Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Marshimi drejt Tiranës, sot protesta kombëtare e opozitës

'Mosbindja civile nis sot'/  Boçi paralajmëron përshkallëzim të protestave: Objektivi ynë, largimi i Ramës dhe krijimi i një qeverie teknike

'Mosbindja civile nis sot'/ Boçi paralajmëron përshkallëzim të protestave: Objektivi ynë, largimi i Ramës dhe krijimi i një qeverie teknike

15:15, 07/10/2024
A+ Aa A-

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ishte i ftuar në edicionin e mesditës në “SYRI TV”, ku zhvilloi një diskutim të gjerë me moderatorin Arnold Karriqi lidhur me situatën aktuale politike në Shqipëri dhe protestat e opozitës. Në fjalën e tij, Boçi ofroi një panoramë të shqetësimeve kryesore që, sipas tij, kanë nxitur bashkimin e qytetarëve në protestën e sotme masive. Ai renditi një sërë problemesh të thella që po ndikojnë në jetën e përditshme të shqiptarëve, duke filluar nga kufizimi i lirisë politike dhe i lirisë së fjalës, deri te mungesa e sigurisë në arsim, shëndetësi dhe fusha të tjera jetësore.

Boçi kritikoi ashpër mënyrën e qeverisjes së kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si një sundim që nuk respekton më as ligjin, as Kushtetutën, dhe as proceset zgjedhore. Në këtë kontekst, ai paralajmëroi për një përshkallëzim të mosbindjes civile dhe protestave, duke theksuar se opozita është e vendosur të vazhdojë këtë betejë deri në arritjen e qëllimeve të saj politike. Objektivat kryesore të kësaj lëvizjeje, sipas Boçit, janë krijimi i një qeverie teknike, largimi i kryeministrit Rama nga drejtimi i vendit dhe garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, që do të përmbyllen me fitoren e Partisë Demokratike.

'Arsyet e bashkimit në protestë janë të shumta, duke filluar me kufizimin e lirisë politike dhe lirisë së fjalës, të cilat mund të duken paksa abstrakte, por janë të vërteta. Më tej, është mungesa e sigurive që një qeveri duhet t’i ofrojë qytetarëve dhe që e ka për detyrë: siguria arsimore. Në Shqipëri nuk ka më arsim dhe edukim në ato parametra që kërkon një shoqëri e emancipuar dhe një vend që aspiron të jetë pjesë e BE-së.

Nuk ka siguri shëndetësore; shëndetësia është në koma totale dhe qytetarët kanë frikë të sëmuren në këtë ditë. Nuk ka siguri jete, nuk ka siguri ushqimore; shqiptarët nuk dinë as çfarë blejnë, as çfarë konsumojnë dhe as çfarë hanë. Siguria e jetës ka rënë gjithnjë e më shumë.

Në fakt, nuk kemi të bëjmë më me një pushtet të thjeshtë, por me një sundim. Një sundim që nuk është më i një partie, por i një grupi të caktuar brenda një partie që bën gjithçka të zezë dhe të keqe për të vazhduar pushtetin dhe sundimin e saj, në ato forma dhe mënyra që kanë kapërcyer çdo lloj ligji, çdo lloj kushtetute dhe çdo proces zgjedhor.

Unë mendoj që reagimi i qytetarëve do të jetë i fortë. Një nga arsyet, përveç atyre që përmenda më sipër, është provokimi që u bën Rama me këtë mënyrë sjelljeje, duke i konsideruar qytetarët që protestojnë për të drejtat e tyre si armiq të pushtetit të tij. Ai tenton t’i provokojë në forma të tilla duke shtuar forcat policore, duke i armatosur deri në dhëmbë dhe duke bllokuar akset rrugore për të penguar ardhjen e qytetarëve në sheshin Skënderbej. Kjo është një dëshmi e frikës së madhe që përjeton regjimi, dhe këto janë procese që ngjasojnë me njëra-tjetrën, sepse sjellin fundin e një regjimi.

Qëllimet tona janë të sinqerta dhe të vërteta. Nuk ka tendenca për pregatitje apo mospregatitje. Jemi shumë të drejtpërdrejtë në përplasjen tonë. Jemi drejt një mosbindjeje civile që nis sot. Kemi organizuar grumbullimin dhe më pas marshimin në rrugët e Tiranës, i cili do të ketë kohëzgjatjen dhe aktet e tij domethënëse, që do të shpërndajnë një mesazh të qartë dhe të pastër se ne nuk tërhiqemi nga kjo mosbindje. Do të vazhdojë edhe në ditët dhe muajt në vijim derisa të arrijmë objektivat tona, që janë kërkesa të qytetarëve dhe qëllime politike: krijimi i një qeverie teknike, largimi i Ramës nga drejtimi i vendit, dhënia e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, lirimi i liderit të opozitës dhe Ervin Salianjit, të burgosur padrejtësisht me akuza të rreme. Vetëm në këtë mënyrë ne mund të jemi pjesë e një procesi zgjedhor të ndershëm, që do të përmbyllet me fitoren e Partisë Demokratike.'- u shpreh Boçi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco