VIDEO/ Bardhi: Qeveria Rama ka ngritur zyrë të posaçme për të patronazhuar shqiptarët jashtë vendit

22:02, 08/10/2024
A+ Aa A-

Gjatë intervistës në emisionin “A Show” në SYRI TV, deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, u ndal te fushata e patronazhistëve të Edi Ramës, duke theksuar se qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit kanë një liri më të madhe për të gjykuar qeverisjen. Sipas Bardhit, shqiptarët jashtë vendit nuk përballen me kërcënime të përditshme për vendet e tyre të punës, siç ndodh shpesh në Shqipëri, ku qytetarët janë të kërcënuar për kafshatën e bukës dhe për vendin e punës, duke u bërë viktima të presionit qeveritar.

Ai zbuloi se qeveria ka ngritur një zyrë të posaçme për të patronazhuar shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, me qëllim kontrollin dhe ndjekjen e tyre për arsye politike. Bardhi deklaroi se Partia Demokratike i ka identifikuar të gjithë patronazhistët dhe po monitoron sjelljen e tyre. Ai akuzoi këta patronazhistë për abuzim me pushtetin, duke përdorur lidhjet familjare për të ushtruar presion, si në rastet kur u thuhet prindërve se fëmijët e tyre do të humbin vendet e punës në administratë nëse nuk votojnë për Partinë Socialiste, apo përndjekje tregtare me pretekstin e gjobave të papaguara.

'Unë besoj se bashkëqytetarët tanë që jetojnë jashtë kanë një sens lirie, jo për të gjykuar qytetarët apo ne që jetojmë këtu brenda, por shpeshherë halli, shqetësimi, nevoja për punë, kërcënimi që të bëjnë me bukën e gojës, tejkalon politikën, bindjen apo të menduarit e lirë. Ndërkohë që për bashkëqytetarët tanë që jetojnë jashtë, mendoj se kjo nuk ekziston. Pra, kontrolli i jetës së tyre, i ekonomisë së tyre, i mundësisë për kafshatën e bukës dhe më shumë, nuk ekziston. Unë kam bindjen e plotë se, duke parë se si funksionon politika dhe qeverisja në vendet ku ata jetojnë — pjesa dërrmuese në vende demokratike me qeveri të përgjegjshme — ata dinë ta bëjnë dhe do ta bëjnë dallimin mes asaj që ata shohin, se çfarë do të thotë një qeveri e përgjegjshme, dhe asaj që ofron Edi Rama.

Edi Rama ka nisur, dhe unë e konfirmoj këtë, një zyrë të posaçme për t’u marrë me atë që përmendët ju, pra me mundësinë për të patronazhuar çdo bashkëqytetar që jeton jashtë. Por unë kam bindjen e plotë që ai do të marrë prej tyre përgjigjen e merituar. Secili prej patronazhistëve është i identifikuar dhe është nën monitorim për sjelljen e tij nga strukturat e Partisë Demokratike. Mënyra se si sillen ata, që i përshkruam si qytetarë të zakonshëm dhe njerëz të pafajshëm, është problematike. Përveç se një pjesë prej tyre janë punonjës të administratës publike, çka përbën një shkelje të rëndë të ligjit, veprimtaria e tyre në vetvete është gjithashtu një shkelje e rëndë e ligjit.

Ata verifikojnë ku punon fëmija dhe, nëpërmjet punës së fëmijës, shkojnë te prindi dhe i thonë: “Shiko se ti ke vajzën që punon në ministrinë X apo në drejtorinë X, dhe nëse nuk voton për Partinë Socialiste, vajza jote do të humbë punën nesër.” Dikujt tjetër i thonë: “Ti ke një gjobë të papaguar, dhe nëse nuk voton për Partinë Socialiste, do të të bllokojmë aktivitetin tregtar.”- u shpreh Bardhi.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco