‘E ardhmja e Klubit Sportiv Tirana në rrezik’/ Alba Kepi denoncon vendimin e fundit të Këshillit Bashkiak

17:46, 08/10/2024
A+ Aa A-

Alba Kepi, gazetare dhe anëtare e këshillit Bashkiak të Tiranës, ka reaguar me forcë kundër një vendimi të fundit të Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të saj Erion Veliaj, duke e akuzuar këtë të fundit për një akt tjetër kriminal ndaj qytetit. Në shkrimin e saj, Kepi thekson se pas shkatërrimit të monumenteve kulturore, artit, dhe historisë së Tiranës, Veliaj po shkatërron edhe Klubin Sportiv Tirana duke e kthyer atë në një biznes të drejtuar nga një bord drejtorësh, një veprim që ajo e konsideron tërësisht të paligjshëm dhe në kundërshtim me ligjin e sportit.

Kepi e cilëson këtë vendim si një tjetër aferë për përfitime të ngushta të investitorëve strategjikë dhe klientelës së Partisë Socialiste. Sipas saj, ky është një përpjekje për të ricikluar para të pista përmes shfrytëzimit të Klubit Sportiv Tirana dhe stadiumit Selman Stërmasi, një ikonë e sportit shqiptar.

Në reagimin e saj, Kepi thekson rëndësinë historike dhe emocionale të Klubit Sportiv Tirana, duke kujtuar kontributin e babait të saj, i cili ka shkruar historikun e klubit, dhe ndjenjën e krenarisë që ky klub përfaqëson për qytetin dhe banorët autoktonë. Ajo përmend gjithashtu rolin që tifozët bardhë e blu kanë luajtur në revolucionin anti-komunist, duke theksuar se vendimi aktual i bashkisë është një sulm ndaj identitetit dhe historisë së Tiranës.

Kepi i bën thirrje autoriteteve të largojnë duart nga sporti dhe të mbrojnë historinë dhe trashëgiminë e Klubit Sportiv Tirana, duke e quajtur atë një “amanet” të çmuar të qytetit.

ALBA KEPI: 

Bashkia e Tiranës dhe Kryetari i saj Erjon Veliaj po kryejnë krimin e radhës në qytet.

Pasi shkatërruan historinë e qytetit, identitetin e tij, artin, kulturën, trashëgiminë kombëtare, kinematë, pasurinë monumentale dhe tokat e autoktonëve, sot në Këshillin Bashkiak pritet të merret vendimi i radhës për ta kthyer Klubin Sportiv Tirana në një Qendër Sportive drejtuar nga një Bord Drejtorësh.

Është një tjetër akt kriminal ndaj qytetit për ta shndërruar sportin dhe skuadrën autoktone në një biznes dhe aferë kompanie me borde drejtorësh si 3D, 4D, 5D, 6D, Djegësat etj.

Gjithçka kryhet në kundërshtim katërcipërisht me ligjin e sportit, i cili përcakton se asnjë klub sportiv nuk mund të drejtohet nga një bord drejtorësh, por nga një Asamble ekzekutive anëtarësh.

“Në kundështim të plotë me legjislacionin me dispozitat e Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar, ligjit nr. 8788, datë 07.05.2001 ‘Për organizatat jofitimprurëse’, të ndryshuar, dhe ligjit nr. 80, datë 24.06.2021 ‘Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse’, të ndryshuar, ligjit nr. 79/2017 ‘Për sportin’”, siç thekson dhe analiza e ekspertëve të Departamentit të Sporteve pranë Partisë Demokratike.

Gjithçka po bëhet pa informuar Klubin e Futbollit, i cili është 50% ortak bashkë me Bashkinë.

Si këshilltare bashkiake, kam denoncuar çfarë po ndodh që në mbledhjen e muajit shtator të Këshillit Bashkiak.

Sot, në mbledhjen e tetorit, jemi para aktit të kryer, se me forcën e kartonit pushteti socialist do të aprovojë aferën e radhës për xhepat e klientelizmit të tyre, investitorëve strategjik të Partisë dhe oligarkisë që pastron paratë e grupeve kriminale.

Klubi i Tironës i duhet për riciklimin e parave të pista, për stadiumin Selman Stermasi, që duan ta bëjnë kullë dhe për të fundosur historinë bardhë e blu.

Tirona nuk është thjesht skuadër; është frymë dhe himn i autoktonëve kundër çdo diktature.

Në shkallët e stadiumit, tifozët bardhë e blu nisën revolucionin antikomunist, dhe në këto shkallë ushtojnë edhe sot thirrjet “Rama Ik - Veliaj në qeli, Poshtë Diktatura”.

Ndjeshmëria ndaj këtij vendimi është jo vetëm si autoktone, jo vetëm si tifozë, jo vetëm si këshilltare opozitare, por edhe sepse klubi i Tironës ka qenë pjesë e pandashme e jetës time. E vesha këtë fanellë qysh e vogël si thirrje gjaku, e vesha këtë fanellë të babait tim, i cili ka shkruar historikun e këtij klubi dhe që e gjeni edhe në portalin zyrtar të KS Tirana. Tirona është amanet!

Është histori e krenari e sportit shqiptar. Larg duarve nga Sporti!

PS. Historia jonë, historia bardhë e blu, Autor Bedri Alimehmeti.

15 gusht 1920, dita kur një grup intelektualësh tiranas, me në krye: Bahri e Said Toptani, Stefan Shundi, Anastas Koja, Anastas Shundi, Irfan Gjinali, Reshat Tafalla, Jonuz Tafaj etj., mbledhur në kafe “Kursal”, vendndodhja e së cilës ka qenë në qendër të Tiranës, gati ballë për ballë me godinën e Bankës, formuan Sport Klub Tirana.

Pas këtij akti, u hartua programi, statuti dhe u caktua emblema, që kishte rrënjët në bardheblunë e flamurit të oxhakut toptanas dhe në thellësitë oqeanike të genit tiranas, që karakterizohet nga bardhësia e shpirtit dhe çiltërsia e ndjenjave qiellore. U caktuan kuotizacionet e anëtarëve. Të gjitha familjet tiranase sipas dëshirës e mundësive kontribuan financiarisht për Sport Klubin Tirana. Sidomos tregtarë të njohur derdhën të ardhura të konsiderueshme në arkën e klubit (mes tyre stërgjyshi im).

Në një mbledhje tjetër të kryesisë, zhvilluar pak ditë më vonë, iu kërkua, nëpërmjet një shkrese bashkisë, drejtuar konkretisht kryetarit z. Fuat Toptani, madje njëkohësisht e njëjta kërkesë iu paraqit edhe kryeministrit të asaj kohe z. Sulejman Delvina, leja për caktimin e një sheshi, ku Sport Klub Tirana të ushtronte normalisht aktivitetet e veta sportive. Interesimi i vetë kryetarit të bashkisë së asaj kohe, z. Fuat Toptani, bëri të mundur dhënien me qira të truallit në Shallvare.

ImageImage

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco