SYRI TV/ Berisha-Ramës: Krijo qeverinë teknike, do përshkallëzojmë mosbindjen civile

20:59, 08/10/2024
A+ Aa A-

Lideri i opozitës, Sali Berisha, paralajmëroi se mosbindja civile do të përshkallëzohet deri në realizimin e qeverisë teknike për garantimin e zgjedhjeve të lira. Ndërsa dënoi sjelljen e policisë ndaj protestuesve, kryedemokrati paralajmëroi kryeministrin Edi Rama që të reflektojë para se qytetarët të çmontojnë narkoshtetin e tij. Sipas Berishës, kancelaritë ndërkombëtare janë dezinformuar dhe kjo protestë zuri faqet e para të mediave botërore me situatën e vërtetë në Shqipëri.

SYRI TV

Një ditë pas protestës me mosbindje civile, kryetari i PD, Sali Berisha, deklaroi se protestuesit dhanë leksionin më të mirë se çfarë është opozita dhe se pa zgjedhje të lira, Shqipëria nuk ka paqe. Në një konferencë për gazetarët, Berisha i bëri thirrje Edi Ramës të pranojë kërkesën për krijimin e qeverisë teknike, ndërsa në të kundërtën  paralajmëroi përshkallëzim të mosbindjes civile.

Berisha deklaroi se opozita ka 77 mënyra për të nënshtruar narkoshtetin, duke paralajmëruar edhe greva e bllokim rrugësh, ndërsa theksoi se kjo lëvizje do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë.

Kryedemokrati deklaroi se për opozitën nuk ka plan B veç mosbindjes civile, teksa theksoi se do të nisë një fushatë masive që miqtë ndërkombëtarë të Shqipërisë të informohen për realitetin në Shqipëri.

Teksa u ndal tek bullizmi politik ndaj tij dhe deputetit demokrat Ervin Salianji, lideri i opozitës akuzoi SPAK-un se është një organizatë kriminale e rrezikshme, ndërsa theksoi se ai do të qëndrojë si një protestues i pamposhtur.

Sa i takon zgjedhjeve parlamentare të 2025, Berisha bëri të qartë se për PD nuk është kurrë opsion bojkoti.

Teksa Berisha po mbante konferencën me gazetarët lidhur me qëndrimet e tij për protestën dhe për atë që do të ndodhë në javët e ardhshme, një defekt i qëllimshëm teknik e ndërpreu në mënyrë të papritur konferencën. Sipas PD, linja e internetit u shkëput në mënyrë të qëllimshme nga kompania që ofron këtë shërbim në shtëpinë e kryetarit të Partisë Demokratike, me porosi nga larg që të ndërpritet konferenca.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco