha se është e rëndësishme të garantohet fluksi europian i të gjitha vendeve të Ballkanit dhe më gjerë në rajon në një periudhë sfidash.

“Kjo është ajo që theksova në konferencë, progresi duhet të zhvillohet në bazë të parakushteve specifike, të cilat janë formale dhe i referohen respektimit të demokracisë, respektimit të shtetit të së drejtës, respektimit me besnikëri të të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare dhe respektimit të vazhdueshëm me të gjitha këto që lidhen me Bashkimin Evropian, të drejtën ndërkombëtare, si dhe sigurisht respektimin e të drejtave të minoriteteve”, tha kreu i diplomacisë greke.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco