Lajmi i fundit

Adi Krasta në 'A Show'

‘Rinia, fytyra e mosbindjes sonë civile’/ Berisha-protestuesve: Beteja me e fuqishme që Tirana ka parë në 32 vite

20:12, 08/10/2024
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë fjalës së tij në protestën maratonë të mbajtur në ‘Rrugën e Shpresës’ u ka bërë thirrje autoriteteve për lirimin e disa protestuesve të arrestuar gjatë një proteste të fundit në Tiranë.

Berisha i falenderoi protestuesit për pjesëmarrjen dhe rezistencën e tyre ndaj qeverisë dhe theksoi se ata ishin pararendës të një mosbindjeje civile që do të çonte në formimin e një qeverie teknike dhe në zgjedhje të lira. Berisha përmendi katër protestues të arrestuar dhe i siguroi se Partia Demokratike dhe opozita janë pranë tyre deri në lirimin e tyre të plotë, duke kritikuar kryeministrin Edi Rama për përdorimin e dhunës policore.

Në një fjalim drejtuar protestuesve, Kryetari i PD, Sali Berisha falenderoi dhe përgëzoi pjesëmarrësit për organizimin e një prej betejave më të mëdha të mosbindjes civile që Tirana ka parë në 32 vitet e fundit. Ai theksoi se protestuesit erdhën jo për një festë apo miting, por për një përballje kundër regjimit të Edi Ramës. Sipas Berishës, Rama ka krijuar një sistem të korruptuar që manipulon zgjedhjet, kontrollon drejtësinë dhe ushtron frikë ndaj votuesve. Berisha e quajti këtë një betejë kundër diktaturës së bandave dhe theksoi se protestuesit po luftojnë për lirinë dhe votën e lirë, duke refuzuar diktaturën e krimit dhe korrupsionit.

Kryedemokrati, Sali Berisha e përshkroi betejën si një zgjim të fuqishëm të popullit shqiptar dhe fillimin e rikthimit të votës së lirë. Ai theksoi praninë e të rinjve si pjesë e mosbindjes civile si një shenjë të mirë për të ardhmen dhe dënoi ashpër veprimet e policisë dhe qeverisë, të cilët i akuzoi për përdorimin e gazit helmues dhe plumbave kundër protestuesve dhe qytetarëve të pafajshëm. Berisha i quajti këto veprime kriminale, duke i krahasuar me talebanët dhe paralajmëroi se ky ishte vetëm fillimi i një lufte për lirinë, duke u bërë thirrje shqiptarëve të qëndrojnë në këmbë përballë tiranisë.

Lideri opozitar, Sali Berisha në fjalimin e mbajtur pas protestave të fundit të mosbindjes civile, e cilësoi rininë si fytyrën e vërtetë të mosbindjes civile dhe burimin e energjisë së saj. Ai shprehu mirënjohje të veçantë për të rinjtë, gjimnazistët dhe studentët që morën pjesë, duke theksuar guximin dhe përkushtimin e tyre. Berisha vuri në dukje se mosbindja civile kishte tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, duke u bërë simbol i shpresës për shqiptarët dhe për njerëzit liridashës në botë. Ai siguroi se Partia Demokratike do të ketë si përparësi të ardhmen e të rinjve, duke e konsideruar atë thelbësore për ekzistencën e Shqipërisë.

Kryetari i PD, Sali Berisha shprehu mirënjohje për të gjithë ata pensionistë ata që morën pjesë në protestën e fundit, duke theksuar rëndësinë e tyre në mosbindjen civile. Ai përmendi një pensionist nga Vlora, që kishte ardhur me biçikletë për të protestuar, duke e cilësuar atë si një hero. Berisha premtoi se do të ketë rritje të pensioneve, duke e akuzuar Edi Ramën se kishte tallur dhe përçmuar pensionistët.

Berisha e përmendi rritjen e pensioneve në Kosovë, duke e krahasuar atë me situatën në Shqipëri, duke theksuar se Kosova kishte një buxhet më të ulët, por kishte arritur të rrisë pensionet me 20%. Berisha akuzoi qeverinë e Ramës për korrupsion dhe për vjedhjen e qytetarëve, duke sugjeruar se qeveria e Kosovës ishte më e përgjegjshme në menaxhimin e fondeve për qytetarët.

Sali Berisha iu drejtua me tone të ashpra qeverisë së Edi Ramës në lidhje me paketën e maleve, duke e akuzuar atë se po vepron si hajdut për të ngjallur armiqësi dhe vëllavrasje mes qytetarëve. Berisha theksoi se Rama anuloi një ligj që lejonte investimet në zonat malore pa taksa për tetë vjet, duke e parë popullatën si armiq.

Lideri demokrat, Sali Berisha shprehu shqetësim se Rama po tentonte të shpallte poseduesit si pronarë të tokave që nuk u përkisnin atyre, duke i bërë thirrje të heqë dorë nga këto praktika. Ai insistoi se Shqipëria duhet të jetë një shtet i ligjit dhe i të drejtave, dhe jo një vend i hajdutëve apo bandave. Berisha përshëndeti pjesëmarrësit në protestë dhe oratorët që folën me guxim kundër qeverisë, duke premtuar se betejat e ardhshme do të vazhdojnë për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve. Kryetari i PD, Sali Berisha përfundoi me thirrje për fitore dhe forcimin e Shqipërisë.

FJALA E PLOTË

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.

Mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush, të cilët mbrëmë ishit më shumë se kurrë, më të fuqishëm se kurrë, më të pamposhtur se kurrë në mosbindjen civile, marshin drejt Tiranës.

Ju me protestën tuaj, me qëndresën tuaj, rezistencën e pamposhtur, mbetët pararendës të mosbindjes civile që do sjellë qeverinë teknike dhe votën e lirë të shqiptarëve.

Të dashur miq, një përshëndetje të përzemërt dua t’u përcjell demokratëve, të cilët narko-komisarët e pabesë i kanë arrestuar, Xhevahir Rrushi, Gentian Tugën, Ilir Tushën dhe Sokol Bushkolën.

I garantoj se PD, demokratët dhe demokratet, mbarë populli opozitar çdo minutë është me ta gjer në lirimin e tyre të plotë.

Qëndrestarë të pafajshëm, që kërkon Edi Rama me terror policor, t’i mposhtë.

Lironi vëllezërit, kjo është thirrja jonë!

Por sonte, në emër tuaj, unë dua t’u përcjell një përshëndetje vëllazërore të gjithë atyre burrave dhe grave, të rinjve, të rejave, të moshuarve që firmosën dje në cunamin e mosbindjes civile, fillimin e betejës së madhe të fitores sonë.

Në emër tuaj, dua t’u them se ata kanë ardhur shumë herë në Tiranë, por asnjëherë në jetën e tyre nuk kanë qenë si mbrëmë në Tiranë.

Ju gra dhe burra, të rinj dhe të reja, adoleshentë, pensionistë, inauguruat mbrëmë misionin e ri më të rëndësishëm, më fisnik të jetës suaj.

Ju nuk erdhët mbrëmë në Tiranë për festë, miting elektoral, ju nuk erdhën mbrëmë në Tiranë për protestë.

Jo, secili prej jush mbrëmë i njoftuar siç e do rregulli, erdhët jo për protestë, për mosbindje civile. Pra, erdhët për betejë.

Ju mbrëmë, pa asnjë detyrim nga askush, iu përgjigjët thirrjes së ndërgjegjes suaj dhe erdhët për betejë. Ju në fakt mbrëmë zhvilluat betejën e mosbindjes civile me të madhen, më të fuqishmen që Tirana ka parë në 32 vite.

Ju, duke tejkaluar cdo parashikim erdhët mbrëmë për t’u ndeshur me regjimin, pavarësisht nga pasojat që kjo ndeshje mund të kishte sepse ky regjim i kishte shpallur luftë opozitës. Është një armik i egër i popullit opozitar.

Ju e dini mirë se të përballeni me Edi Ramën, i cili Kushtetutën e ka shndërruar në Olta Xhaçkë, parlamentin e ka shndëërruar në Spirogjokë, qeverinë e ka zëvendësuar me Lubi Ballukun apo Tao Taon, ligjet e vendit i ka zëvendësuar me Irenën me 5 mbiemra, xhelatë të sigurimit dhe Altinë të pyetjes 1 milion euro, nuk është e lehtë, por ju erdhët sepse keni vetëdijen e plotë se Edi Rama nuk fiton, por grabit zgjedhjet.

Ju erdhët se jeni të bindur se Edi Rama me serial killerat e tij, me bandat e tij, me makinerinë e frikësimit të zgjedhësve, me industrinë e blerjes së votës dhe të drejtës së saj, me partinë shtet kontrollon votën tuaj dhe njëlloj si diktaturat e bandave shndërron krimin në votë dhe votën në krim.

Ju jeni të bindur se pa votën e lirë nuk ka kurrë rotacion, por pushtet autoritar që nuk ikën për dekada.

Ju dolët në shesh të mejdanit kundër diktaturës me një nga 77 format e mosbindjes civile.

Sepse ju e keni të qartë se burgosja politike është akt i diktaturave, se me burgosjen e udhëheqjes politike në vit elektoral, lidhet vendimi i Edi Ramës për një mandat të katërt.

Ju erdhët në shesh të betejës sepse e dini se kontrolli i drejtësisë është tipar i diktaturës së bazuar në drogën, krimin, vjedhjen e shqiptarëve siç ishte dje në ideologjinë komuniste.

Ju dolët dje në shesh të mejdanit sepse ju nuk pranoni vendosjen e diktaturës së bandave, në të cilën narkodiktatori kontrollon me dorë të hekurt qeverinë, parlamentin, presidentin, shërbimin e fshehtë, drejtësinë dhe i ndërsen ata si vegla kundër opoziëts për të shtypur atë, për t’i vjedhur asaj votën, për të vjedhur dhe pasuruar veten dhe sojin e tij.

Beteja e djeshme dëshmoi zgjimin e luanit.

Beteja e djeshme dëshmoi se ishte fillimi i madh i misionit tonë të rikthimit të votës së lirë në Shqipëri.

Prania masive e të rinjve në këtë betejë ishte oguri i madh, i bardhë se dhimbjet nuk do zgjasin shumë.

Ju kriminelë që helmuat një lagje të tërë edhe para se demonstruesit të mbërrinin para parlamentit me gaze toksike.

Ju që helmuat fëmijë që ktheheshin nga shkolla.

Ju që derdhët plumba shotgani mbi qytetarët që ktheheshin në rrugë.

Ju narkobanditë me këto akte, treguat fytyrën e urryer të Edi Ramës.

Kurse ju luftëtarë të vërtetë të lirisë, ishit dje ndërgjegjja e juaj dhe e kombit tuaj.

Ishit zëri i atyre që heshtin.

Ishit ndërgjegjja e çdo qytetari evropian që reagon me guxim ndaj çdo forme tiranie.

Ju që kërkuat të digjnit të gjallë protestues për bindjet e tyre politike, ju ua kaloni edhe talebanëve.

Jeni vëllezër me talebanët.

Ndaj dhe u them sot se ky ishte vetëm fillimi.

Thirrja ime edhe njëherë, shqiptarë në këmbë.

Nuk ka forcë në botë që të na ndalojë.

Njerëzit e lirë në mbarë botën janë me ne.

Mosbindja civile e djeshme ishte kryelajm në të gjitha mediat e mëdha të Europës dhe botës.

Ishte mesazhi i shpresës për çdo shqiptar.

Ishte mesazhi i shpresës për çdo mik të Shqipërisë dhe njerëzit liridashës në Europë dhe në botë.

Kam mirënjohje për secilin, por në mënyrë të veçantë për ata gjimnazistë, ata studentë, të rinj dhe të reja që ishin dje energjia e pashtershme.

Ishin dje guximi i pamposhtur.

Ishin dje fytyra e vërtetë e mosbindjes sonë civile.

Angazhimi juaj është garancia më e madhe e fitores sonë të shpejtë.

Garantoj se PD, përparësi absolute do ketë ju, të ardhmen tuaj, pa të cilën Shqipëria nuk mund të ekzistojë.

Të dashur miq, jam prekur thellë tek shihja ata mijëra e mijëra burra e gra të moshuar gjithashtu në mosbindje civile.

Tek dëgjoja pensionistin nga Vlora që kishte ardhur me biçikletë, një hero i vërtetë.

Por unë e kam një zotim solemn, se pension nën 200 euro në Shqipëri nuk do ketë.

Të dashur pensionistë, Edi Rama u tall me ju, u përçmoi ju, por nuk përçmoi dhe nuk u tall vetëm me ju, por me çdo shqiptar, me çdo qytetar të këtij vendi që u nderon ju, që ka mirënjohje të pakufishme për atë që keni bërë.

Ju premtoj në mars rritjen e pensioneve, gjer në tetor nuk rriti një qindarkë dhe nga fondi 38 milionë, shpenzoi për 3 muajt e fundit të vitit për 4 përqind indeksim të pensioneve, për 700 lekë që u dha, gjithsej 16 milionë euro.

Të dashur miq, do u informoj sot se dje qeveria e Kosovës vendosi dhe deklaroi se pensioni bazë, dmth pensioni i atyre që nuk kanë bërë një ditë punë, por që kanë arritur moshën e pensionit, se pensioni sipas viteve të punës, pensioni i invaliditetit, çdo pension do rritet jo 1 apo 3, 4 përqind, jo 700 apo 1 mijë, por do rritet 20 përqind.

Dhe, që ta dini mirë, fondi i përgjithshëm i pensionit në Kosovë gjer ditën e djeshme ishte 500 milionë euro.

Qeveria e Kosovës, në një akt të lartë përgjegjësie, e rriti atë jo me 16 milionë, siç bëri ky i pashpirti, e rriti me 100 milionë euro. E rriti me 20 përqind. E rriti në 600 milionë euro.

Të dashur pensionistë dhe pensioniste, Shqipëria ka një buxhet fiks dy herë më të madh se Kosova, por problemi është se Kosova ka vjedhjet, ryshfetet 5 herë më të ulëta se Shqipëria.

Problemi është se qeveria e Kosovës dhe kryeministri i Kosovës paratë nuk i kthejnë në pasuri të tyre, por i kthejnë në rroga dhe pensione për qytetarët.

Problemi është se ryshfeti në Kosovë është pesë herë më i ulët se sa në narkoqeverinë e Edi Ramës.

Shkurt miq, Edi Rama e urren Albin Kurtin se ai nuk vjedh qytetarët e Kosovës siç vjedh Edi qytetarët e Shqipërisë.

Të dashur miq, përsëri kreu i krimit, në një aktet e para sapo erdhi në pushtet, anuloi ligjin në të cilin investimet në zona malore liheshin 8 vite pa taksa.

Dhe ai duke i parë këta banorë si armiq, e hoqi menjëherë këtë.

Investimet e tij në zonat malore nuk bëhen jo sa tuneli i Llogarasë, kurrën e kurrës, por as sa ka vjedhur ai në tunelin e Llogarasë.

Pas 11 vitesh, kryehajduti u kujtua paketën e maleve.

Dhe përsëri po shkon si hajdut sepse për të ngjallur armiqësi, kërkon të shpallë poseduesit pronarë.

Edi Rama, mos fut vëllavrasjen, larg duart.

Toka ka çmimin e tregut.

Toka ka çmimin e tregut.

Nuk je ti pronar i tokës së të tjerëve për pazaret e tua.

Hiq dorë!

U them atyre që duan të investojnë se 8 vite do i kenë të garantuara, por pronën e tjetrit mos e prekni.

Larg duart nga prona e tjetrit.

Nuk jemi shteti i hajdutëve, nuk jemi shteti i bandave, por jemi shtet i ligjit, i të drejtës dhe do ecim gjer në fund si të tillë.

Edhe njëherë një përshëndetje të përzemërt ju, oratorëve të kësaj platforme që me fjalën e lirë i kallin datën Edi Ramës.

Përshëndetje atyre që morën pjesë në cunamin e mosbindjes civile.

Parlamentarëve që ia nisën të parët betejën Edi Ramës dhe narkoparlamentit.

Beteja të ardhshme së shpejti na presin, na ftojnë.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco