Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës

DW/ Kërkesa për qeveri teknike opozita nis 'mosbindjen civile'

DW/ Kërkesa për qeveri teknike opozita nis 'mosbindjen civile'

17:15, 08/10/2024
A+ Aa A-

‘Kjo është revoltë, hapi i parë i mosbindjes civile'', të tillë e cilësoi Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, protestën mbarëkombëtare të opozitës, që u mbajt pasditen e 7 tetorit në Tiranë. Mijëra protestues iu përgjigjen thirrjes së Partisë Demokratike, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, Edi Rama dhe formimin e një qeverie teknike, që do ta çojë Shqipërinë në zgjedhjet parlamentare në pranverën e ardhshme.

Përplasjet e para nisën në sheshin përpara Kryeministrisë kur protestuesit tentuan të thyenin kordonin e policisë që ruante godinën qeveritare, duke e goditur atë me molotov. Më pas turma e demonstruesve, të drejtuar nga anëtarë të kryesisë së Partisë Demokratikë dhe deputetë, shkoi drejt Selisë së Partisë Socialiste, duke i vënë flakën posterit të kryeministrit Rama që qëndronte në hyrjen kryesore të godinës, si dhe portës së jashtme. Nën akuzat për uzurpim të shtetit dhe drejtësisë nga ana e socialistëve, protestuesit demokratë iu drejtuan godinës së Ministrisë së Brendshme dhe Bashkisë së Tiranës. Hedhja e sendeve të forta dhe molotovëve në drejtim të institucioneve shtetërore solli një përplasje të fortë mes opozitarëve dhe policisë së shtetit, teksa kjo e fundit u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për t'i ndaluar dhe shpërndarë ata.

Thirrje për lirimin e deputetit Salianji

Protesta e opozitës, e cila ndryshe nga herët e tjera nuk pati fjalime politike në podium, u thirr nga forumet e larta të Partisë Demokratike, pasi Gjykata e Apelit dënoi me një vit burgim deputetin e saj, Ervin Salianji. Deputeti Salianji kërkoi në vitin 2018 dorëheqjen e ministrit të Brendshëm të atëhershëm, Fatmir Xhafa, për akuzat për veprimtari të paligjshme të vëllait të tij, akuza këto që rezultuan më pas të rreme. Deputeti Salianji, i dënuar me një vit burg, vuan dënimin prej më shumë se një jave, ndërsa e ka apeluar këtë vendim në Gjykatën e Lartë. Partia Demokratike e cilëson këtë vendim të drejtësisë shqiptare si të motivuar politikisht.

Image

Javën e kaluar deputetët e së djathtës protestuan edhe në Kuvend, duke djegur karriket e sallës plenare. Demokratët bëjnë thirrje gjithashtu për lirimin e Berishës nga arresti shtëpiak, i cili ndodhet nën hetim për korrupsion. "Kjo ishte vetëm dita e parë e mosbindjes civile'' – u shpreh nga Selia Blu, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ‘'ne do të jemi këtu të vazhdojmë derisa synimet tona të arrihen'' – njoftoi ai më tej në përmbyllje të protestës.

Protestues dhe policë të plagosur

Image

Përplasjet e ashpra të së hënës, mes protestuesve të opozitës dhe forcave të rendit sollën të dëmtuar nga të dyja palët. Sipas njoftimit nga Policia e Shtetit, 10 punonjës u plagosën nga sulmet e protestuesve, dhe se janë marrë masat për identifikimin, kapjen dhe shoqërimin e personave të përfshirë në këto sulme. Aktualisht një protestues është arrestuar, ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim. Po ashtu 7 protestues janë dëmtuar gjatë përplasjeve dhe i janë drejtuar Spitalit të Traumës për të marrë ndihmë mjekësore./ DW/ 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco